Ish- zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Daniel Shima është kthyer pranë familjes shëndosh e mirë.
Ai u denoncua i zhdukur dje nga familja, e cila kishte humbur kontaktet me të.
Zhdukja e ish-zv/drejtorit të AKSH-it, Noka: Rrëmbim apo inskenim? Terr informativ që ngre pikëpyetje për përfshirjen e shtetit
Sipas mediave, ai pretendon se ka qenë në jug të vendit pas një konflikti që kishte pasur me të dashurën e tij.
Megjithatë Shima nuk jep shpjegimin për mesazhin që nisi në drejtim të familjarëve, ku para se të mos “bëhej më i gjallë, shkroi: “Po më arrestojnë”.
ÇFARE NDODHI PASDITEN E DJESHME?
Fillimisht raportua se familjarët e ish-zv/drejtorit të përgjithshëm të AKSHI-t, Daniel Shima, kanë denoncuar në Komisariatin nr. 1 humbjen e kontakteve me të.
Sipas tyre, Shima u ka dërguar një mesazh të afërmve, duke i njoftuar se po e arrestonin, por pas këtij momenti, komunikimi me të është ndërprerë. Ky mesazh ngriti shqetësime në lidhje me fatin e tij.
Ndërkohë, u bë me dije se policia po kryen sekuestrimin e kamerave të sigurisë në zonën ku dyshohet se ndodhej Shima, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Ndërsa u raportua se Policia nisi menjehere hetimin dy pista: pengmarrjen, ose një inskenim të mundshëm të zhdukjes.
Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Ja me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro
Çfarë tha policia?
Policia e Tiranës reagoi zyrtarisht në lidhje me zhdukjen e sh-Zv/ Drejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t, Daniel Shima.
Policia bën me dije se ka qenë nëna e Daniel Shimës që ka denoncuar në Komisariatin e Policisë Nr. 1, se ka humbur kontaktet me djalin e saj.
Në njoftim policia nuk jep detaje për pistat e hetimit që po kryen për rastin e Shimës.
“Më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasja M. Sh., e cila ka kallëzuar se ditën e sotme ka humbur kontaktet me djalin e saj, shtetasin D. Sh., 34 vjeç.
Shërbimet e Policisë po punojnë për sqarimin e rrethanave të rastit dhe për gjetjen e tij”, njoftoi Policia.
Kujtojmë që më herët, Shima është thirrur për t’u pyetur në SPAK në lidhje me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Kush është Daniel Shima?
Daniel Shima ka mbajtur për disa vite postin e numrit 2 të AKSHI-t, drejtpërdrejt pas drejtoreshës së institucionit, Mirlinda Karçanaj.
Ai u shkarkua në mars 2024, pikërisht ditën kur Karçanaj u thirr për disa orë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Pas daljes nga SPAK, Karçanaj është rikthyer në zyrë dhe ka firmosur shkarkimin e tij.
Ndaj Shimës janë bërë akuza publike gjatë kohës që ishte në detyrë në lidhje me abuzimet dhe vjedhjet e tenderave të organizuara nga AKSHI, ndërsa një vit më parë u raportua se ai ishte marrë nën mbrojtje nga Garda e Republikës, me vendim të posaçëm, për shkak të një rreziku të konstatuar nga institucionet ligjzbatuese.
Megjithatë, nuk pati kurrë informacion zyrtar nëse ai ishte realisht i kërcënuar apo përse konsiderohej se i rrezikohej jeta.
Kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme, ja si do të jetë moti sot
Po çfarë deklaronte Ahmetaj për Daniel Shimën?
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj në një intervistë nga arratia në korrik të vitit 2024, foli për një përgjim ambiental të kapur nga SPAK për tendera në vlerën e 43 milionë eurove ose 43 miliardë lekëve, përmes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Sipas Ahmetajt, Daniel Shima është kërcënuar nga Rama që të mbyllë gojës.
“AKSHI është tmerr. Danieli është kërcënuar. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë që të mbylli gojën. Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Le të dalë e të bëjë batuta, jo tha…”,- deklaronte Ahmetaj në atë kohë.
Zhdukja e tij e djeshme hap sërish debat mbi prapaskenat e tenderave me vlerë miliarda lekë në AKSHI dhe përplasjet e mundshme brenda këtij institucioni kyç për menaxhimin e sistemeve shtetërore të teknologjisë dhe informacionit.