Një tjetër zjarr ka përfshirë vendgrumbullimin e mbeturinave në Vlore, duke shkaktuar përhapjen e një reje të dendur tymi mbi qytet. Era dhe temperatura e lartë kanë favorizuar shpërndarjen e tymit në të gjitha lagjet e Vlorës, duke rritur shqetësimin tek banorët.
tymi është i dukshëm me sy të lirë edhe nga zona të largëta të qytetit. Kjo është hera e tretë që mbeturinat në këtë landfill përfshihen nga flakët, çka ka shtuar dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme.
Autoritetet vendore nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar për ngjarjen, ndërsa nuk dihet nëse zjarrfikësit kanë arritur të neutralizojnë plotësisht vatrën e zjarrit.
Banorët e zonës apelojnë për ndërhyrje urgjente dhe për zgjidhje të qëndrueshme, pasi ngjarje të tilla jo vetëm që ndotin rëndë ajrin, por përbëjnë edhe rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik.