Kodi i Ri Penal/ “I mitur” deri në 21 vjeç, hiqen disa vepra penale dhe rritet mbrojtja për viktimat

Pas më shumë se 30 vitesh, Shqipëria miraton një Kod të Ri Penal, i cili sjell ndryshime thelbësore në mënyrën e konceptimit dhe trajtimit të drejtësisë penale në vend. Një ndër risitë më të mëdha është zgjatja e kufirit të moshës për të miturit deri në 21 vjeç, si dhe mbrojtja e posaçme ndaj tyre, qoftë si viktima, qoftë si autorë të veprave penale.

Fokus te mbrojtja dhe rehabilitimi i të miturve

Kodi i ri i jep përparësi reintegrimit dhe rehabilitimit të të rinjve të përfshirë në veprimtari kriminale, duke e vendosur burgimin si masë të fundit. Ndëshkimi për çdo vepër penale kundër të miturve do të jetë më i ashpër, ndërsa vendimmarrja për masat edukuese do të bazohet në faktorë individualë dhe socialë.

Viktimat, më shumë të drejta

Një tjetër shtyllë e rëndësishme e reformës është forcimi i mbrojtjes për viktimat e veprave penale. Kodi i ri parashikon që viktima të ketë të drejtën të ankimojë vendimin gjyqësor që zëvendëson burgimin me një masë alternative apo vendos lirimin me kusht – një mekanizëm shtesë kontrolli ndaj vendimeve të drejtësisë.

Veprat e vjetra, jashtë Kodit

Me këtë reformë, janë hequr disa vepra të vjetruara penale, duke u dhënë fund boshllëqeve dhe paqartësive në praktikë. Kodi sjell përkufizime të reja që mungonin më parë në ligjin shqiptar, çka ndihmon në unifikimin dhe qartësimin e zbatimit të ligjit.

Drejtësia restauruese dhe dënimet alternative

Në Kodin e ri të Procedurës Penale, është futur koncepti i drejtësisë restauruese, me synim riparimin e dëmit ndaj viktimës, si dhe zbutjen e masave ndëshkuese për vepra të lehta, përmes dënimeve alternative ndaj burgimit dhe dënimeve plotësuese.

Kriminalizohen vepra të reja penale

Kodi penal modernizon përbërjen e veprave penale, duke kriminalizuar sjellje të reja dhe të rrezikshme për shoqërinë, si:

  • Terrorizmi kibernetik
  • Trafikimi i armëve (përfshirë armët e printuara 3D)
  • Evazioni fiskal i sofistikuar
  • Krimet kundër mjedisit
  • Numërtimi i rremë i armëve

Gjithashtu, është përcaktuar më saktë përgjegjësia penale për mbajtjen e lëndëve narkotike, duke u bazuar në sasinë dhe llojin e lëndës