Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Panaja, ku një 36-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se dogji një mjet të tonazhit të rëndë të një firme që po kryente punime për rehabilitimin e rrugës së zonës.
Sipas informacioneve paraprake, shtetasi Egli Aliraj, rreth 36 vjeç dhe në gjendje të dehur, ka spërkatur mjetin me lëndë djegëse dhe më pas i ka vënë flakën.
Burime nga policia bëjnë me dije se ai është konfliktuar edhe me disa banorë të fshatit, ndërsa më pas ka marrë një armë gjahu të llojit “çifte” dhe ka qëlluar në ajër.
Pas njoftimit nga banorët, forcat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur neutralizimin dhe arrestimin e 36-vjeçarit.
Për ngjarjen vijojnë hetimet dhe verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.










