Ballina Shqiperia ime Gjerbës,Mallakaster ,fshati pa ujë në vitin 2025: 120 familje mbushin bidonë në...

Gjerbës,Mallakaster ,fshati pa ujë në vitin 2025: 120 familje mbushin bidonë në “Çesmën e Vidhajt” çdo ditë

Gjerbës, Mallakastër — Në një kohë kur furnizimi me ujë të pijshëm duhet të jetë një e drejtë bazike e garantuar për çdo qytetar, banorët e fshatit Gjerbës në Mallakastër vijojnë prej më shumë se 30 vitesh të përballen me mungesën e këtij shërbimi jetik.

“Çesma e Vidhajt” mbetet i vetmi burim uji për 120 familjet e këtij fshati, edhe pse zona është e rrethuar nga burime natyrore dhe rezervate uji. Pavarësisht dy investimeve madhore ndër vite që kanë mundësuar shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në çdo shtëpi, rubinetat në banesat e banorëve vijojnë të jenë të thatë.

“Jemi të detyruar të mbushim ujë me bidona në burim, dy kilometra larg. Dikush me hajvan, dikush me makinë, çdo ditë zëmë radhë që në mëngjes. Ky është rituali ynë i përditshëm, dy ose tri herë në ditë,” thonë banorët e revoltuar, të lodhur nga pritjet dhe premtimet e pambajtura.

85-vjeçarja Azyre Jaupaj, që jeton në fshat që prej moshës 16-vjeçare, kujton me dhimbje vitet e jetës të kaluara me bidonë në sup. “Nuk kam parë ditë të bardhë. Nga rubineti s’ka dalë asnjë pikë ujë,” shprehet ajo me trishtim.

Edhe kryeplaku i fshatit, Xhafo Murataj, e konsideron situatën të papranueshme për vitin 2025: “Jemi në shekullin e XXI dhe nuk kemi ujë në shtëpi. Është e turpshme dhe e patolerueshme.”

Banorët shtojnë se puset në zonë janë jashtë funksionit për shkak të thatësirës së zgjatur, ndërsa kërkesat e tyre të përsëritura kanë hasur në indiferencën e autoriteteve. Por mungesa e ujit është vetëm një nga plagët që rëndojnë jetesën në Gjerbës: rrugë të paasfaltuara, mungesë e energjisë elektrike, dhe mungesë e infrastrukturës vaditëse për bujqësinë.

“Të jetosh këtu është si të jesh i dënuar. As ujë, as drita, as rrugë. Gjerbësi është i braktisur dhe i harruar nga të gjithë,” thonë banorët në një apel të përbashkët për ndihmë.

Nga autoritetet vendore e deri te ato qëndrore, kërkohet reagim urgjent për të kthyer vëmendjen nga fshati që ka mbetur në mëshirën e fatit. Banorët e Gjerbësit nuk kërkojnë luks – ata kërkojnë vetëm të jetojnë me dinjitet