Një kurorë me lule, simbol i qartë kërcënimi, është lënë në portën e banesës së prindërve të Emiljano Nikës, drejtor i IKMT-së Shkodër. Ngjarja është regjistruar në fshatin Sektor të Velipojës dhe është denoncuar menjëherë në polici.
Nika është një nga zyrtarët që ka drejtuar aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit një operacion që ka hasur kundërshtime të forta nga banorët e zonës.
Sipas Policisë: “Më datë 18.07.2025, shtetasi E. N., 44 vjeç, banues në Shkodër, ka kallëzuar se në banesën ku jetojnë prindërit e tij, në fshatin Sektor, Velipojë, është vendosur një kurorë me lule mbi kangjellat e portës. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit.”
Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.
Nika është përballur edhe më parë me kërcënime për shkak të funksionit të tij si drejtues i ndërhyrjeve kundër ndërtimeve të paligjshme. Policia po heton për zbardhjen e plotë të rastit dhe garantimin e sigurisë së tij dhe familjes.