Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se është drejt finalizimit drafti për çmimet e reja të referencës për vlerën e pronave.
“Jemi drejt finalizimit të çmimeve të reja të referencës për pronat. Vlera e pronave është rritur me 26%, gjë e cila do të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e të ardhurave për njësitë e vetëqeverisjes vendore”, tha ministri Malaj, gjatë takimit me përfaqësues të pushtetit vendor, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe anëtarët të tjerë të qeverisë.
Ai theksoi se taksa mbi pronën është një nga taksat kryesore në të gjitha bashkitë e vendeve europiane dhe duhet të marrë të njëjtën peshë dhe rëndësi edhe për bashkitë në Shqipëri.
Në të njëjtën kohë me ndryshimin e çmimeve të referencës, Ministria e Financave do të bëjë edhe rivlerësimin e pronave me një normë tatimore të reduktuar.
“Ky mekanizëm do t’u japë mundësi qytetarëve që krahas vlerës së re të pronës së tyre, të bëjnë edhe rivlerësimin real të pasurisë që zotërojnë aktualisht”, u shpreh Malaj.
Sipas tij, ky proces do të ndihmojë jo vetëm në krijimin e një sistemi më të drejtë dhe të saktë të taksimit të pronës, por edhe në forcimin e financave vendore në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë.
DETYRIMET E BASHKIVE
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se bashkitë që përballen me vështirësi financiare duhet të hartojnë dhe miratojnë planet e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura deri më 20 korrik.
Sipas tij, çdo plan duhet të miratohet në këshillin bashkiak përkatës dhe më pas të dorëzohet pranë Ministrisë së Financave.
Më tej, Ministria do të ndjekë zbatimin e shlyerjes së detyrimeve brenda një afati 12-mujor.