Ballina Shqiperia ime Qeveria, aksionere në resortin luksoz të Sazanit

Qeveria, aksionere në resortin luksoz të Sazanit

Shteti shqiptar do të jetë pjesëmarrës aktiv në projektin gjigant turistik që pritet të ngrihet në ishullin e Sazanit. Një kompani e re me emrin “Albania State Development & Real Estate” është krijuar për të përfaqësuar interesat e shtetit në këtë nismë dhe është regjistruar zyrtarisht më 26 qershor në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Sipas të dhënave të regjistrimit, kjo shoqëri do të ketë për detyrë menaxhimin dhe zhvillimin e pronave shtetërore, me synimin për të rritur vlerën e tyre dhe për t’i përdorur në mënyrë efikase. Një nga funksionet kryesore do të jetë pjesëmarrja në projekte strategjike si “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit”, por edhe në çdo projekt tjetër që do t’i besohet nga autoritetet shtetërore. Gjithashtu, kompania do të ketë mandat për të projektuar dhe zbatuar ndërtime me ndikim në zhvillimin urban, si dhe për të mbikëqyrur zbatimin e kontratave të lidhura me projektin.

Shoqëria është në pronësi të plotë të Korporatës së Investimeve Shqiptare (AIC), që zotëron kapitalin fillestar prej 50 milionë lekësh. Drejtimin e kompanisë do ta marrë Julian Adili, aktualisht një nga drejtuesit e lartë në strukturën ligjore të AIC-së.

Ndërkohë, kompania amerikane e lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, është shpallur investitor strategjik për këtë projekt që daton nga një vendim i qeverisë më 30 dhjetor 2024. Investimi parashikohet të arrijë vlerën e 1.4 miliardë eurove, dhe do të shtrihet në rreth 45 hektarë, që përbëjnë afro 8% të sipërfaqes së ishullit.

Ky projekt parashikohet të përfshijë një marinë moderne, një kompleks rezidencial luksoz, njësi akomoduese me standarde të larta, si dhe hapësira gastronomike dhe rekreative. Ndër efektet pozitive që priten nga ky zhvillim është edhe punësimi i më shumë se 1,000 personave gjatë dhe pas ndërtimit të resortit.

Qeveria, aksionere në resortin luksoz të Sazanit - Regjistrohet
Qeveria, aksionere në resortin luksoz të Sazanit - Regjistrohet