Ditën e sotme në Gjykatën e Fierit do të zhvillohet seanca për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili kërkon lirinë me kusht.
Argumenti kryesor i Salianjit për lirimin e tij, është se ai ka shlyer pjesën më të madhe të dënimit të tij
Kujtojmë se kjo është tentativa e disatë e Salianjit për t’u liruar nga burgu. Në mars të këtij viti, Gjykata e Lartë i rrëzoi rekursin e demokratit, i cili kërkonte rrëzimin e vendimit të 27 shtatorit 2024 dhe fitimin e lirisë.
Ai u dënua nga Gjykata e Tiranës për kallëzim të rremë në lidhje me një denoncim ndaj vëllait të ish-ministrit socialist Fatmir Xhafaj.
Bëhet fjalë për rastin që u njoh publikisht si “Babalja”, ku pretendohej se vëllai i Xhafajt ishte i përfshirë në trafikun e drogës.
Nga hetimet rezultoi se e gjitha ishte një material i montuar, dhe biseda me dëshmitarët e rremë ishte e tëra e simuluar për të ngarkuar vëllain e ish-ministrit.
Për këtë arsye, Salianji u dënua me një vit burg.