Një i dënuar për veprën penale “vrasje me dashje” ka ndërruar jetë këtë të diel në ambientet e QSUT-së.
Sipas njoftimit zyrtar të autoriteteve të burgjeve, viktima është shtetasi A.B., 72 vjeç, lindur dhe banues në Fier, i cili ka humbur jetën rreth orës 12:20.
I dënuari ishte transferuar më herët në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Lezhë, ku vuante masë mjekimi të detyruar. Më pas, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ai u dërgua fillimisht në Spitalin Rajonal të Lezhës dhe më tej në QSUT për trajtim të specializuar.
Sipas mjekëve, dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë arresti kardiak. Autoritetet kanë bërë me dije se rrethanat e plota të ngjarjes po dokumentohen.










