70 aplikime për parqe eolike në Shqipëri, projekte edhe në Fier dhe Lushnjë

Edhe pse Shqipëria ende nuk ka centrale eolike në operim, interesi për investime në energjinë e erës po rritet ndjeshëm. Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) tregojnë se aktualisht janë regjistruar 70 aplikime për ndërtimin e parqeve me erë, ndërsa potenciali energjetik i vendit në këtë sektor konsiderohet i lartë.

Sipas informacioneve nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, deri në fund të vitit 2025 janë nënshkruar shtatë kontrata për projekte të prodhimit të energjisë nga era, të cilat ndodhen në fazë studimi. Paralelisht, AKBN ka përfunduar shqyrtimin teknik për pesë projekte të tjera që po ndjekin procedurat për pajisjen me leje ndërtimi.

Një raport i publikuar nga ky institucion vlerëson se Shqipëria ka kushte të favorshme për zhvillimin e energjisë eolike, pasi në disa zona shpejtësia e erës tejkalon 8 deri në 9 metra në sekondë. Zonat më premtuese identifikohen përgjatë vijës bregdetare dhe në kreshtat malore, veçanërisht në jug të vendit.

Mes zonave me potencial më të lartë për zhvillimin e parqeve me erë përmenden Shkodra, Kukësi, Lezha, Durrësi, Kavaja, Fieri, Karavastaja, Vlora, Saranda, Korça dhe Tepelena.

Raporti thekson se shpejtësia mesatare vjetore e erës në territorin shqiptar varion nga 3.3 deri në 9.6 metra në sekondë, ndërsa zonat më të përshtatshme për prodhim energjie regjistrojnë mesatare nga 5.8 deri në 7 m/s.

Sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjive të Rinovueshme (IRENA), Shqipëria ka potencial konkurrues për zhvillimin e energjisë së erës deri në 7,400 MW. Ndërkohë, skenari i tranzicionit energjetik parashikon që deri në vitin 2030 vendi të arrijë një kapacitet të instaluar prej 616 MW energji eolike.