Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 45 vatra zjarri, nga të cilat 12 vijojnë të jenë aktive, ndërsa një tjetër është në monitorim.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 72 automjete zjarrfikëse dhe 839 forca operacionale, ndërsa në mbështetje të tyre janë përfshirë 250 efektivë të Forcave të Armatosura, pesë helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”. Aktualisht në terren vijojnë operacionet me 167 efektivë të FA-së, tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.
Në Dajt, pranë fabrikës së ujit Selita dhe mbi tunelet e Qafë-Mollës, vijon ndërhyrja për shuarjen e zjarrit në pyllin me pisha. Operacioni po zhvillohet nga forcat e MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga dy helikopterë të Forcës Ajrore. Autoritetet deklarojnë se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Priskë të Madhe, flakët janë shtrirë në drejtim të Gurrës, Farkës dhe Lundrës. Forcat tokësore vijojnë ndërhyrjen, ndërsa operacioni mbështetet edhe nga ajri.
Një tjetër vatër aktive është ajo në Drenie–Lofkënd–Ngracie, në zonën Patos–Mallakastër. Në operacion janë angazhuar forcat zjarrfikëse, strukturat vendore dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në terren ndodhen edhe tre automjete zjarrfikëse, 15 efektivë dhe 25 forca bashkiake.
Në Krujë, zjarri në lagjen Abaze mbetet aktiv. Ndërhyrja po mbështetet nga Forcat e Armatosura dhe mjetet ajrore, ndërsa prioritet është mbrojtja e zonave të banuara. Operacione vijojnë edhe në Krastë dhe Halil, ku aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Përmet vijojnë ndërhyrjet në malin e Nëmerçkës, mbi Biovizhdë, dhe në malin Dhëmbel, mbi Badilonjë. Terreni i vështirë malor po e komplikon operacionin, por sipas autoriteteve nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Gurë-Lurë të Dibrës po zhvillohet një operacion i gjerë nga toka dhe ajri, me pjesëmarrjen e strukturave të emergjencave, forcave vendore, Policisë, shërbimit pyjor, ADZM-së dhe 50 efektivëve të FA-së, të mbështetur nga dy avionë “Air Tractor”.
Ndërkohë, operacione vijojnë edhe në malin e Moravës në Devoll, Mirditë dhe Vau të Dejës. Në Vilëz të Kurbinit, vatra është kaluar në monitorim pas ndërhyrjes së forcave tokësore dhe një helikopteri të Forcave të Armatosura.
AKMC dhe strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në të gjithë vendin, me fokus mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe banesave, si dhe izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive.










