Shoqëritë e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës do të përfitojnë kompensim financiar në masën 50 lekë për litër karburanti për konsumin e realizuar gjatë periudhës mars–maj 2026.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se kjo masë zbatohet në përputhje me një vendim të Këshillit të Ministrave dhe synon të lehtësojë kostot e operatorëve të transportit publik. Fondi i vënë në dispozicion për këtë skemë arrin në 250 milionë lekë.
Tatimet u kanë bërë thirrje të gjitha subjekteve që plotësojnë kriteret të aplikojnë pranë Drejtorive Rajonale Tatimore përkatëse, brenda afateve të përcaktuara. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesave është 1 gushti 2026.
Ndërkohë, sektori i transportit publik përballet edhe me detyrimin për instalimin e pajisjeve POS për pagesat me kartë bankare. Shoqatat e transportit urban dhe ndërqytetës kanë kërkuar shtyrje të afatit, ndërsa mbetet ende e paqartë mënyra e përballimit të komisioneve bankare, të cilat sipas operatorëve mund të sjellin rritje të kostos së biletës për pasagjerët që paguajnë me kartë.










