10 milionë euro për fermerët, mbi 4 mijë aplikime për kompensimin 10%

Rreth 10 milionë euro pritet të kalojnë në llogaritë bankare të fermerëve në kuadër të skemës së kompensimit prej 10% për faturat e shitjeve të dorëzuara në administratën tatimore.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nga 1 korriku deri më 31 gusht 2026 janë regjistruar 4,104 aplikime online. Prej tyre, 2,906 janë miratuar, ndërsa 1,016 kërkesa vijojnë të jenë në proces shqyrtimi. Shuma e kompensimeve të miratuara dhe të llogaritura deri tani arrin në rreth 10 milionë euro.

Fieri kryeson listën për numrin e aplikimeve, i ndjekur nga Berati, Elbasani dhe Shkodra. Më pas renditen Korça, Dibra, Durrësi, Gjirokastra, Saranda, Lezha, ndërsa numri më i ulët i aplikimeve raportohet në Vlorë dhe Tiranë.

Ndërkohë, vlera totale potenciale e kompensimit për shitjet e realizuara gjatë 6-mujorit të parë të vitit vlerësohet në rreth 13.8 milionë euro.

Administrata Tatimore u ka bërë thirrje fermerëve të regjistruar që të aplikojnë për përfitimin e shumës që u takon. Për të përfituar nga skema, fermerët duhet të jenë të regjistruar si prodhues bujqësorë pranë administratës tatimore, të mos jenë të regjistruar në TVSH dhe të kenë NIPT aktiv.

Procedura kryhet online përmes llogarisë personale në eFiling. Fermeri duhet të plotësojë të dhënat bankare, të përzgjedhë faturat që do të përfshijë në kërkesë dhe të dorëzojë aplikimin. Sistemi llogarit automatikisht vlerën totale të faturave dhe kompensimin prej 10%.

Pas dorëzimit, kërkesa i kalon Drejtorisë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar fermeri, ku kryhet verifikimi sipas kritereve ligjore. Në përfundim, aplikimi shfaqet si “Aprovuar” ose “Refuzuar” në rubrikën “Të dorëzuara”.

Të dhënat e administratës tatimore tregojnë gjithashtu rritje të aktivitetit të fermerëve me blerës të regjistruar në TVSH. Gjatë pesë muajve të parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2025-ës, numri i blerësve me TVSH që blejnë produkte nga fermerët është rritur me 25%, ndërsa numri i fermerëve që shesin produktet e tyre tek këta blerës është rritur me 24%. Vlera e transaksioneve ka shënuar një rritje prej 19%.