Tjetër park fotovoltaik në Sheq Marinas-Fier

Tjetër park fotovoltaik në Sheq Marinas-Fier

183
SHPËRNDAJE

Aplikimet për projekte impiantesh forovoltaike në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë vijuar edhe gjatë marsit.

Në një publikim të datës 11 mars, MIE bëri të ditur se një tjetër subjekt ka kërkuar që të marrë miratimin për një impiant me fuqi të instaluar 21MW.

“Në bazë të Nenit 15 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni” i ndryshuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton si më poshtë: Shoqëria “PROSOL” SH.P.K. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 21 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në fshatin Sheq Marinas, Bashkia Fier, Qarku Fier” thuhet në publikimin e MIE.

Kjo do të thotë se projekti, nëse miratohet, nuk i garantohet blerja e energjisë nga shteti por do ta shesë atë në treg të lirë ndërkohë që përfitimi i shtetit në këtë rast është një sasi fikse energjie që përcaktohet në kontratë si “tarifë konceisonare” dhe që mund të paguhet edhe në lekë në një vlerë të barazvlefshme.

Interesi për energjinë diellore vijon të mbetet i lartë globalisht, nxitur nga politikat për tranzicionin e gjelbër. Për Shqipërinë kjo shpërfaqje më e theksuar këto kohë ka të bëjë me faktin që projektet që po dalin në skenë tani janë të ideuar gjatë periudhës së krizës kulmi i së cilës ishte në vitin 2022.

Më herët në janar dhe shkurt pranë MIE u paraqitën dhjetë aplikime për impiante fotovoltaikë me kapacitet të instaluar që varionte nga 25 -100 MW, të cilat në total përbëjnë 383 MW.

Aplikimet publikohen në faqen e ministrisë për të pritur komentet nga palë të treta ndërkohë që më pas merren në shqyrtim për të dhënë ose jo miratimin final. Aktualisht qeveria ka hapur nga 15 janari ankandin për dhënien e një kapaciteti 300 MW në fotovoltaikë të cilësuar hibridë.

Ofertuesit kanë afat deri më 17 maj të dorëzojnë ofertat e tyre teknike dhe financiare. Çmimi maksimal i pranueshëm në këtë ankand do të jetë 59.97 euro për MWh, ndërsa fituesi do të shpallet më 10 korrik të këtij viti.

Këto ankande cilësohen si hibride, pasi shteti shqiptar është i gatshëm për të blerë energjinë e prodhuar nga këto impiante për një afat të përcaktuar, në këtë rast 15 vite, por pa angazhuar asete të tjera. Çka do të thotë që tokën dhe elementë të tjerë investitorët duhet të sigurojnë dhe negociojnë vetë. Monitor

S'KA KOMENTE