Balluku: Rriten me 30% pagat për punonjësit e OSHEE, elektriçistët do të përfitojnë mbi 70 mijë lekë

Të gjithë punonjësit e kopanisë OSHEE Group do të përfitojnë rritje pagash duke nisur nga ky muaj. Në fokus të këtij vendimi janë kryesisht punonjësit e terrenit duke nisur me elektriçistët e faturistët, por edhe kategoritë e tjera.

Vendimin e ka bërë të ditur Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila theksoi se rritja prek të gjithë punonjësit e OSHEE dhe vjen në kuadër të vendimit që ka marrë Qeveria Shqiptare për rritjen e pagave në administratën publike.

“Të gjitha pagat e OSHEE Grup do të afektohen nga një rritje e cila varion sipas sektorëve, pasi vëmendja jonë kryesore dhe e gjithë puna që kemi bërë me administratorin brenda Ministrisë, ka qenë për ti dhënë një shpërblim të merituar punonjësve të terrenit. Atyre që mbajnë peshën kryesore të rrjetit duke filluar nga elektriçistët, teknikët, inxhinierët dhe pse jo faturistët”, bëri të ditur Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke marrë për krahasim pagën e një elektricisti sot, me rritjen e re paga e tij do të shkojë nga 50 mijë në 70 mijë ndërsa kësaj shume do ti shtohet për herë të parë edhe koefiçienti i vjetërsisë në punë.

“Paga e elektricistit që deri më sot ka qenë rreth 50 mijë lekë, shkon në 70 mijë lekë, ashtu siç administratori tha, kini parasysh që do të aplikohet për herë të parë edhe vjetërsia në punë, duke u bazuar mbi atë skemë që tashmë është aplikuar edhe në administratën publike. 0.6% është llogaritja e vjetërsisë së punës për 10 vitet e para, 0.8% nga viti 10 deri në vitin e 20 dhe 1% për 10 vitet e treta në punë”, shtoi Balluku.

Sot ndodhemi në kushte dhe në parametra të tjerë, vijoi Balluku, duke shtuar se sot, kur mbledhja e të ardhurave ka arritur një shifër rekord edhe investimet do të jenë në një nivel tjetër.

“Shoqëria sot ka nisur një plan investimesh prej rreth 40 milionë eurosh. Nga ana tjetër, sot që flasim janë lidhur kontratat për të gjitha ato punime të cilat arrijnë një vlerë rreth 15 milionë euro. Kjo është çka tregon se tashmë po futemi në një fazë të re. Po futemi në një fazë të rëndësishme e cila ka të bëjë me investime të qenësishme në fushën e shpërndarjes të energjisë elektrike”, nënvizoi më tej ministrja.

Administratori i OSHEE, Enea Karakaçi, si dhe drejtori i OSSH, Blendian Dalipaj sqaruan se kjo rritje vjen si rezultat i përmirësimit të performancës së kompanisë. Pak ditë më parë, OSHEE hapi aplikimet për 309 poste të rinj elektriçistësh duke ju bërë ftesë të rinjve që ti bashkohen kompanisë. Deri më tani kanë aplikuar pranë drejtorive rajonale afro 270 të rinj.

U sulmua nga një qen pitbull pak ditë më parë, ndërron jetë i moshuari 

I moshuari nga Durrësi që u sulmua pak ditë më parë nga një qen pitbull ka ndërruar jetë në spital. Gazetari Leonidha Musaj raporton se 84 vjeçari Halil Basha kishte marrë plagë të shumta në pjesë të ndryshme të trupit dhe në kokë. Ngjarja u regjistrua pasditen e së enjtes në lagjen nr. 13.

Sakaq, në pranga ra edhe pronari i qenit, ndaj të cilit rëndon vepra penale “Braktisja e kafshës të shoqërimit”. Mësohet se 44 vjeçari Armand Lala e mbante pitbullin në shtëpi por në një moment pakujdesie qeni ka mundur të shpëtojë dhe të dalë në rrugët e qytetit ku edhe ka sulmuar të moshuarin

Gjykata e Durrësit ka vendosur si masë sigurie ‘arrest me burg’ për shtetasin Armand Lala, pronari i qenit Pit-bull që sulmoi 84-vjeçarin Halil Basha.

Gjyqtari Rexhep Bekteshi pranoi kërkesën e prokurorisë që të vlerësohej i ligjshëm arrestimi i tij në flagrancë dhe vendosi si masë shteruese për të ‘arrest me burg’.

Kujtojmë që 84-vjeçari që u sulmua nga qeni ditën e enjte datë 2 nëntor, ndërroi jetë mëngjesin e së hënës së spitalin e Durrësit

Plagoset me thike shqiptari  në Greqi,transportohet me urgjencë në spital

Një 40-vjeçar shqiptar është dërguar në spitalin “Papageorgiou” i plagosur me thikë në kokë dhe në bark, pas një sulmi në Selanik.

Sipas burimeve policore, autori dyshohet të jetë një bashkatdhetar. Viktima është goditur dy herë me thikë në kokë dhe dy herë në bark dhe është dashur t’i nënshtrohet një operacioni për të stabilizuar shëndetin e tij.

Policia greke ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Nuk u lejuan të futen nga dera, deputetët e Berishës ngjiten nga dritarja

Deputetët e opozitës, të cilat janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit për disa ditë, nuk u lejuan të futen brenda godinës së kryesisë. Kjo shkaktoi tensione me gardën që bllokuan derën për të mos lejuar hyrjen e tyre. Deputeti Flamur Noka arriti të kapërcente kangjellat dhe të futej brenda kryesisë.

Mesohet se ata do të mbanin një mbledhje të grupit të tyre parlamentar, të parashikuar në orën 10:15. Siç shihet edhe nga pamjet, deputetët e Berishës arritën që të futeshin në ambientet e brendshme të Kuvendit duke u ngjitur në dritare.

“Deri më tani janë zhvilluar në këtë godinë pothuajse të gjitha mbledhjet e grupit të PD-së, në katin e katërt por sot ka një vendim të tyre për ta zhvilluar në sallën e tyre të mbledhjeve të grupit. Por sot, Garda është e urdhëruar që të mos lejojë deputetët që të futën, bëhet fjalë për të përjashtuarit.

Salianji përplaset me gardistët në Kryesinë e Kuvendit

Tensione para ambienteve të Kryesisë së Kuvendit, ku deputetë të opozitës janë përplasur me gardistët.

Deputeti demokrat, Ervin Salianji ka paralajmëruar gardistët që të mos guxojnë që ta prekin.

“Të afrohet njeri të më prekë me dorë e ta shohë. Të afrohet njeri të më prekë, guxo. Hajdutë, pisa. Juntë është kjo? Çfarë janë këta, gangsterë, gangsterë jeni ju, siç mbani pushtetin? Private e keni këtë? Le ta bëjnë shtëpi, le të mblidhen në shtëpi rehat. Do bëni luftë me të shtyrë? Private e keni këtë?”, tha Salianji.

Kryesia ka vendosur që deputetët opozitarë, të përjashtuar për disa ditë lidhur me dhunën e ushtruar në seancën plenare të javës së kaluar, që ata të mos lejohen të futen brenda në godinë.

Ndërkaq, deputeti Flamur Noka ka kaluar kangjellat për të hyrë brenda ambienteve të kryesisë

Deputetët e opozitës tentojnë të hyjnë në Kryesine e Kuvendit. Pengohen nga Garda

Tensione para Kryesisë së Kuvendit. Tetë deputetë të opozitës kanë tentuar që të hyjnë në godinë, por janë penguar nga Garda. 

Siç shihen nga pamjet e transmetuara live nga News24, deputeti i PD-së, Ervin Salianji, Noka, Gështenja, Nallbati, që nuk janë lejuar që të hyjnë në Kryesi, ku do të mbahen edhe mbledhja e grupit parlamentar të PD-së, e thirrur nga Gazment Bardhi.

Deputeti i PD, Nallbati në SPAK: S’kam qëlluar njeri! 

Deputeti i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati ka shkuar sot në SPAK. 

Pas daljes së tij nga SPAK, Nallbati tha për mediat se nuk kishte qëlluar asnjë person. “Nuk kam qëlluar njeri, më tërhoqi dhe e tërhoqa. Në parlament ndodhin gjëra më të turpshme se kaq. Në parlament po vidhen çdo ditë qytetarët”, tha ai.

Nallbati është kallëzuar nga Partia Socialistë për dhunë ndaj deputetit Vullnet Sinaj, pasi u konfliktua me të në Kuvend.

Këmbimi valutor/ Cfare po ndodh me monedhat e huaja?!

Në tregun valutor shqiptar sot një dollar amerikan do blihet me 97.5 lekë dhe do shitet me 98.7 lekë.

Monedha evropiane do të blihet me 104.7 lekë dhe do të shitet me 105.4 lekë.

Ndërkohë franga zvicerane do të blihet me 108 lekë dhe do të shitet me 109.5 lekë. Ndërsa paundi britanik do të blihet me 120 lekë dhe do të shitet me 121.2 lekë.