Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të mërkurë në fshatin Domen, në Shkodër, ku një zjarr ka përfshirë një banesë, duke shkaktuar humbjen e jetës së tre personave.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 13:10, flakët kanë përfshirë banesën në pronësi të shtetasit B. Ç. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe forcat zjarrfikëse.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën shtetasja B. Ç., 24 vjeçe, si dhe dy fëmijë të mitur, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit dhe për të dokumentuar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.










