Vatra e zjarrit në fshatin Rriban, në Bashkinë Mallakastër, është përhapur ndjeshëm gjatë natës, duke e bërë situatën kritike dhe duke rritur rrezikun që flakët të depërtojnë në masivin pyjor të fshatit Lofkënd.
Sipas autoriteteve, forcat e angazhuara në terren po operojnë në dy drejtime kryesore, në Rriban dhe Lofkënd, me synimin për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të mbrojtur sipërfaqet pyjore.
Në operacion janë angazhuar pesë mjete zjarrfikëse nga Mallakastra, Fieri, Roskoveci, Berati dhe Kuçova, 30 efektivë të shërbimit zjarrfikës, 35 punonjës të Bashkisë, si dhe dy autobote me ujë. Gjithashtu, pritet që operacionit t’i bashkohen edhe 35–40 trupa të Forcave të Armatosura.
Autoritetet theksojnë se terreni i vështirë, bimësia e dendur, shtrirja e madhe e vatrës dhe intensiteti i lartë i flakëve e kanë bërë shumë të vështirë neutralizimin e zjarrit vetëm me forcat tokësore.
Për këtë arsye, është vlerësuar si e domosdoshme ndërhyrja nga ajri, me qëllim izolimin e vatrës aktive dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve drejt masivit pyjor të Lofkëndit.










