Ballina Shqiperia ime Zjarri në Pishë Poro të Fierit vijon të riaktivizohet për shkak të...

Zjarri në Pishë Poro të Fierit vijon të riaktivizohet për shkak të erës së fortë

Vatrat e zjarrit në masivin pyjor Pishë- Poro- Darëzezë, vijojnë të riaktivizohen herë pas here për shkak të erës së fortë e cila ka përhapur flakët në të gjitha drejtimet. Në terren për neutralizimin e tyre janë duke punuar të gjitha forcat operacionale, të cilat patën përforcime nga bashki të tjera pas thirrjes së ministrit të brendshëm Taulant Balla i cili zbriti në terren mesditën e sotme për të monitoruar nga afër situatën.

Janë 10 zjarrfikëse nga qarqe të tjera të cilat kanë mbërritur gjatë orëve të pasdites për t’iu bashkuar aksionit për shuarjen e vatrave të zjarrit së bashku me 50 efektivë zjarrfikës të repartit të Poshnjes, punonjës të ADZM, forcave mbështetëse të bashkisë dhe buldozerëve të cilët po punojnë për hapjen e korridoreve në masivin pyjor.

E ndërkohë që situata paraqitet kaotike, pritet ndërhyrje nga ajri, si zgjidhja e vetme dhe përfundimtare e fikjes së zjarrit 6- ditor i cili ka djegur një sipërfaqe prej më shumë se 500 ha.