Shumicë eurosh, raporti i mbulimit të borxhit 333.8% 

Shumicë eurosh, raporti i mbulimit të borxhit 333.8% 

33
SHPËRNDAJE

Si kurrë më parë, për shkak të mbiccmimit të lekut, si dhe rezervave shumë të larta valutore, Qeveria po i gëzohet parametrave shumë të mirë të shërbimit të borxhit të jashtëm. Treguesit e aftësisë ripaguese afatgjatë të borxhit të jashtëm kanë vijuar të përmirësohen ndjeshëm edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2023. Rritja e eksporteve dhe të ardhurave fiskale ka qenë faktori kryesor në këtë ecuri. Kështu, raporti ndërmjet borxhit të jashtëm bruto dhe eksportit vjetor të mallrave dhe shërbimeve vlerësohet në 115.1%, nga niveli 136.8% një vit më parë.

Gjithashtu, raporti i borxhit të jashtëm ndaj të ardhurave fiskale u pakësua në 183.0% nga 213.9% një vit më parë. Raporti i stokut të borxhit të qeverisë ndaj të ardhurave fiskale u ul në 91.7% nga 105.2% një vit më parë.

Ndërkohë që është treguesi i mjaftueshëmrisë së likuiditetit ai që më shumë nga treguesit e tjerë reflekton situatën e favorshme që po përjeton qeveria sa i takon borxhit të jashtëm. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, stoku i rezervës valutore mbulon 333.8% të borxhit të jashtëm afatshkurtër në fund të tremujorit të dytë 2023, duke dëshmuar për mjaftueshmëri në përballimin e detyrimeve afatshkurtra. Raporti mes borxhit afatshkurtër dhe rezervës valutore prej 333.8%, është dukshëm mbi pragun kritik prej 100%.

Stoku i borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë shënoi 10,1 miliardë euro në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2023, me një rritje rreth 3.2%. Zgjerimi është kryesisht nga rritja e borxhit të “Qeverisë së Përgjithshme” në tremujorin e dytë të vitit 2023, kur u emetua Eurobondi. Borxhi i jashtëm vlerësohet në nivelin 52.4% ndaj PBB-së nominale, raport ky rreth 7.9 pikë përqindje më i ulët.

/SCAN

S'KA KOMENTE