Zjarri në Mallakastër, Policia evakuon 15 familje dhe bagëtitë në Riban

Policia e Fierit ka ndërhyrë për evakuimin e 15 familjeve dhe të bagëtive të tyre në fshatin Riban të Mallakastrës, ku një zjarr masiv ka përfshirë sipërfaqe të mëdha me bimësi dhe po rrezikon zonat e banuara.

Në operacion janë angazhuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, Drejtoria Vendore e Policisë Fier, zjarrfikësit, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat e emergjencave civile, me mbështetje nga ajri të një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një avioni Canadair.

Sipas Policisë, evakuimi u krye për të garantuar sigurinë e banorëve dhe të pronës së tyre, ndërsa forcat në terren vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, si dhe për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonës.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe për të identifikuar autorin, nëse rezulton se flakët janë shkaktuar nga veprime të kundërligjshme.

Policia apelon ndaj qytetarëve të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e flakëve mund të rrezikojë jetën, pronën dhe mjedisin, ndërsa fton çdo qytetar të denoncojë rastet e zjarrvënies në numrin 112.