Mallakastër – Zjarret që përfshinë disa zona të Mallakastrës janë vënë nën kontroll në disa drejtime, por situata vijon të monitorohet për shkak të avancimit të flakëve në zona të tjera.
Vatra e zjarrit në Panahor, në kufi me fshatin Cfir, është neutralizuar, ndërsa flakët vijojnë të përhapen në drejtim të Ngraçanit, duke mbajtur në gatishmëri forcat e emergjencës.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, bëri me dije se zjarri është vënë nën kontroll dhe se operacioni vijon me angazhimin e mbi 120 forcave në terren.
Ndërhyrja nga ajri po vijon me dy helikopterë, të cilët po hedhin ujë në zonat më problematike për të frenuar përhapjen e flakëve.
Forcat zjarrfikëse, strukturat vendore, Forcat e Armatosura dhe ekipet e emergjencave po vijojnë punën për izolimin përfundimtar të vatrave dhe parandalimin e riaktivizimit të zjarrit.










