Zjarr pranë fshatit Vanaj në Libofshë, zjarrfikësit në terren për shuarjen e flakëve

Një zjarr ka rënë mesditën e kësaj të hëne pranë fshatit Vanaj, në njësinë administrative Libofshë, duke përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe pemë.

Sipas informacioneve nga vendngjarja, menjëherë pas njoftimit kanë ndërhyrë forcat e shërbimit zjarrfikës, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e plotë të flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së tyre në zona të tjera.

Operacioni është ende në vijim, ndërsa deri në këto momente nuk raportohet për rrezik ndaj banesave apo për persona të lënduar.

Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet të zbardhen pas përfundimit të ndërhyrjes së autoriteteve.