Zjarr në pyllin e Semanit, flakët përparojnë drejt masivit me pisha

Një zjarr masiv ka përfshirë pyllin e Semanit, pranë grykëderdhjes së lumit Seman, ku aktualisht raportohen dy vatra aktive në anën veriore të lumit.

Flakët, të favorizuara nga era e fortë, po përparojnë drejt masivit pyjor me pisha, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen për izolimin e tyre.

Në terren kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Fierit, të cilat po punojnë për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të shmangur përfshirjen e masivit me pisha. Zjarret në pyllin e Semanit janë raportuar edhe në vite të mëparshme, me raste të dëmtimit të sipërfaqeve me pisha.