Zjarr në dy banesa në Berat, flakët rrezikuan një monument kulture; dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

Një zjarr ka përfshirë këtë të shtunë dy banesa të pabanuara në lagjen “Çlirim” të qytetit të Beratit, duke rrezikuar edhe një banesë monument kulture.

Sipas informacioneve nga vendngjarja, flakët kanë nisur fillimisht në bahçet e dy shtëpive dhe më pas janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era.

Banorët kanë njoftuar menjëherë shërbimin zjarrfikës, i cili ka ndërhyrë me tre mjete, ndërsa në mbështetje kanë mbërritur edhe forca të shumta policie.

Zjarri u përhap drejt çatisë së një shtëpie monument kulture, por falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve flakët u lokalizuan dhe u shuan, duke shmangur dëme më të mëdha.

Pranë vatrës së zjarrit ndodhej edhe një automjet tip “Ford”, i cili pësoi dëmtime në pjesën e përparme, por u largua në kohë nga zona.

Forcat zjarrfikëse vijojnë të monitorojnë terrenin për të parandaluar riaktivizimin e vatrave, ndërsa sipas burimeve në vendngjarje, dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm.