Prokuroria e Korçës ka ngritur katër akuza ndaj shtetasit V.B., i dyshuar për vrasjen e një punonjësi policie dhe plagosjen e një tjetri gjatë operacionit për kapjen e tij në Malin e Bodesë.
Me kërkesë të organit të akuzës, Gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për V.B., i cili akuzohet për “Vrasjen e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Vrasjen e punonjësve të Policisë së Shtetit” të mbetur në tentativë, si dhe për mbajtje pa leje armësh dhe municionesh.
Sipas Prokurorisë, gjatë operacionit të zhvilluar më 4 qershor 2026 për arrestimin e V.B., i cili ishte në kërkim dhe i dënuar më parë për trafik narkotikësh, ai ka qëlluar me armë ndaj forcave të policisë. Si pasojë humbi jetën efektivi E.M., ndërsa u plagos në kokë efektivi E.A.
Hetimet paraprake tregojnë se V.B. vijoi të qëllonte edhe pasi efektivët ishin identifikuar si forca policie dhe po i bënin thirrje për t’u dorëzuar. I dyshuari u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe u arrestua pak metra larg stallave ku qëndronte.
Ndërkohë, Prokuroria njofton se po verifikon edhe mënyrën e organizimit dhe drejtimit të operacionit, pasi ekzistojnë dyshime se mund të jenë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” për zinxhirin drejtues të aksionit.










