Vrasja e 20-vjeçarit portugez në Ksamil, arrestohet autori dhe ndalohet një efektiv policie
Një 20-vjeçar portugez u vra me thikë mëngjesin e sotëm në ambientet e klubit të natës “La Guerre”, pjesë e kompleksit “Principotes” në Ksamil. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:15, pas një konflikti që dyshohet se nisi për një vajzë.
Viktima është identifikuar si Luis Miguel Varela Mendes, i cili kishte mbërritur në Ksamil së bashku me një grup turistësh për të festuar. Sipas të dhënave paraprake, pas konfliktit brenda ambienteve të lokalit, 20-vjeçari është goditur disa herë me mjet prerës dhe ka humbur jetën.
Autori i dyshuar i vrasjes, 29-vjeçari Sokrat Vata, u arrestua rreth pesë orë pas ngjarjes në Fier. Ai ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një vajzë dhe ku ndodhej edhe një person tjetër, të dy shtetas turq.
Ndërkohë, policia ka ndaluar edhe 24-vjeçarin Moisid Matushaj, banues në Gjirokastër, me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër. Ai dyshohet se ka ndihmuar Sokrat Vatën pas kryerjes së vrasjes.
Pas ngjarjes, në kërkim ishte shpallur edhe 36-vjeçari Bekim Bulica, administratori i kompleksit “Principotes”, i cili sipas të dhënave të deritanishme ishte larguar nga vendngjarja dhe ishte nisur drejt Tiranës për t’iu shmangur hetimeve.
Kompleksi “Principotes”, i njohur më herët si “Tortuga Bay”, është themeluar në vitin 2022. Sipas të dhënave të bëra publike, kompleksi është në pronësi të 71-vjeçares Kade Bulica nga Kukësi dhe administrohej nga Bekim Bulica.
Hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të konfliktit, rolin e personave të tjerë dhe rrethanat që çuan në vrasjen e turistit portugez.










