Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka kërkuar masat e sigurimit “Arrest në shtëpi” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për 11 persona të dyshuar për ushtrimin pa licencë të veprimtarive financiare.
Sipas organit të akuzës, hetimet gjashtëmujore të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 47 zbuluan se në gjashtë subjekte tregtare në Berat dhe Kuçovë ushtrohej aktivitet këmbimi valutor pa licencën përkatëse të Bankës së Shqipërisë.
Nën hetim janë shtetasit me inicialet S.T., H.S., M.M., S.H., S.C., A.H., A.S., O.V., Z.M., E.T. dhe K.P. Ata administronin ose punonin në biznese të regjistruara si agjentë për transfertat e parave, përmes shërbimeve UnionNet dhe Western Union, por rezultuan se nuk ishin të licencuar për të kryer aktivitet këmbimi valutor.
Prokuroria bën me dije se, me autorizim të posaçëm, janë kryer 28 veprime të simuluara këmbimi valutor dhe regjistrime të fshehta fotografike e filmike, të cilat kanë dokumentuar ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në kuadër të hetimit u sekuestruan rreth 88 milionë lekë, 118 mijë euro, 7,390 dollarë amerikanë dhe 665 paund britanikë.
Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria i është drejtuar gjykatës me kërkesën për caktimin e masave të sigurimit “Arrest në shtëpi” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personave të përfshirë në këtë procedim penal.










