Çmimet e ushqimeve u rritën më shpejt gjatë korrikut, duke shtuar presionin mbi inflacionin. Sipas të dhënave të INSTAT, ushqimet dhe pijet joalkoolike u shtrenjtuan me 3.5% në bazë vjetore, nga 3% që ishte rritja në qershor.
Ushqimet vijuan të jenë grupi me ndikimin më të madh në inflacionin e përgjithshëm, duke kontribuar me 1.18 pikë përqindje në normën vjetore të inflacionit prej 3.4% në korrik.
Rritja më e fortë u regjistrua te perimet, zhardhokët dhe bishtajoret, çmimet e të cilave u rritën me 10.1% krahasuar me korrikun e një viti më parë. Në qershor, rritja vjetore ishte 8.5%.
Ky është niveli më i lartë dyshifror për këtë kategori që prej janarit 2024, kur rritja vjetore kishte arritur në 16.4%.
Shtrenjtimi i perimeve bie në sy edhe për faktin se korriku përkon me periudhën e furnizimit të lartë nga prodhimi vendas. Paralelisht, gjatë muajve të verës rritet kërkesa për produkte ushqimore nga sektori i hotelerisë, restorantet dhe aktiviteti turistik, duke ushtruar presion shtesë mbi ofertën.
Pas perimeve, rritjen më të lartë e regjistroi peshku dhe produktet e tjera të detit, me 9.4%, nga 9% në qershor.
Edhe mishi vijoi të shtrenjtohej. Mishi i freskët, i ftohur ose i ngrirë kushtoi 4.6% më shumë se një vit më parë, kundrejt rritjes prej 4.2% në qershor.
Rritja e çmimeve u shtri edhe në produkte të tjera të konsumit të përditshëm. Pijet joalkoolike u shtrenjtuan me 3.8%, qumështi, produktet e bulmetit dhe vezët me 3.1%, ndërsa vajrat dhe yndyrnat me 2.6%. Në të tria kategoritë, ritmi i rritjes ishte më i lartë se në qershor.
Nga ana tjetër, frutat e freskëta dhe të thata vijuan të jenë përjashtim, me çmime 3% më të ulëta se në korrikun e vitit të kaluar. Ndërsa rritja e çmimeve të sheqerit, ëmbëlsirave dhe produkteve të pastiçerisë u ngadalësua lehtë, nga 2.5% në qershor në 2.2% në korrik.
Të dhënat tregojnë se inflacioni i ushqimeve po fiton sërish ritëm, ndërsa presioni më i madh vjen nga produktet bazë të konsumit të përditshëm. Perimet janë rasti më i dukshëm, me një rritje vjetore të çmimeve që ka kaluar tashmë nivelin 10%.










