Një konflikt mes disa personave është regjistruar mbrëmjen e së premtes në lagjen nr. 3 të Sarandës, në zonën e njohur si “Ekualipsi”.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, ku disa persona janë përfshirë në një sherr për motive të dobëta. Gjatë konfliktit, ata janë goditur me grushte dhe sende të forta, duke shkaktuar tension në zonë.
Pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forca të Policisë së Sarandës dhe efektivë të FNSH-së. Si rezultat i ndërhyrjes, gjashtë persona janë shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Disa prej të përfshirëve janë paraqitur në spitalin e Sarandës për ndihmë mjekësore, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore nuk raportohet të jetë e rëndë.
Policia po vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të konfliktit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e secilit prej personave të përfshirë.










