U deportua nga SHBA per 3 vr*sje,Sokol Hoxha kërkon lirimin në Gjykatën e Fierit, pretendon se dënimi është parashkruar

Vetëm pak ditë pas kthimit në Shqipëri, Sokol Hoxha ka ndërmarrë hapin e parë ligjor për të kundërshtuar vijimin e qëndrimit të tij në paraburgim. Përmes mbrojtjes, ai i është drejtuar Gjykatës së Fierit me kërkesën që të konstatohet parashkrimi i dënimit penal ndaj tij dhe të urdhërohet lirimi.

Hoxha, i dënuar në Shqipëri për vrasjen e vëllezërve Ilirjan dhe Hektor Banaj, ka qenë në arrati prej vitit 1997. Sipas pretendimit të paraqitur në gjykatë, kalimi i më shumë se 25 viteve nga ngjarja dhe periudha e gjatë e qëndrimit jashtë vendit duhet të merren në konsideratë në llogaritjen e afateve të parashkrimit.

Kërkesa është regjistruar në Gjykatën e Fierit dhe çështja është hedhur në short. Seanca për shqyrtimin e saj është përcaktuar për 16 shtator.

Hoxha u kthye në Shqipëri pas një operacioni ndërkombëtar për lokalizimin dhe identifikimin e tij. Ai dyshohet se gjatë viteve të arratisë ka përdorur identitete të ndryshme dhe është zbuluar edhe me dokumentacion që e paraqiste si shtetas të Kosovës.

Por përballë tij qëndron edhe një tjetër çështje penale, këtë herë në Belgjikë. Hoxha është kërkuar nga autoritetet belge në lidhje me vrasjen e Brunilda Dervishit në Bruksel, ngjarje e vitit 1997.

Sipas të dhënave të dosjes belge, Brunilda Dervishi ishte martuar me Hoxhën në Elbasan pak kohë përpara se çifti të udhëtonte drejt Belgjikës. Një ditë para vrasjes, ajo kishte kontaktuar familjarët dhe u kishte shprehur frikën se bashkëshorti i saj mund ta vriste.

Hetimet belge kanë rindërtuar edhe lëvizjet e Hoxhës para ngjarjes. Ai dyshohet se kishte kontaktuar familjarët e viktimës për të mësuar se ku ndodhej ajo. Më pas, Dervishi u gjet në një lokal në Bruksel, ku u vra me armë zjarri.

Një prej gjurmëve të ndjekura nga hetuesit ishte edhe një numër telefoni i përdorur në komunikimin me familjarët e viktimës. Gjatë hetimit të këtij numri, autoritetet belge arritën te banesa e një shtetaseje shqiptare me inicialet A.Z., ku u gjet një dokument identifikimi grek me fotografinë e Hoxhës.

Aktualisht, ai mbahet në paraburgimin “313”. Ndërkohë, autoritetet shqiptare kanë komunikuar me palën belge lidhur me situatën e tij dhe me mundësinë që dënimi për çështjen belge të vuhet në Shqipëri.

Fokusi tashmë është te Gjykata e Fierit, e cila më 16 shtator do të shqyrtojë pretendimin e Hoxhës për parashkrimin e dënimit. Vendimi i gjykatës do të përcaktojë edhe nëse kërkesa e tij për lirim do të pranohet apo jo.