Tuneli i Porto Palermos do të kthehet në muze

Qeveria me një vendim të posaçëm ka ngarkuar Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit të realizojë konkursin për muzealizimin e infrastrukturës dhe tunelit të Porto-Palermos. Sipas vendimit të qeverisë efektet financiare, prej 24.5 milionë lekë do të  përballohen nga buxheti i vitit 2026.

Me një tjetër vendim të posacëm qeveria autorizuar Korporatën e Investimeve Shqiptare, të identifikojë pronat shtetërore, me interes për të realizuar projektin e investimit “Hospitality Albania, Vlorë”.

V E N D I M
PËR

NGARKIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË PLANIFIKIMIT TË TERRITORIT, SI ORGAN QENDROR BLERËS, PËR REALIZIMIN E KONKURSIT TË PROJEKTIMIT PËR PROJEKTIDETË E MUZEALIZIMIT TË INFRASTRUKTURËS DHE TUNELIT TË PORTO-PALERMOS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ngarkimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), si organ qendror blerës, për realizimin e konkursit të projektimit për projektidetë e muzealizimit të infrastrukturës dhe tunelit të Porto-Palermos.

2. Ngarkimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit për koordinimin e termave të referencës me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT) për muzealizimin e infrastrukturës dhe tunelit të Porto-Palermos.

3. Efektet financiare, prej 24 550 000 (njëzet e katër milionë e pesëqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, përballohen nga buxheti i Institutit të Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake, miratuar për vitin 2026.

4. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Instituti i Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA