Edhe gjatë këtij sezoni turistik, Tuneli i Llogarasë vijon të jetë pa pagesë, pavarësisht se më herët ishte paralajmëruar se tarifa do të niste të aplikohej në fillim të muajit qershor.
Aktualisht, automjetet kalojnë lirshëm. Drejtuesit e mjeteve regjistrohen vetëm nga kamerat e vendosura në pikën e pagesës dhe më pas vazhdojnë udhëtimin pa kryer asnjë pagesë.
Në vendngjarje janë të pranishme edhe stafet përkatëse, por ende nuk ka një njoftim zyrtar për datën kur do të nisë zbatimi i tarifës për përdorimin e tunelit.
Deri në një vendim zyrtar, qytetarët dhe turistët do të vijojnë ta përdorin Tunelin e Llogarasë pa pagesë gjatë sezonit veror.










