Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka dalë me një apel zyrtar për shkak të temperaturave të larta që priten në ditët në vijim, duke paralajmëruar për rritje të ndjeshme të rrezikut të zjarreve në të gjithë vendin.
Sipas AKMC-së, bazuar në të dhënat e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian, kushtet meteorologjike në rajon favorizojnë shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve. Për Greqinë dhe Turqinë parashikohet një nivel shumë ekstrem rreziku, ndërsa edhe Shqipëria pritet të përballet me një situatë të shtuar risku.
Në këtë kuadër, Agjencia u ka kërkuar njësive të vetëqeverisjes vendore, prefekturave dhe forcave operacionale të mbajnë në gatishmëri kapacitetet njerëzore dhe logjistike, të reagojnë menjëherë ndaj çdo vatre zjarri dhe, nëse kapacitetet vendore shterojnë, të kërkojnë pa vonesë mbështetje sipas procedurave të sistemit të mbrojtjes civile.
Njëkohësisht, AKMC u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, duke mos ndezur zjarre në ambiente të hapura, duke mos djegur mbetje apo barishte dhe duke mos hedhur bishta cigaresh në pyje, kullota apo pranë bimësisë së thatë.
Agjencia thekson se çdo vatër zjarri duhet të raportohet menjëherë tek shërbimet e emergjencës, pasi reagimi i shpejtë është vendimtar për kufizimin e përhapjes së flakëve.
“Parandalimi është përgjegjësi e përbashkët. Me kujdesin dhe bashkëpunimin e të gjithëve, mbrojmë jetën, pronën dhe mjedisin”, thuhet në njoftimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.










