Qeveria bllokon aktivitetin e Bankers për gjobën 120 mln euro, reagon kompania: Kemi bërë kallëzim në SPAK

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bllokuar aktivitetin e kompanisë Bankers Petroleum duke çuar në ndalimin e plotë të operacioneve për nxjerrjen e naftës. Lajmin e ka bërë publik vetë kompania përmes një njoftimi zyrtar.

“Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Dogana ka bllokuar infrastrukturën nxjerrëse të vendburimit të Patos-Marinzës, duke e çuar aktivitetin operativ të Kompanisë në kolaps të plotë. Preteksti i bllokimit është mos-pagesa e pretenduar e akcizës për holluesin e naftës, një produkt për të cilin, në fakt, nuk duhet paguar akcizë, pasi nuk ka konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk përdoret për prodhimin e nxehtësisë apo energjisë, sipas kushteve të parashikuara në legjislacionin shqiptar që prej vitit 2012, në përputhje me Direktivat e BE-së,” thuhet në njoftimin e kompanisë kineze.

Sipas Bankers, ky bllokim ka sjellë ndalimin e plotë të operacioneve të nxjerrjes së naftës, duke krijuar rrezik shumë të lartë për mbarëvajtjen e fushës naftëmbajtëse, si dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e banorëve të zonës.

“Ky bllokim i menjëhershëm i operacioneve sjell pasoja të pariparueshme për vazhdimësinë e menaxhimit të fushës naftëmbajtëse, pasi (përveç depozitave dhe tubacioneve) nëse ndalohet prodhimi i puseve të naftës, pjesa më e madhe e tyre nuk mund të rivihen më në punë, duke e dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme këtë pasuri të popullit shqiptar. Theksojmë se dëmi ekonomik i shkaktohet shumë më tepër shtetit shqiptar sesa BPAL-së, i cili është vetëm operator i këtij vendburimi dhe jo pronar i tij, ndërkohë që impakti i përgjithshëm është edhe më i madh,” vijon deklarata e Bankers.

Kompania kineze që ka me koncesion shfrytëzimin e Patos Marinzës thotë se institucionet teknike shtetërore përgjegjëse për hidrokarburet në Republikën e Shqipërisë (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore – AKBN), përmes një letre drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Ministrisë së Financave, kanë sqaruar se: “Procesi i nxjerrjes së naftës në vendburim duhet të zhvillohet me rrjedhje të vazhdueshme dhe të pandërprerë 24/7, pasi në të kundërt, nafta bruto e prodhuar nga ky vendburim, duke qenë shumë viskoze dhe e rëndë, nëse ftohet, ngurtësohet në tubacione dhe depozita, duke u bërë e papërdorshme.”

“Nëpërmjet një shkrese zyrtare, AKBN ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Financave për të shmangur bllokimin e operacioneve të Kompanisë,” vijon Bankers.

Gjoba 120 mln euro
Shkaku i bllokimit të veprimtarisë së Kompanisë është taksimi me akcizë i holluesit, një çështje e diskutuar prej vitesh nga shteti shqiptar nëse Kompania duhet apo jo të paguajë akcizë për këtë produkt.

Në vitin 2019, dogana e Fierit mbajti një akt konstatimi, ku theksonte se Bankers Petroleum nuk kishte paguar 30 milionë euro akcizë për holluesin. Mbi këtë detyrim inspektorët llogaritën dhe një gjobë në masën 90 milionë euro duke e çuar në total faturën 120 milionë euro.

Por gjoba u mbajt e pezulluar për shumë vite, ndërkohë që u zyrtarizuar në tetor të këtij viti. Pas këtij vendimi, Dogana ka bllokuar plotësisht aktivitetin e Bankers duke i kërkuar pagimin e 120 milionë eurove.

“E gjithë çështja është aktualisht në proces gjyqësor dhe ende nuk ka një vendim të formës së prerë, ndërkohë që organet shtetërore, pa pritur vendimin e gjykatës, po ndërmarrin veprime arbitrare. Ky nuk është rasti i parë që BPAL përballet me akte të tilla abuzive. Në këto raste, ne kemi fituar çdo proces gjyqësor. Megjithatë, bllokimi i aktivitetit të Kompanisë pa pritur përfundimin e procesit gjyqësor është një akt dashakeq që dëmton më shumë shtetin shqiptar, punonjësit e industrisë, kompanitë nënkontraktore, komunitetin lokal, pushtetin vendor dhe shumë të tjera,” thuhet në njoftimin e Bankers.

Madje kompania ka paralajmëruar qeverinë për pasoja serioze nëse nuk do të ndërhyjë për të zhblokuar aktivitetin e saj.

“Nëpërmjet këtij komunikimi me median, u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që ta administrojnë me maturi këtë situatë delikate. Pas 6 vitesh pezullimi të rezultateve të kontrollit, të cilat janë konsideruar të paligjshme nga vetë Administrata Shtetërore, nuk ka arsye për nxitim në ndjekjen e një çështjeje që do të sjellë dëme të pakthyeshme për Kompaninë. Ky zhvillim ka aktivizuar klauzolën e Forcës Madhore për shkak të “veprimeve qeveritare”, sipas pikës 17.1 të Marrëveshjes së Hidrokarbureve të vitit 2004, të nënshkruar me shtetin shqiptar. Ju informojmë se kemi depozituar një kallëzim penal pranë SPAK kundër funksionarëve përgjegjës dhe ftojmë të gjitha palët të presin rezultatet e hetimit dhe vendimet e gjykatave përpara se të ndërmarrin veprime arbitrare,” pëfundon njoftimi i Bankers.

Gjendet një person i pa jetë në Lungomare

Një person i pa jetë është gjetur në Lungomaren e Vlorës. 

Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, por priten te zbardhen në vijim.

Fermerët të nisin grumbullimin e autofaturave për kompensimin 10% të TVSH-së

Fermerët që shesin prodhimet e tyre bujqësore te grumbulluesit, përpunuesit apo agroturizmet e certifikuara duhet të nisin grumbullimin e autofaturave, për të përfituar kompensimin 10% nga skema e re e TVSH-së.

Kjo masë parashikohet në projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’”, të miratuar nga Parlamenti, i cili përcakton se kompensimi i TVSH-së për fermerët do të llogaritet mbi vlerën e faturave të lëshuara nga blerësi i produkteve bujqësore.

Sipas ligjit, fermerët e pajisur me NIPT tatimor, por që nuk janë subjekt i TVSH-së dhe nuk janë të regjistruar në QKB, nuk lëshojnë vetë faturë shitjeje. Në këto raste, autofatura lëshohet nga blerësi – grumbulluesi, përpunuesi ose agroturizmi i certifikuar – dhe shërben si bazë për përfitimin e kompensimit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nga viti 2018 deri në shtator 2025 janë pajisur me NIPT tatimor rreth 110 mijë fermerë në të gjithë vendin.

Autofatura e lëshuar në emër të fermerit do të përdoret për llogaritjen e kompensimit, i cili përfaqëson 10% të vlerës së saj dhe synon të mbulojë pjesërisht TVSH-në e paguar për inputet bujqësore, si plehrat kimike, farat dhe fidanët.

Për shembull, nëse një fermer shet produkte bujqësore me vlerë 1 000 euro dhe për këtë shitje lëshohet autofatura përkatëse, ai do të përfitojë një kompensim prej 100 eurosh.

Kërkesa për kompensim do të paraqitet dy herë në vit, për periudhat janar–qershor dhe korrik–dhjetor.

Gjatë një takimi me fermerët në Elbasan, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, u bëri thirrje fermerëve të grumbullojnë autofaturat për të përfituar nga skema.

“Fermerët që shesin prodhimet e tyre te grumbulluesit, përpunuesit ose agroturizmet do të kompensohen në masën 10% të vlerës së faturës. Këto fatura do të mblidhen dhe do të dorëzohen çdo 6 muaj në tatime, ndërsa shuma do të kthehet direkt në llogarinë bankare të fermerit”, u shpreh ministri.

Ndërkohë, administrata tatimore ka sqaruar se nga viti i ardhshëm fermerët pritet të aplikojnë për kompensimin përmes platformës e-Albania, ku do të konfirmojnë online çdo autofaturë të lëshuar në emrin e tyre. Pas verifikimit, shuma e kompensimit do të derdhet në llogarinë bankare të fermerit brenda 30 ditëve.

Përfitues të skemës janë fermerët që nuk janë subjekt i TVSH-së dhe që nuk ngarkojnë TVSH në shitjen e produkteve të tyre, por që njëkohësisht nuk kanë të drejtë të rimbursojnë TVSH-në e paguar për blerjet.

Skema e re synon të lehtësojë barrën financiare të fermerëve dhe të mbështesë sektorin bujqësor përmes kompensimit indirekt të TVSH-së së paguar për inputet bujqësore.

Humbi a*men e shërbimit! U dogj në makinën në Llogara

humbi arma e shërbimit! U dogj në makinën në Llogara

Ish/efektivi i DVP Berat, që u gjet i djegur sot në “Qafën e Llogarasë” brenda automjetit të tij, ishte efektiv i Forcave Operacionale “Shqiponjat”.

Më pas, për shkak të problemeve psikologjike u transferua në Postën e Policisë Poliçan, ku për shkak se humbi armën e shërbimit ju vendos “masë disiplinore”.

Xhelo nuk dha dorëheqjen nga policia, por u përjashtua nga radhët e policisë.

Ky në foto është Artjon Xhelo, ish/punonjësi i policisë që u vetëdogj pasditen e sotme brenda automjetit të tij.

Artjol Xhelo,32-vjeç, banues në fshatin Banaj në bashkinë Dimal, ka punuar disa vite në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat si pjesë e Forcave Operacionale “Shqiponjat”.

Në vitin 2023, Xhelo kishte shfaqur probleme të shumta të depresionit dhe për këtë arsye DVP Berat e largoi nga Forcat Shqiponja dhe e transferoi në Postën e Policisë në Poliçan.

Aty u fol që efektivit të policisë Artjol Xhelo i humbi arma e shërbimit dhe DVP Berat i dha një masë disiplinore dhe e përjashtoi nga radhët e Policisë së Shtetit.

Sipas burimeve të brendshme në DVP Berat, ish/efektivi i policisë Artjol Xhelo kishte probleme të theksuara të depresionit dhe psikologjike.

Xhelo u gjet i djegur brenda makinës së tij, tip BMW,rreth orës 14:35 të ditës së sotme.

Ngjarja e rëndë ndodhi në vendit e quajtur “Qafa e Llogarasë” dhe trupi i pajetë u gjet i djegur në sediljen e shoferit.

Edhe pse grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, dyshohet se 32-vjeçari Xhelo dogji veten ditën e sotme brenda makinës së tij në Llogara.

Ish-kreu i SHISH dhe djali i tij dënohen me kërkesë të Prokurorisë Berat për 3 vepra penale ’ 

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat u shpallën fajtor dhe dënuan shtetasit P.Sh. ish-drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror për veprën penale ‘Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin’ parashikuar nga neni 197/1 i Kodit Penal dhe shtetasi A.Sh., djali i tij, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal dhe “Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar” parashikuar nga neni 294/1 i Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.370 të vitit 2023, pas informacioneve se në një ambient në lagjen ’30 Vjetori’ në një lokal që drejtohej nga shtetasi P.Sh., po zhvilloheshin lojëra fati, u konstatuan kompjuterat e markave të ndryshme, të ndezura dhe në ekrane u shfaqën lojrat online të ngjashme me ato të Adex Casino.

Nga verifikimi teknik, u provua se nëpërmjet një aplikacioni apo software të instaluar në këto paisje elektronike, duke u lidhur në internet, realizoheshin lojëra fati online.

Gjatë hetimeve, u ushtrua kontroll i banesës së shtetasit A.Sh., babait të tij, ku u konstatuan një krëhër metalik ngjyrë bronxi me 5 fishekë, të paplasur të kalibrit 7.62 mm, një çantë dore ngjyrë të zezë brenda të cilës u gjetën 3 krehër, të mbushur secili me nga 7 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe dy USB me mbishkrimet “Turbox” dhe “Kingston”.

Ky shtetas i cili ka ushtruar detyrën si Drejtor i Shërbimit Informativ Berat, shpjegoi se në nëntor të vitit 2023 është larguar nga detyra dhe ka dorëzuar armatimin por ka harruar të dorëzojë municionin e gjetur në banesë nga shërbimet e policisë. Ai sqaroi se, fishekët e kalibrit 7.62 janë fishek të armëve të vjetra që i ka gjetur të godina e vjetër e ShIK-ut dhe i ka marrë si suvenir dhe i ka harruar në banesë.

Por nga verifikimet e kryera nga prokuroria rezultoi se armatimet ishin kthyer dhe kjo provohej edhe nga fletëhyrja që ndodhet në institucion. Ndërkohë që nga verifikimet e kryera rezultoi se, dy nga materialet e ndodhura në Usb-në me emërtimin “Usb drive” janë të klasifikuara në nivelin “sekret” dhe administrohen në SHISH në kopje të vetme. Kopjimi ose shumëfishimi i tyre është i ndaluar dhe në kundërshtim me aktet që normojnë punën e SHISH.

Marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.

Në përfundim të hetimeve paraprake, pas analizës në tërësi të të dhënave dhe provave të marra, vijmë në përfundimin se, ka të prova të mjaftueshme se të pandehurit P.Sh dhe A.Sh. kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Rezulton përfundimisht e provuar se i pandehuri A. Sh. ka qenë me detyrë punonjës i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe ka kopjuar materiale që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, dhe i janë besuar për shkak të detyrës.

Marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, dhe përhapja e tyre në dy Usb brenda në banesën e të pandehurit, kur ai nuk ushtronte më as detyrën e punonjësit të shërbimit informativ të shtetit, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.

Për sa më sipër, në përfundim të hetimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm, Berat kërkoi dhe u pranua nga gjykata:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit P. Sh., për kryerjen e veprës penale të “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” parashikuar nga neni 197/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim;

2. Në zbatim të nenit 406 pika 1, uljen e dënimit me 1/3, dhe dënimit e të pandehurit përfundimisht me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim;

3. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, të urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin për një afat prej 2 (dy) vite e 8 (tetë) muaj me kusht që brenda kësaj periudhe të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte të rregullta me zyrën e Shërbimit të Provës së vendbanimit të tij;

4. Deklarimin fajtor të të pandehurit A. Sh. për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim;

5. Deklarimin fajtor të të pandehurit A. Sh. për kryerjen e veprës penale të “Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar” parashikuar nga neni 294/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 vite burgim;

6. Në zbatim të nenit 406 pika 1, uljen e dënimit me 1/3, dhe dënimit e të pandehurit përfundimisht me 1 vit e 4 muaj burgim;

7. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, të urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin A.Sh. për një afat 2 vite e 8 muaj me kusht që brenda kësaj periudhe të mos kryejë vepër tjetër pnale; dhe 

8. Në zbatim të ne nit 35 të Kodit Penal të pandehurin A.Sh., i hiqet e drejta të ushtrojë funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.

Digjet makina ne Llogara, dyshohet per nje person te djegur brenda automjetit

Një automjet tip BMW është përfshirë nga flakët në Qafën e Llogarasë, konkretisht në zonën që të çon drejt antenave. Brenda makinës është gjetur trupi i një personi të djegur.

Në vendngjarje kanë mbërritur fillimisht shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, ndërsa automjeti është shkrumbuar plotësisht. Si pasojë e djegies totale, targa e mjetit nuk ka qenë e identifikueshme.

Pak minuta më vonë në vendngjarje ka mbërritur edhe policia, e cila po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Këto janë informacionet paraprak

Fier | Procedime penale dhe aksident rrugor, njoftim i Policisë

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. S., 42 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. N., banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë shtetasi B. N. dhe bashkëshortja e tij, pasagjere në automjet.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi shtetasja V. K., 65 vjeçe, banuese në Fier, është rrëzuar aksidentalisht në banesë dhe për pasojë është dëmtuar lehtë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Emërohet drejtuesi i ri i Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Qarkun Fier

Në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier është prezantuar sot drejtuesi i ri i Sektorit të Qarkullimit Rrugor për Qarkun Fier. Detyrën e shefit të këtij sektori e ka marrë Ermir Shehaj.

Emërimi i tij vjen pas largimit nga kjo detyrë të ish-drejtuesit Altin Dervishi, i cili është caktuar në një funksion tjetër brenda strukturave të Policisë së Shtetit.

Gjatë prezantimit, u theksua rëndësia e forcimit të masave për rritjen e sigurisë rrugore, parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e disiplinës së drejtuesve të mjeteve në rrugët e qarkut Fier. Drejtuesit e policisë i uruan suksese Ermir Shehajt në detyrën e re, duke kërkuar angazhim maksimal në përmbushjen e objektivave institucionale.