Pse SPAK po shtrin kompetencat deri te qeveria, edhe pa u provuar ende akuzat?

Kërkesa e SPAK për masa hetimore apo procedurale ndaj anëtarëve të qeverisë, edhe në faza kur akuzat ende nuk janë provuar nga gjykata, ka rihapur debatin mbi kufijtë e kompetencave të Prokurorisë së Posaçme, balancën e pushteteve dhe standardet e procesit të rregullt ligjor në Shqipëri.

SPAK është krijuar si një strukturë e posaçme për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, përfshirë zyrtarët më të lartë të shtetit. Në këtë kuptim, shtrirja e hetimeve deri në nivelet qeveritare nuk është përjashtim, por pjesë e misionit të tij kushtetues.

Në praktikë, SPAK argumenton se veprimi i hershëm – përfshirë kërkesat për masa sigurie apo autorizime nga Kuvendi – synon të parandalojë ndikimin mbi provat, të shmangë presionin mbi dëshmitarët dhe të ruajë integritetin e hetimit. Kjo logjikë mbështetet te parimi se masat procedurale nuk përbëjnë dënim, por mjete hetimore.

Problemi lind jo te e drejta formale e SPAK për të vepruar, por te perceptimi publik që krijohet kur masa të forta kërkohen përpara se akuzat të provohen në gjykatë.

Në një realitet ku hetimet shoqërohen me ekspozim mediatik, masat e sigurisë perceptohen si ndëshkim dhe proceset zgjasin me vite, prezumimi i pafajësisë rrezikon të mbetet parim teorik, jo praktik real.

Një shqetësim i ngritur nga juristë dhe institucione ndërkombëtare është se SPAK, nga një organ hetimor, mund të perceptohet si një aktor me ndikim të drejtpërdrejtë politik, nëse veprimet e tij prekin funksionimin e qeverisë, bllokojnë vendimmarrjen ekzekutive ose krijojnë vakuum institucional pa vendim gjykate. Këtu lind dilema: ku mbaron hetimi penal dhe ku fillon ndërhyrja në funksionimin e pushtetit ekzekutiv?

SPAK operon edhe nën një presion të fortë ndërkombëtar për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit europian. Kjo ka krijuar një kulturë ku numri i çështjeve “të mëdha” shihet si tregues suksesi, veprimi ndaj figurave të larta rrit besueshmërinë institucionale dhe mosveprimi interpretohet si dobësi ose kapje politike. Kjo nuk e justifikon çdo veprim, por shpjegon kontekstin në të cilin SPAK merr vendime të forta procedurale.

Në rastet që përfshijnë ministra apo zyrtarë të lartë, Kushtetuta ka parashikuar një mekanizëm balancues: autorizimin e Kuvendit. Ky mekanizëm synon të shmangë arbitraritetin, të mbrojë stabilitetin institucional dhe të garantojë debat publik dhe përgjegjësi politike. Por ai funksionon vetëm nëse Kuvendi ushtron realisht rolin e tij kushtetues dhe nuk shndërrohet as në mburojë politike, as në noter automatik të kërkesave të prokurorisë.

Sfida kryesore për SPAK dhe për sistemin e drejtësisë në tërësi është të ruajë një ekuilibër delikat: të hetojë pa frikë dhe pa kompromis, pa cenuar parimin e proporcionalitetit dhe pa e zëvendësuar gjykimin me hetimin. Nëse drejtësia perceptohet si spektakël ose si mjet presioni politik, rrezikohet pikërisht ajo besueshmëri që reforma synoi të ndërtojë.

Shtrirja e veprimeve të SPAK deri në nivelet më të larta të qeverisë është ligjërisht e parashikuar dhe politikisht e pashmangshme në një shtet që synon të luftojë korrupsionin e nivelit të lartë. Por legjitimiteti i kësaj shtrirjeje varet nga një element kyç: respektimi rigoroz i procesit të rregullt ligjor dhe i prezumimit të pafajësisë. Vetëm nëse SPAK arrin të dëshmojë se fuqia e tij përdoret me maturi, proporcionalitet dhe profesionalizëm, reforma në drejtësi do të shihet si sukses, jo si rrezik për demokracinë

SPAK kërkon autorizim për arrestimin e Ballukut, reagon kryeministri Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X pasi SPAK i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Reagimi i Ramës:

Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi.

Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht.

Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.

Aksident në në aksin Lushnjë-Berat, 3 makina përplasen me njëra-tjetrën

Një aksident rrugor me përplasjen e tre automjeteve është shënuar mesditën e kësaj të marte në aksin nacional Lushnjë–Berat.

Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e fshatit Kashtbardhë, ku janë përfshirë një automjet tip “Volkswagen”, një “Benz” dhe një “Ford”. Fatmirësisht, nga përplasja nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale në mjetet e përfshira.

Sipas të dhënave paraprake të Policisë Rrugore, automjeti tip “VW”, i cili vinte nga Kashtbardha, ka prerë rrugën e “Benz”-it. Si pasojë e përplasjes, “Benz”-i ka kaluar në korsinë e kundërt, ku është përplasur me automjetin tip “Ford”.

Shërbimet e Policisë së Qarkullimit Rrugor kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke kryer procedurat e nevojshme dhe duke disiplinuar trafikun, i cili për pak minuta u rëndua në këtë segment rrugor.

Ky aks rrugor vjen vetëm dy ditë pas një tjetër përplasjeje në të njëjtin aks, e cila përfundoi me dy persona të lënduar rëndë, duke rikthyer vëmendjen te problematika e sigurisë rrugore në këtë zonë.

Paratë nga emigrantët shkojnë për konsum/ 90% e remitancave përdoren për nevoja bazë, investimet mbeten minimale

Instituti i Statistikave ka publikuar të dhëna të reja mbi emigracionin ndërkombëtar në Shqipëri për vitin 2024. Ndër treguesit kryesorë të këtij publikimi zënë vend edhe remitancat e dërguara nga emigrantët shqiptarë, të cilat nxjerrin në pah disa zhvillime dhe prirje me interes për ekonominë e vendit.

Remitancat përfaqësojnë një burim të rëndësishëm financiar, por ndikimi i tyre në zhvillimin ekonomik mbetet i kufizuar, kryesisht për shkak të përdorimit të kanaleve informale të transferimit dhe orientimit të tyre drejt konsumit. Sipas të dhënave, rreth gjysma e familjeve me emigrantë kanë përfituar remitanca gjatë 12 muajve para anketimit, ndërsa për këto familje, të ardhurat nga jashtë përbëjnë mesatarisht 41 % të të ardhurave totale.

Sa i përket burimit të remitancave, rezulton se emigrantët meshkuj dhe ata në moshë më të madhe kanë gjasa dukshëm më të larta për të dërguar para drejt familjeve të tyre, krahasuar me gratë dhe migrantët e rinj. Ajo që bie veçanërisht në sy është mënyra e dërgimit të remitancave. Në shumicën e rasteve, transfertat realizohen përmes kanaleve informale, kryesisht nëpërmjet të afërmve, miqve ose nga vetë emigrantët gjatë vizitave në Shqipëri. Ndërkohë, institucionet formale, si bankat dhe operatorët e transferimit të parave, përdoren si kanal kryesor vetëm në rreth 30% të rasteve.

Dominimi i këtyre formave informale, veçanërisht te emigrantët e kthyer, kufizon zhvillimin e sektorit financiar dhe pengon përfshirjen më të gjerë ekonomike formale. Paralelisht, remitancat përdoren pothuajse tërësisht për mbulimin e nevojave bazë: rreth 90 %e familjeve i shpenzojnë për ushqim dhe shpenzime të përditshme, 36 % për shpenzime shëndetësore dhe 30 % për arsim. Ndërkohë, investimet produktive mbeten minimale, me më pak se 2 % të fondeve të orientuara drejt zgjerimit të bizneseve apo inputeve bujqësore. Në përfundim, të dhënat e INSTAT tregojnë se, pavarësisht rolit të rëndësishëm që remitancat luajnë në mbështetjen e familjeve shqiptare, potenciali i tyre për të nxitur zhvillimin afatgjatë ekonomik mbetet ende i pashfrytëzuar. 

Abuzuan me tenderat, SPAK firmosi 8 masa sigurie, zbulohen emrat

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar 8 masa sigurie në lidhje me dyshime për abuzime me tenderat e AKSHI. 

Mësohet se është firmosur “Arrest me burg” për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin. 

Ndërkohë “Arrest në shtëpi” është vendosur për drejtoreshën e KSHI Mirilda Karçanaj dhe zv drejtoreshën Hava Delibashin. 

Ndërkohë “Pezullim nga detyra” dhe “Ndalim për të dalë jashtë vendit” është lëshuar për Erion Ismailin.

Andis Papa, Gëzim Hoxha, Rogers Rryta janë personat ndaj të cilëve është vendosur masa e sigurisë “Ndalim për të dalë jashtë vendit”.

Rama: Transparenca në Shqipëri ka avancuar, nuk është kërcënim ndarja e informacionit

Kryeministri Edi Rama ishte këtë të martë në Konferencën e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit.

“I kemi ndarë rolet, një pjesë e këtyre këtu e kanë ndarë për ta parë një godë gjysëm plotë, ndërsa disa të tjerë edhe me mua e shikojnë godën plotë.

Doja të sillja në mendje opinionin e një autoriteti, i cili është SIGMA, që gjykon performancën e institucioneve shqiptare nga një distancë e mjaftueshme për të pasur një objektivitet të lartë.

Shqipëria ka një arkitekturë funksionale dhe të qëndrueshme për transparencën, dhe rezultati sipas Sigmës është 8,6 nga 10 në kuadrin strategjik institucional dhe 7 nga 9 në funksionin faktik të autoritetit mbikëqyrës të së drejtës për informim.

Duke ju referuar indeksit të transparencës të publikuar së fundmi, Shqipëria ka bërë një kapërcim rreth 5% brenda këtij viti, duke kaluar nga 73% në 78% në indeksin e transparencës, ndërkohë që mesatarja e përgjithshme globale është 62% dhe ajo rajonale është 69%.

Shqipëria është 10 pikë mbi mesataren rajonale, kjo është një godë gjysëm plotë.

Pavarësisht progresit të bërë, po të shikojmë më lartë jemi poshtë, po të shikojmë sa poshtë ishim, jemi shumë lart. Kjo e dyta është një burim motivimi për ne që duhet të ngremë vendin më lart.

Në këtë aspekt, dua të them disa gjëra konkrete. Jam dakord që qasja e hapur nuk është kërcënim. Realisht, ngurrimi për të ndarë me këdo që i kërkon informacionet që janë fakte administrative është absurd. Dëmton më shumë sesa mbron. Krijon edhe një sens dyshimi dhe një atmosferë konspiracioni”, u shpreh ai.

Qeveria bllokon aktivitetin e Bankers për gjobën 120 mln euro, reagon kompania: Kemi bërë kallëzim në SPAK

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bllokuar aktivitetin e kompanisë Bankers Petroleum duke çuar në ndalimin e plotë të operacioneve për nxjerrjen e naftës. Lajmin e ka bërë publik vetë kompania përmes një njoftimi zyrtar.

“Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Dogana ka bllokuar infrastrukturën nxjerrëse të vendburimit të Patos-Marinzës, duke e çuar aktivitetin operativ të Kompanisë në kolaps të plotë. Preteksti i bllokimit është mos-pagesa e pretenduar e akcizës për holluesin e naftës, një produkt për të cilin, në fakt, nuk duhet paguar akcizë, pasi nuk ka konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk përdoret për prodhimin e nxehtësisë apo energjisë, sipas kushteve të parashikuara në legjislacionin shqiptar që prej vitit 2012, në përputhje me Direktivat e BE-së,” thuhet në njoftimin e kompanisë kineze.

Sipas Bankers, ky bllokim ka sjellë ndalimin e plotë të operacioneve të nxjerrjes së naftës, duke krijuar rrezik shumë të lartë për mbarëvajtjen e fushës naftëmbajtëse, si dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e banorëve të zonës.

“Ky bllokim i menjëhershëm i operacioneve sjell pasoja të pariparueshme për vazhdimësinë e menaxhimit të fushës naftëmbajtëse, pasi (përveç depozitave dhe tubacioneve) nëse ndalohet prodhimi i puseve të naftës, pjesa më e madhe e tyre nuk mund të rivihen më në punë, duke e dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme këtë pasuri të popullit shqiptar. Theksojmë se dëmi ekonomik i shkaktohet shumë më tepër shtetit shqiptar sesa BPAL-së, i cili është vetëm operator i këtij vendburimi dhe jo pronar i tij, ndërkohë që impakti i përgjithshëm është edhe më i madh,” vijon deklarata e Bankers.

Kompania kineze që ka me koncesion shfrytëzimin e Patos Marinzës thotë se institucionet teknike shtetërore përgjegjëse për hidrokarburet në Republikën e Shqipërisë (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore – AKBN), përmes një letre drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Ministrisë së Financave, kanë sqaruar se: “Procesi i nxjerrjes së naftës në vendburim duhet të zhvillohet me rrjedhje të vazhdueshme dhe të pandërprerë 24/7, pasi në të kundërt, nafta bruto e prodhuar nga ky vendburim, duke qenë shumë viskoze dhe e rëndë, nëse ftohet, ngurtësohet në tubacione dhe depozita, duke u bërë e papërdorshme.”

“Nëpërmjet një shkrese zyrtare, AKBN ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Financave për të shmangur bllokimin e operacioneve të Kompanisë,” vijon Bankers.

Gjoba 120 mln euro
Shkaku i bllokimit të veprimtarisë së Kompanisë është taksimi me akcizë i holluesit, një çështje e diskutuar prej vitesh nga shteti shqiptar nëse Kompania duhet apo jo të paguajë akcizë për këtë produkt.

Në vitin 2019, dogana e Fierit mbajti një akt konstatimi, ku theksonte se Bankers Petroleum nuk kishte paguar 30 milionë euro akcizë për holluesin. Mbi këtë detyrim inspektorët llogaritën dhe një gjobë në masën 90 milionë euro duke e çuar në total faturën 120 milionë euro.

Por gjoba u mbajt e pezulluar për shumë vite, ndërkohë që u zyrtarizuar në tetor të këtij viti. Pas këtij vendimi, Dogana ka bllokuar plotësisht aktivitetin e Bankers duke i kërkuar pagimin e 120 milionë eurove.

“E gjithë çështja është aktualisht në proces gjyqësor dhe ende nuk ka një vendim të formës së prerë, ndërkohë që organet shtetërore, pa pritur vendimin e gjykatës, po ndërmarrin veprime arbitrare. Ky nuk është rasti i parë që BPAL përballet me akte të tilla abuzive. Në këto raste, ne kemi fituar çdo proces gjyqësor. Megjithatë, bllokimi i aktivitetit të Kompanisë pa pritur përfundimin e procesit gjyqësor është një akt dashakeq që dëmton më shumë shtetin shqiptar, punonjësit e industrisë, kompanitë nënkontraktore, komunitetin lokal, pushtetin vendor dhe shumë të tjera,” thuhet në njoftimin e Bankers.

Madje kompania ka paralajmëruar qeverinë për pasoja serioze nëse nuk do të ndërhyjë për të zhblokuar aktivitetin e saj.

“Nëpërmjet këtij komunikimi me median, u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që ta administrojnë me maturi këtë situatë delikate. Pas 6 vitesh pezullimi të rezultateve të kontrollit, të cilat janë konsideruar të paligjshme nga vetë Administrata Shtetërore, nuk ka arsye për nxitim në ndjekjen e një çështjeje që do të sjellë dëme të pakthyeshme për Kompaninë. Ky zhvillim ka aktivizuar klauzolën e Forcës Madhore për shkak të “veprimeve qeveritare”, sipas pikës 17.1 të Marrëveshjes së Hidrokarbureve të vitit 2004, të nënshkruar me shtetin shqiptar. Ju informojmë se kemi depozituar një kallëzim penal pranë SPAK kundër funksionarëve përgjegjës dhe ftojmë të gjitha palët të presin rezultatet e hetimit dhe vendimet e gjykatave përpara se të ndërmarrin veprime arbitrare,” pëfundon njoftimi i Bankers.

Gjendet një person i pa jetë në Lungomare

Një person i pa jetë është gjetur në Lungomaren e Vlorës. 

Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, por priten te zbardhen në vijim.