Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan nuk ka pësuar luhatje të ndjeshme gjatë fundjavës duke e nisur këtë javë në qëndrueshmëri teksa është blerë këtë mëngjes me 82.5 lekë dhe është shitur me 83.5 lekë.

Sipas kursit të këmbimit lokal edhe monedha europiane nuk ka shënuar lëvizje të konsiderueshme të kuotës këtë të hënë duke u blerë sot me 96.5 lekë dhe duke u shitur me 97.3 lekë në raport me javën e kaluar.

Franga zvicerane gjithashtu nuk duke të ketë regjistruar rritje ose zbritje të ndjeshme nga java që lamë pas duke u blerë mëngjesin e sotëm me 103.8 lekë dhe duke u shitur me 105.1 lekë referuar tregut të brendshëm valutor.

Paundi britanik sakaq duket të ketë kaluar një fundjavë të paqëndrueshme duke pësuar lëvizje të vlerës nga java e kaluar teksa është blerë këtë fillim jave me 110.6 lekë dhe është shitur me 111.9 lekë.

Ndërtimi i hekurudhës Vorë-Hani i Hotit – 16 kompani nga Evropa dhe Azia, në garë për projektin 368 mln euro

16 kompani nga Evropa dhe Azia kanë shprehur interes për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit. TV SCAN ka mësuar se faza e parë e parakualifikimit të tenderit, me kompanitë që do të kalojnë në fazën tjetër, pritet të finalizohet brenda këtij muaji, me miratimin pa kundërshtime që duhet të japë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Në listën e aplikantëve përfshihen kompani nga Turqia, Italia, Kina dhe India, si dhe disa konsorciume ndërkombëtare që garojnë në formë joint venture, duke bashkuar kapacitetet teknike dhe financiare për të përmbushur kriteret e kërkuara.

Procedura e prokurimit publik për këtë projekt u hap nga BERZH në dhjetor 2024, ndërsa afati për dorëzimin e aplikimeve u shty nga 24 janari në 24 shkurt 2025. Me mbylljen e fazës së parakualifikimit, kompanitë që do të kualifikohen do të ftohen të paraqesin ofertat teknike dhe financiare në fazat pasuese, me objektiv lidhjen e kontratës brenda vitit të ardhshëm.

Autoritetet konfirmojnë se qëllimi është që fazat e mbetura të prokurimit të përfundojnë brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke e konsideruar vitin 2030, si ende realist për përfundimin e plotë të linjës hekurudhore.

Ky projekt, me vlerë totale 368 milionë euro, është ndër më të rëndësishmit në kuadër të modernizimit të transportit hekurudhor në vend. Ai bashkëfinancohet nga BERZH, Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe një granti nga Bashkimi Evropian.

Punimet do të përfshijnë rehabilitimin e rreth 120 kilometrave hekurudhë ekzistuese, duke mundësuar shpejtësi operimi deri në 120 km/orë.

/SCAN/

Shqiptarët “nuk i ndahen” kafesë – Vendosin rekord të ri

Kafeja dhe duhani bën pjesë në rutinën e përditshme të shqiptarëve, pasi lokalet prej vitesh janë kthyer jo vetëm në vende bisedash, por edhe në një “institucion” për takime pune.

Por ajo që vihet re është se trendi i konsumit të këtyre dy produkteve të akcizës ka rezultuar në rritje përgjatë këtij vitit.

Dhe sa janë konsumuar gjatë këtij viti? Shifrat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se deri në shtator janë importuar dhe kanë shkuar për konsum 7027 ton kafe,  sasia më e lartë e konsumuar të paktën në 5 vitet e fundit për të njëjtën periudhë.  Ndërsa vetëm në shtator janë 852 ton të hedhura për konsum.

E njëjta tendencë ka qenë edhe me cigaren. Në 9-mujor janë importuar 2,568 ton cigare, duke regjistruar sasinë më të lartë që nga viti 2020. Dhe duket se qytetarët shqiptarë nuk po heqin dorë nga duhani pavarësisht se çdo vit çmimet e paketave po rriten në mënyrë të ndjeshme dhe zë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve direkte vjetore për një individ duhanpirës dhe nga ana tjetër, cigarja konsumohet vetëm në ambiente të hapura.

Konsum rekord ka pasur edhe karburanti. Por në këtë rast ka ndikuar nga fluksi i turizmit në vend, çka sjellë qarkullim më të lartë me automjete, por edhe lëvizjet që bëjnë vetë qytetarët shqiptarë duke u përpjekur të shfrytëzojnë fundjavat apo pushimet.

Për periudhën janar-shtator 2025 janë importuar afro 555 mijë ton karburant, apo rreth 60.5 mijë ton krahasuar me një vit më parë, duke e bërë këtë  një shifër rekord.

Sa i takon birrës, është i vetmi produkt ndër mallrat e akcizës që ka pësuar rënie të importit, ku në 9 muaj kanë shkuar për konsum 45.3 mijë tonë nga 46.9 mijë ton të importuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë.  
.scan.

Kërkoi lirinë, Apeli i GJKKO lë në qeli Erion Veliajn

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 20.10.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 240 akti, datë 14.10.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim E.V., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 43 akti, datë 01.09.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Konstatimi i shkeljeve procedurale të Prokurorisë së Posaçme gjatë fazës së hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 27, të vitit 2024 dhe pavlefshmërinë e veprimeve hetimore” dhe vendosi:

– Lënien në fuqi të Vendimit nr. 43 akti, datë 01.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
U shpall në Tiranë, me datë 20.10.2025.

Bojkotohen gjyqet për 5 ditë pas arrestimit të avokatit në Elbasan

Gavel And Scales Of Justice On Desk In Law Office

Vendimi i Dhomës së Avokatisë:

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë shqyrtoi ngarjen teper te rende lidhur me arrestimin e kolegut Av.Ulian Barjami, pasi mori kontakt personalisht me kolegun Barjami dhe u njoh drejtpërdrejt dhe në detaje me kete ngjarje. Me vendim qarkullues, Komiteti vendosi unanimisht:

1. Bllokimin, nëpërmjet bojkotit të të gjitha proceseve penale, si në hetim dhe në gjykim, në të gjitha shkallët, përfshi edhe proçeset në Gjykatën Kushtetuese, për datat 20 tetor deri në 25 tetor. Përjashtohen nga efektet e këtij vendimi pjesmarrja në cështjet penale me objekt caktimi, ndryshimi, zëvendësimi dhe shuarje të masave të sigurimit.

2. Mospjesmarrja e avokatëve në proceset penale si në hetim dhe gjykim në datat e mësipërme, është arsye objektive për shtyrjen e proceseve gjyqësore.

3. Moszbatimi i këtij i këtij vendimi nga avokatet përben shkelje të rëndë disiplinore, si rrjedhoje sherben si baze per fillim të procedimit disiplinor nga Komiteti i Disiplinës, duke u shoqeruar me vendosjen e masave me te renda disiplinore, pezullim deri ne heqjen e liçensës se ushtriimit te profesionit.

4. Komiteti Drejtues kërkon angazhimin urgjent dhe me përgjegjësi për shqyrtimin e kësaj cështje nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

5. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Dhomat Vendore të Avokatisë.

6. Depozitimin e një kopje vendimi, pranë çdo gjykate në të gjitha nivelet.

7. Depozitimin e nje kopje vendimi prane Inspektorit të Lartë të drejtësisë, Keshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

8. Shtyrjen per nje date tjeter te tryezes se rrumbullaket te caktuar paraprakisht me Ministrine e Drejtesise ne daten 20 tetor, me objekt “Diskutimi i Projekt Kodit Penal midis grupit të punës dhe Dhomës se Avokatisë të Shqipërisë, organizuar nga Ministria e Drejtësisë

Dy lekundje termeti në Shqipëri, ja epiqendra dhe magnituda

Dy lëkundje tërmeti me magnitudë 3.9 dhe 4.0 të shkallës Rihter janë regjistruar pak pas mesnatës së kësaj të hëne në jug të Shqipërisë, sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC).

Sipas EMSC-së, lëkundjet janë regjistruar në orën 00:58 dhe 00:59, me epiqendër rreth 16 kilometra në jugperëndim të Çorovodës dhe 77 kilometra në jug të Elbasanit. Thellësia e tërmeteve ka qenë vetëm 2.5 kilometra, çka i klasifikon ato si tërmete të cekëta, pra më të ndjeshme në sipërfaqe.

Lëkundjet janë ndjerë në disa qytete të vendit, përfshirë Elbasanin, Beratin dhe zonat përreth Skraparit, si dhe në disa zona rurale përreth.

Sipas raportimeve të para nga qytetarët në rrjetet sociale, tërmeti është ndjerë për disa sekonda, duke shkaktuar shqetësim, por pa dëme materiale apo viktima të raportuara deri më tani.

Ekspertët sqarojnë se një tërmet me magnitudë 4.0 konsiderohet i moderuar, por kur ndodh në thellësi kaq të vogël, perceptohet më fort nga popullata.

“Tërmetet e cekëta shpesh perceptohen si më të fuqishme, edhe kur magnituda është mesatare,” thuhet në shpjegimin teknik të EMSC.

Epiqendra ndodhet rreth 104 kilometra larg Tiranës, dhe ndonëse nuk janë raportuar pasoja, institucionet e monitorimit sizmik po vijojnë ndjekjen e situatës në rast të paslëkundjeve të mundshme.

SHBA del për herë të parë nga lista e 10 pasaportave më të fuqishme në botë

Indeksi i Pasaportave Henley është një nga disa renditjet që matin fuqinë e pasaportës në këtë drejtim dhe, për herë të parë në 20 vitet e ekzistencës së tij, pasaporta e Shteteve të Bashkuara ka rënë jashtë listës së 10 më të mirave.

Tre pasaporta aziatike kryesojnë tashmë listën: Singapori, me akses pa vizë në 193 destinacione në mbarë botën; Koreja e Jugut, me akses në 190; dhe Japonia, me 189.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara ndodhen në vendin e 12-të në renditjen më të fundit tremujore, në barazim me Malajzinë.

Qytetarët e të dy vendeve gëzojnë akses pa vizë në 180 nga 227 vendet dhe territoret që gjurmohen nga indeksi, i cili është krijuar nga firma londineze këshillimore për shtetësi dhe rezidencë Henley & Partners, duke përdorur të dhëna ekskluzive nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA). Dhe për shkak se Henley numëron disa vende me të njëjtin rezultat si një pozicion i vetëm në renditje, në fakt janë 36 vende që renditen më lart se SHBA në listë.

‘Rënie e fuqisë’

Në vitin 2014, SHBA mbante vendin e parë, dhe në korrik të këtij viti ajo ende qëndronte në dhjetëshen e parë. Atëherë, çfarë fshihet pas kësaj rënieje të mëtejshme?

Fajtorë janë një sërë ndryshimesh në akses. Në prill, Brazili hoqi aksesin pa vizë për qytetarët nga SHBA, Kanada dhe Australia për shkak të mungesës së reciprocitetit. Kina po zbaton politika më mikpritëse, duke ofruar përjashtime nga viza për dhjetëra vende, kryesisht europiane, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, por SHBA nuk është përfshirë.

Papua Guinea e Re dhe Mianmari gjithashtu kanë ndryshuar politikat e tyre të hyrjes, gjë që ka përmirësuar renditjen e pasaportave të tjera, duke e dobësuar edhe më shumë atë të SHBA. Goditja përfundimtare, sipas raportit të fundit nga indeksi, ishte nisja e sistemit të ri të vizave elektronike nga Somalia dhe përjashtimi i SHBA-së nga lista e vendeve me përjashtim nga viza e shpallur së fundmi nga Vietnami.

“Rënia e fuqisë së pasaportës amerikane gjatë dekadës së fundit nuk është thjesht një riorganizim i renditjeve – ajo sinjalizon një zhvendosje themelore në lëvizshmërinë globale dhe dinamikat e fuqisë së butë,” tha Christian H. Kaelin, kryetar i Henley & Partners, në një deklaratë. “Kombet që përqafojnë hapjen dhe bashkëpunimin po përparojnë, ndërsa ato që mbështeten në privilegje të së kaluarës po mbeten pas.”

Ngjitja e madhe e Kinës

Pasaporta e Mbretërisë së Bashkuar, e cila dikur mbante vendin e parë në indeks në vitin 2015, ka rënë gjithashtu në pozicionin më të ulët ndonjëherë, duke zbritur dy vende që nga korriku, nga vendi i 6-të në të 8-in.

Gjatë kësaj dekade të rënies për SHBA-në dhe MB-në, Kina ka bërë një ngjitje të ndjeshme në renditje, duke u ngjitur nga vendi i 94-t në 2015 në vendin e 64-t në 2025, duke fituar akses pa vizë në 37 destinacione të tjera gjatë kësaj kohe.

Raporti i Indeksit Henley thekson lëvizjet e fundit të Kinës, duke ofruar akses pa vizë për Rusinë, marrëveshje të reja me vendet e Gjirit Persik, Amerikën Latine dhe disa vende europiane, si shembuj të strategjisë së vazhdueshme të Pekinit për hapje të mëtejshme.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë një tjetër histori suksesi në indeks, pasi kanë ngjitur 34 vende në dekadën e fundit, nga vendi i 42-të në vendin e 8-të.

Në fundin tjetër të listës, në vendin e 106-të, Afganistani vazhdon të mbetet në vendin më të ulët, me akses pa vizë në vetëm 24 destinacione, dy më pak se në fillim të këtij viti. Siria renditet në vendin e 105-të (me 26 destinacione) dhe Iraku në të 104-in (me 29 destinacione).

Ky është një hendek i thellë mobiliteti prej 169 destinacionesh mes pasaportave më të fuqishme dhe atyre më të dobëta.

Lista e Henley është një nga disa indekse të krijuara nga firma financiare për të renditur pasaportat globale sipas aksesit që ofrojnë për qytetarët e tyre.

Ndërkohë, Indeksi i Fuqisë së Pasaportës së Arton Capital merr në konsideratë pasaportat e 193 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe gjashtë territoreve, Tajvani, Makao, Hong-Kongu, Kosova, territoret palestineze dhe Vatikani. Territoret të aneksuara nga vende të tjera përjashtohen.

Ai gjithashtu përditësohet në kohë reale gjatë gjithë vitit dhe të dhënat e tij mblidhen nëpërmjet monitorimit të ngushtë të portaleve të qeverive përkatëse.

Renditja Globale e Fuqisë së Pasaportës për 2025 sipas Arton Capital e vendos Emiratet e Bashkuara Arabe në vendin e parë, me një rezultat të aksesit pa vizë/ose me vizë në mbërritje prej 179. Vendin e dytë e ndajnë Singapori dhe Spanja, me nga 175.

Pasaportat më të fuqishme për vitin 2025:

1.Singapori – 193 destinacione

2.Koreja e Jugut – 190

3.Japonia – 189

4.Gjermania, Italia, Luksemburgu, Spanja, Zvicra – 188

5.Austria, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Irlanda, Holanda – 187

6.Greqia, Hungaria, Zelanda e Re, Norvegjia, Portugalia, Suedia – 186

7.Australia, Çekia, Malta, Polonia – 185

8.Kroacia, Estonia, Sllovakia, Sllovenia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbretëria e Bashkuar – 184

9.Kanadaja – 183

10.Letonia, Lihtenshtejni – 182

11.Islanda, Lituania – 181

12.SHBA, Malajzia – 180 /Monitor

Zjarri ne banese-Nderron jete edhe nje prej femijeve

Pas nënës, edhe njëri prej djemve 14-vjeccar ka ndërruar jetën për shkak të zjarrit në një banesë në Maliq.

Nga kjo ngjarje të tre familjarët janë transportuar drejt spitalit të Korccës me urgjencë.