Shoferi humb kontrollin, përmbyset makina në rrugë

Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e sotme në aksin Sarandë–Skërficë, në afërsi të fshatit Senicë, Njësia Administrative Vergo, bashkia Delvinë.

Ngjarja ndodhi kur një automjet tip Toyota, i drejtuar nga shtetasi Alton Zhuli, 50 vjeç, u përmbys në mes të aksit rrugor, pasi drejtuesi humbi kontrollin mbi drejtimin.

Fatmirësisht, nga aksidenti nuk ka pasur të lënduar, ndërsa janë regjistruar vetëm dëme materiale.

Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Sarandës, të cilat kryen veprimet procedurale dhe verifikimet përkatëse. Testi i alkoolit rezultoi negativ, duke përjashtuar konsumimin e alkoolit si shkak të mundshëm të aksidentit.

Autoritetet janë duke hetuar për të përcaktuar shkakun e saktë të humbjes së kontrollit, ndërsa paraprakisht dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të lagështirës në rrugë apo ndonjë defekti teknik të mjetit.

Samiti i Procesit të Berlinit, kryeministri Rama mirëpritet nga Mbreti Charles III në Londër

Kryeministri Edi Rama u mirëprit nga Mbreti Charles III në Londër, bashkë me udhëheqësit e tjerë të Ballkanit Perëndimor.Në foton e publikuar, shihet momenti kur kreu i qeverisë i jep dorën Mbretit, ndërsa prezent në sallë është dhe kryeministri i Britanisë së Madhe.

Mbreti Charles III ka mirëpritur udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Londër, për bisedime mbi emigracionin, sigurinë dhe rritjen ekonomike.Londra do të presë zyrtarisht liderët rajonalë në takimin e radhës të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në kryeqytetin britanik.

Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, i cili është bërë pjesë e disa tryezave dhe forumeve që të martën e 21 tetorit, ku ka folur për tema të ndryshme si integrimi drejt Bashkimit Evropian dhe ndërveprimi rajonal, e deri te gjeopolitika e kontinentit të vjetër.

Takimi i sivjetshëm, i cili zhvillohet në Londër nën mikpritjen e kryeministrit britanik Keir Starmer, do të mbledhë në një tryezë liderët e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së, përfshirë Gjermaninë dhe Francën

Ndërtim pa leje brenda spitalit, Prokuroria Fier dërgon në gjyq ish-drejtorin për ‘Shpërdorim detyre’ dhe 4 persona të tjerë për ‘Falsifikim të dokumenteve’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin P.V., i akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe shtetasit Xh.B., J.Sh., K.L. dhe A.Sh., të akuzuar për veprën penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera mbi procedimin penal nr.831 të vitit 2021 u provua se:

-​ I pandehuri P.V., në cilësinë e drejtorit të Spitalit “Ihsan Çabej” Lushnjë, urdhëroi ndërtimin e shtesës së quajtur “ura lidhëse mes pavioneve të patologjisë dhe të infektivit” pa marrë leje ndërtimi nga organet kompetente, duke ndryshuar destinacionin e fondit buxhetor të parashikuar për mbulimin e zbatimit të kontratës së mirëmbajtjes nr.670/1, datë 05.06.2019, pa ndjekur procedurën përkatëse ligjore dhe duke shmangur kryerjen e procedurës së prokurimit publik. Gjithashtu, situacionet e punimeve që sipas këtij të pandehuri ishin kryer tek “ura lidhëse”, përmbajnë më shumë punime se ato të realizuara realisht, çka ka sjellë një përfitim të padrejtë për shoqërinë “D…” dhe dëm ekonomik për buxhetin e shtetit. 

-​Të pandehurit Xh.B., J.Sh., K.L. në cilësinë e anëtarëve të komisionit të ndjekjes së zbatimit të kontratës së mirëmbajtjes nr.670/1, datë 05.06.2019, kanë hartuar procesverbalin e datës 17.02.2021 mbi punimet e kryera në magazinën e oksigjenit si dhe procesverbalin e datës 30.04.2021 për punimet e kryera në pavionin e infektivit; asnjë prej të cilave në fakt nuk është kryer. 

-​I pandehuri A.Sh. në cilësinë e drejtuesit teknik të shoqërisë dhe të inxhinierit zbatues të kontratës së mirëmbajtjes nr.670/1, datë 05.06.2019, të lidhur nga shoqëria “D…” shpk, ka hartuar situacionin përfundimtar për punimet e kryera gjatë periudhës 03.01.2021 deri 25.05.2021, situacionet e punimeve të kryera në magazinën e oksigjenit dhe tek infektivi i vjetër, si dhe bashkë me komisionin e ngritur nga Spitali “Ihsan Çabej” Lushnjë, kanë hartuar procesverbalin e datës 17.02.2021 mbi punimet e kryera në magazinën e oksigjenit si dhe procesverbalin e datës 30.04.2021 për punimet e kryera në pavionin e infektivit; të cilat në fakt nuk janë kryer. Mbi bazën e këtyre situacioneve dhe procesverbaleve ka dalë edhe urdhri i shpenzimit nr.711, datë 29.12.2021, për pagesën e shoqërisë “D…” shpk.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Dëshmia e plotë e kamerierit të lokalit ku ndodhi vr*sja e dyfishtë

“Daniel Pepa dhe Araniti kanë ardhur në lokal rreth orës 1-1.30 dhe ka kërkuar kafe. I thashë që s’ka kafe se ekspresi është fikur. Ai më tha se donte kafe patjetër, po i thashë që është fikur e s’bëhet në këtë orë.

Ai u acarua dhe në këtë moment ndërhyri Flori, për të më dalë në krah dhe nisi debati mes tyre. Nga lokali dolën te dera e lokalit dhe Flori Paluçi qëlloi mbi Aranitin, shokun e Danielit dhe Danieli më pas ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi Florin duke e lënë të vrarë”- tregon kamerieri…

Olof Palme Center i dërgon letër Kryeministrit Rama: Solidaritet me naftëtarët në grevë

Një mesazh solidariteti ndërkombëtar ka mbërritur për punëtorët shqiptarë të sektorit të naftës. Olof Palme International Center, organizata suedeze që mbështet lëvizjet sindikale dhe të drejtat e punëtorëve në mbarë botën, i ka dërguar një letër zyrtare Kryeministrit të Shqipërisë, në mbështetje të Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur dhe punëtorëve të Bankers Petroleum, të cilët ndodhen në grevë prej disa ditësh.

Në letrën drejtuar qeverisë shqiptare, Olof Palme Center thekson nevojën urgjente për një dialog të vërtetë social, respektimin e marrëveshjeve kolektive të punës dhe garantimin e një trajtim të drejtë e dinjitoz për punëtorët e industrisë së naftës.

Sipas organizatës suedeze, këta punëtorë përfaqësojnë “shtyllën e një sektori jetik për ekonominë kombëtare”, ndaj kërkesat e tyre për kushte të drejta pune dhe siguri ekonomike duhet të dëgjohen me përgjegjësi.

Ky reagim i një institucioni të njohur ndërkombëtar shihet si një sinjal mbështetjeje për kauzën e punëtorëve shqiptarë dhe si presion moral ndaj qeverisë për të garantuar të drejtat sindikale dhe sociale të tyre.

Sindikatat shqiptare e kanë mirëpritur këtë qëndrim, duke e cilësuar si “një dëshmi se zëri i naftëtarëve po dëgjohet edhe përtej kufijve të vendit”.

Vr*ten me a*më zjarri 2 persona pas një konflikti në Durrës

Informacion paraprak

Rreth orës 01:45 të datës 22.10.2025, në Manëz, pranë një karburanti, pas një konflikti dyshohet për motive të dobta, kanë mbetur të vrarë me armë zjarri shtetasit A. K., 23 vjeç, dhe F. P., 33 vjeç, të dy banues në Manëz.

Nga veprimet e para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, dyshohet se shtetasi F. P. është vrarë me armë zjarri nga shtetasi D. P., 21 vjeç, banues në Manëz, ndërsa shtetasi A. K. dyshohet se është vrarë nga shtetasi F. P.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive për kapjen e shtetasit D. P.

Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, po vijon punën në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe administrimin e çdo prove, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Sa do të kushtojnë pronat nga 1 janari 2026? -Cmimet e reja në 12 qarqe të vendit

Nga 1 Janari 2026 pronat në Shqipëri do të kushtojnë më shtrenjtë. Projektligji i Ministrisë Financave që përcakton çmimet e reja të referencës në 12 qarqe të vendit, përjashtuar vetëm Bashkinë Tiranën, së shpejti do të shkojë për diskutim në komisionet parlamentare për t’i hapur rrugë miratimit dhe hyrjes në fuqi.

Por sa do të jenë çmimet e reja dhe në cilin qark blerja e një pasurie të paluajtshme do të jetë më pak apo më shumë e kushtueshme?

Referuar draftit,  qarku më i lirë ku mund të blihet një banesë nga viti i ardhshëm është Shkodra, ku çmimi minimal nis nga 10.500 lekë/m2 për Bashkinë Fushë-Arrëz deri në 75.000 lekë/m2 në bashkinë Shkodër.

Në qarkun Gjirokastër çmimi minimal nis nga 17,000 lekë/m2 në Memaliaj dhe arrin maksimalen deri në 63.000 lekë/m2 në Gjirokastër.

Në qarkun Berat, çmimi minimal nis me 26.000 lekë/m2 në bashkinë Skrapar deri në 55 mijë lekë/m2 në qytetin e Beratit.

Në qarkun e Fierit mund të blihet një banesë që nis me çmimin 32.000 lekë/m2 në Patos dhe arrin deri në 62.000 lekë/m2 në qytetin e Fierit.

Në qarkun e Korçës, Kolonja ka çmimet më të lira zyrtare të shitjes së pronës, regjistruar në 31,300  lekë/m2, duke arritur maksimalen në zonë e parë të bashkisë së Korçës me 70.000 lekë/m2.

Për qarkun Kukës nis nga 32.000 lekë/m2 në qytetin Bajram Curri në 58.000 lekë/m2 në Kukës.

Në qarkun Lezhë nga 36.000 lekë/m2 në Milot në 70.000 lekë/m2 në Shëngjin.

Në qarkun Dibër çmimet e referencës janë përcaktuar nga 40 mijë lekë/m2 në Klos deri në 52 mijë lekë/m2 në Peshkopi.

Për Qarkun Elbasan nga 40.000 lekë/ m2 në Belsh deri në 60.000 lekë/m2 në qytetin Elbasan.

Për qarkun Durrës nga 43.000 lekë/ m2 në qytetin e Shijakut në 200 mijë lekë/ m2 në zonën 13 të qytetit Durrës.

Për qarkun Vlorë nga 31 mijë lekë në Finiq në 200 mijë lekë/m2 në zonën 7 të Vlorës, që korrespondon me ishullin e Sazanit.

Ndërkohë në qarkun Tiranë,  çmimet ndryshojnë për Kamzën, Rrogozhinën, Vorën dhe Kavajën, ku më të lira janë në Rrogozhinë në 46.000 lekë/m2 dhe çmimi më i larë arrin në Kamëz, deri në 75 mijë lekë/m2.  Ndërsa çmimet referencë brenda qytetit të Tiranës aktualisht aplikohen deri 228 mijë lekë/m2 në njësinë nr 5.    

Sipas metodologjisë, çmimet mesatare referuese janë bazuar mbi shitblerjet e 4 viteve të fundit, vendndodhjen dhe sistemin urban dhe një parashikim për tendencat e ardhshme të tregut imobiliar. Ato janë të kategorizuara në lloje pasurie si: ndërtesë, shtëpi, apartament, garazh, bodrum dhe njësi tregtare.

Çmimi për metër katror për njësitë tregtare, të shërbimit ose të prodhimit brenda ndërtesave është 1.5  herë më i lartë se çmimi referues i zonës së vlerës ku ato ndodhen, ndërsa për Tiranën kjo kategori është dy herë më e lartë. Mbi çmimet referencë të përcaktuara nga Ministria e Financave, Këshillat Bashkiake do të kenë të drejtë të lëvizin plus minus 30%.

Pensionistët, më shumë para’ në fundvit – Ndryshon sërish buxheti i shtetit 2025.

Pensionistët do të marrin një bonus më të lartë këtë fundvit. Përmes një akti normativ, qeveria ka ndryshuar buxhetin e shtetit, ku fondi i dedikuar për bonusin e fundvitit do të jetë 5.9 miliardë lekë apo 59 milionë euro. 

Referuar relacionit, ky ndryshim bëhet nisur nga realizimi i pritshëm i kontributeve për vitin 2025, të cilat rezultojnë me tejkalim, si edhe me qëllim përmirësimin e nivelit të plotësimit të nevojave të pensionistëve dhe adresimin e problematikave ekonomike me të cilat kjo kategori e shoqërisë përballet.

Shpërblimi i fundvitit për 756 mijë pensionistë, i cili në vijimësi ka shënuar si rritje të frekuencës, si edhe një trend rritës të masës së përfitimit, ka gjithmonë në fokus përmirësimin e nivelit të plotësimit të nevojave të kësaj kategorie.

Nga ana tjetër, shpenzimet kapitale me financim të brendshëm shtohen me 7.97 miliardë lekë,  nga të cilat rreth 6 miliardë lekë shkojnë si shtesë për avancimin e projekteve të ndryshme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

 Konkretisht: 2.4 mld lekë në transportin rrugor për projekte me performancë të mirë, për të cilat avancohet financimi nga viti 2026, duke krijuar hapësirë në atë vit për projektet e reja, si: “Ndërtim rruga lidhëse Tiranë – Elbasan me korridorin VIII”; “Arredim, rikualifikim urban, Superstrada Tiranë–Durrës (Faza I– III)”; “Ndërtim rruga Kashar – Nyja Vaqarr (Faza III)”; “Spostim i linjave të tensionit të lartë në aksin, korridori VIII”.

Në programin e transportit ajror 3 miliardë lekë do të shkojnë për mbështetjen e Albcontrol-it në formën e transfertës kapitale, për shkak të vështirësive të funksionimit pas bllokimit të llogarive.

Në programin “Mbështetje për energjinë” 203 milionë lekë shkojnë për mbylljen e detyrimeve të disa institucioneve (AIE, AKBN, aparati i MIE-s etj.)

Në programin e transportit hekurudhor 364 milionë lekë për vitin 2025 për zbatimin e projektit të linjës hekurudhore “Terminali i transportit publik – stacioni i trenit Tiranë (4 km)”, si zgjatim i linjës Durrës– Tiranë, me vlerë totale 1.8 miliardë lekë.

Në programe të tjera rreth 50mln lekë për programin “Mbështetje për industrinë dhe mbështetje për burimet natyrore”.

Ndryshimet në buxhet janë bërë si rrjedhim I ndryshimeve në kabinetin qeveritar dhe rialokimin e fondeve për institucione që kanë qenë të pa mbuluara si dhe performancës së mirë të të ardhurave në 9-mujor.