Rreth orës 19:00, në aksin rrugor “Levan-Tepelenë”, në fshatin Cakran, automjeti me drejtues shtetasin S. B., 30 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin e mitur O. M, rreth 16 vjeç.
Si pasojë e përplasjes shtetasi O. M, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Nesër Krishtlindje, vendim nga qeveria: Edhe e premtja ditë pushimi për administratën publike
Në prag të festës së Krishtlindjes, qeveria ka marrë vendimin që edhe dita e premte të jetë pushim zyrtar për administratën publike, duke krijuar një fundjavë të zgjatur për punonjësit e shtetit.
Kursi i këmbimit Euro-Lek po shfaq tendenca të mëtejshme në rënie gjatë kësaj jave. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 96.46 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.Sipas agjentëve të këmbimit valutor, në ditët e fundit në treg ka ofertë të shtuar të valutës së huaj, çka përfaqëson një tendencë pak a shumë të zakonshme sezonale. Në veçanti, kthimi i emigrantëve për festat e fundvitit sjell flukse më të larta të monedhës europiane.
Rënia vjetore e kursit ngelet në nivele më të ulëta krahasuar me vitet e mëparshme. Kundrejt të njëjtës datë të vitit të kaluar, kursi Euro-Lek rezulton në rënie me 2.1%.
Megjithatë, ecuria më e stabilizuar e kursit gjatë këtij viti i detyrohet më shumë ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë sesa forcave të tregut.
Nga informacionet e deritanishme, Banka Qendrore ka kryer blerje të mëdha të valutës edhe gjatë vitit 2025. Deri në fund të 9-mujorit, këto blerje kishin vlerën e rreth 800 milionë eurove, ndërsa për vitin 2024 kishte blerë 933 milionë euro të tjera. Në mungesë të ndërhyrjeve të bankës së Shqipërisë kursi i këmbimit të monedhës europiane me siguri do të kishte arritur nivele edhe më të ulëta në raport me Lekun.
Ndërkohë, Banka e Shqipërisë do të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm për vitin 2026. Sipas informacioneve nga Banka Qendrore, ajo synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet në intervalin 270-350 milionë euro të parashikuar për vitin 2025.
Shumat e mësipërme nuk përfshijnë blerjet e mundshme për qëllime të ndërhyrjes në tregun valutor, në funksion të stabilizimit të tregut apo objektivave të politikës monetare.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë argumenton se synimi i ndërhyrjeve të saj nuk ka është mbrojtja e ndonjë niveli të caktuar të kursit të këmbimit, por amortizimi i shpejtësisë së ndodhjes së këtij fenomeni. Përmbushja e këtij objektivi u gjykua e dobishme, sepse cektësia e tregut të brendshëm valutor ishte premisë për një volatilitet të shtuar të kursit dhe – në raste ekstreme -potencialisht edhe për shmangie të tij nga fondamentet. Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ndërhyrje nuk cenon regjimin valutor të kursit të lirë të aplikuar në Shqipëri.
Një ndikim shtesë në forcimin e Lekut edhe këtë vit ka luajtur politika fiskale shtrënguese e qeverisë shqiptare, karakterizuar nga një suficit i gjerë buxhetor. Për 10-mujorin 2025, ky suficit arriti vlerën e pothuajse 49 miliardë lekëve. Siç ka ndodhur rregullisht në vitet e fundit, pritet që deficiti buxhetor të shpenzohet i gjithi në ditët e fundit të dhjetorit. Kjo mund të sjellë një ringritje të përkohshme të kursit të Euros gjatë ditëve në vazhdim
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasin M. Gj., 36 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka përndjekur një shtetase të mitur, si dhe gjatë shoqërimit, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan shtetasin A. S., 60 vjeç, banues në fshatin Marinëz, pasi automjeti që drejtonte është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin O. N., 18 vjeç. Nga aksidenti është dëmtuar 18-vjeçari, i cili po merr ndihmë mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit D. Sh., 34 vjeç banues në Fier dhe Sh. F., 34 vjeç, banues në fshatin Radostinë, pasi dyshohet se kanë goditur me grushte 2 shtetas, të moshave 21 dhe 36 vjeç, për motive të dobëta.
Lushnjë/Dje, ka kallëzuar shtetasja M. V., se është larguar nga banesa, vajza e saj 15 vjeçe. Po punohet për gjetjen e saj.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen A.H., Drejtoreshë e Përgjithshmë të Taksave dhe Urbanistikës, shtetasen A.C., Drejtoreshës së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier
si dhe shtetasin V.Ç. për veprat penale ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga nenet 248 dhe 245/1 të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.68 të vitit 2025, të regjistruar kryesisht për këto dy vepra penale, rezultoi e provuar se, e pandehura A.H., në cilësinë e Drejtoreshës së Përgjithshme të Taksave dhe Urbanistikës në Bashkinë Fier, nuk ka marrë masat për vendosjen e kasës fiskale në sistemin e parkimit të Bashkisë, duke lejuar shmangien nga pagimi i detyrimeve tatimore në vlera të larta. Gjithashtu, mbi ushtrimin e ndikimit të paligjshëm prej të pandehurës mbi drejtoritë në varësi, janë realizuar faturime fiktive të subjekteve, duke i taksuar në vlera më të ulta. E pandehura A.H., ka ushtruar ndikim të paligjshëm edhe tek Drejtoresha e Takasve në Bashkinë Fier për të kryer përllogaritje të parregullt të taksave subjektit “R…” shpk, si dhe për të lëshuar një vërtetim se ky subjekt nuk kishte detyrime, ndërkohë që ai ka pasur taksa pa paguar në një vlerë të konsiderueshme.
E pandehura A.C., në cilësinë e Drejtoreshës së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, ka lëshuar (konceptuar) fatura të taksave dhe tarifave mbi vlerën reale për subjekte të caktuara dhe, pasi u janë njoftuar subjekteve të cilët kanë bërë ankesa, vlera ka ndryshuar, duke u ulur në disa raste edhe tej parashikimeve të vendosura nga Këshilli Bashkiak. E pandehura ka realizuar faturime fiktive të subjekteve, duke i taksuar ata me taksa në vlerë më të ulët se ajo për të cilën ata duhej të taksoheshin. Gjithashtu, e pandehura nuk ka marrë asnjë masë për fiskalizimin e pikave të parkimit të mjeteve në administrimin e Bashkisë.
Ndërkohë, i pandehuri V.Ç., me detyrë Drejtor i DVKT Rajoni Jugor, me urdhrin e nxjerrë prej tij ka detyruar inspektorët të kryejnë kontroll në një subjekt tregtar, pa pasur më parë një urdhër pune nga DPT. Pas kryerjes së kontrollit, i pandehuri nuk ka kryer procedurën ligjore për të kërkuar rikontroll në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe nuk ka mbikëqyrur fushatën sensibilizuese, pasi nuk është kontrolluar asnjë subjekt tjetër.
Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dërgoi çështjen në gjyq në ngarkim të të pandehurve:
• A.H., e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 245/1 prg.3 të Kodit Penal;
• A.C., i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
• V.Ç., i akuzuar për veprën kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.
Sqarim:Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Në vigjilje të Krishtlindjeve është shënuar një fluks i shtuar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.Sipas informacioneve nga autoritetet doganore, fluksi është kryesisht në hyrje të territorit shqiptar, pasi shumë shtetas shqiptarë po kthehen në atdhe për të festuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri pranë familjarëve të tyre.
Aktualisht po punohet me tre sportele në hyrje dhe dy sportele në dalje, ndërsa janë në funksion edhe dy sportele të posaçme për autobusët.Sipas të dhënave zyrtare, ka nisur edhe regjistrimi me procedurë të përshpejtuar për mjetet me targa greke.
Pavarësisht fluksit të mjeteve, situata po menaxhohet nga Policia Kufitare me qëllim shmangien e radhëve të gjata dhe reduktimin e kohës së pritjes për udhëtarët.
Nga data 19 deri në 23 dhjetor, në Kapshticë kanë hyrë 24.141 shtetas dhe kanë dalë 11.844 shtetas të huaj dhe shqiptarë.
Automjetet e përdorura të importuara nga vende të ndryshme, si Korea, Kina apo Europa do të zhdoganohen me çmime të reja reference. Udhëzimi i Ministrisë së Financave, i botuar në Fletoren Zyrtare, “Për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore”, tashmë në fuqi, sjell dhe një rritje të ndjeshme të çmimeve referuese për zhdoganimin e automjeteve.
Për autoveturat, rritja e çmimeve minimale prek të gjitha kategoritë e cilindratave.
Në udhëzimin e vitit 2018, për automjetet deri në 1400 cc vlera minimale e zhdoganimit ishte 130 mijë lekë, ndërsa me udhëzimin e ri kjo vlerë rritet në 162.5 mijë lekë, ose rreth 25% më shumë. Për kategorinë mbi 1400–1900 cc, pragu minimal kalon nga 200 mijë lekë në 250 mijë lekë, duke reflektuar sërish një rritje prej rreth 25%. E njëjta logjikë vijon edhe për cilindratat më të larta: nga 325 mijë lekë në 406 mijë lekë për segmentin 1900–2500 cc, nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë për 2500–3000 cc, nga 500 mijë lekë në 625 mijë lekë për 3000–4500 cc dhe nga 800 mijë lekë në 1 milion lekë për automjetet mbi 4500 cc.
Po ashtu, rritje pëson edhe referenca e zhdoganimit për kamionçinat, furgonët dhe kamionët.
Në udhëzimin e vitit 2018, për mjetet deri në 1.5 tonë pragu minimal ishte 400 mijë lekë, ndërsa udhëzimi i ri e çon këtë vlerë në 500 mijë lekë. Për segmentin 1.5–3.5 tonë, vlera minimale rritet nga 600 mijë lekë në 750 mijë lekë, ndërsa për mjetet 3.5–10 tonë nga 850 mijë lekë në rreth 1.06 milion lekë.
Për kamionët 10–15 tonë, pragu rritet nga 1 milion lekë në 1.25 milion lekë dhe për ata mbi 15 tonë nga 1.2 milion lekë në 1.5 milion lekë.
Rritja e çmimeve të referencës pritet të sjellë dhe një efekt në rritjen e çmimeve finale për automjetet e përdorura që importohen dhe shiten në tregun vendas. Nga ana tjetër kjo politikë favorizon edhe blerjen e automjeteve me zero kilometrazh nga koncesionarët në vend.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, për periudhën Janar-Nëntor 2025, 89.654 mjete janë regjistruar për herë të parë, nga të cilat 73.066 autovetura. Mbi 55.2% kanë moshë 8- 15 vite, 25% mbi 15 vite, 5.1 % 5-7 vite, dhe 14.7 % 0-4 vite. Korea e Jugut është në krye të listës sa i takon importit, ndjekur nga Gjermania, Italia, Kina dhe Zvicra.
Anëtari i kryesisë Ervin Salianji, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale, ku ka lëshuar akuza ndaj sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka.
Në reagimin e tij, Salianji e cilëson Nokën si “aksidenti më i madh politik në 35 vite PDSH”, duke theksuar se ai përfaqëson arsyen pse, sipas tij, “kjo parti ka nevojë urgjente për reformim”.
“Flamur Noka është aksidenti më i madh politik në 35 vite PDSH dhe arsyeja ulëritëse se pse kjo parti ka nevojë urgjente për reformim”, shkruan Salianji.
Ai vijon më tej duke e përshkruar Nokën si “produkt i qëllimshëm i politikës së pistë: pazare, shërbime, nënshtrim dhe tregti interesi”, ndërsa shton se bëhet fjalë për “një figurë që ka shitur gjithçka që ka pasur mundësi: parime, njerëz, zona, zgjedhje, mjafton të ketë pak pushtet dhe përfitim personal”.
Sipas Salianjit, modeli i përfaqësuar nga Noka ka pasoja direkte për Partinë Demokratike:
“Modeli i tij mban shumë qytetarë larg politikës dhe shumë profesionistë larg Partisë Demokratike”.
Në statusin e tij, Salianji përmend akuza për lidhje me krimin e organizuar, duke shkruar se Noka “është akuzuar publikisht nga kolegë për lidhje me krimin e organizuar, përfshirë Suel Çelën”, si edhe për “pazare me ministra, për shërbim ndaj oligarkëve dhe për rol aktiv në mbajtjen në këmbë të regjimit të Edi Ramës”.
Duke iu referuar zhvillimeve në Kukës, ai shprehet se Noka “u denoncua nga kandidati ynë se shiti bashkinë për interesa të ulëta”, duke e cilësuar atë “non grata nga demokratët e Kukësit” dhe “non grata politike mes atyre që i tradhtoi”.
Në vijim të reagimit, Salianji e etiketon Nokën si “një humbës serial”, duke shtuar:
“Fytyra e dështimit në çdo palë zgjedhje që nga viti 2013, por gjithmonë fitues në pazare personale”.
Ai thekson se ka zgjedhur të heshtë për disa ditë “për hir të demokratëve”, por akuzon Nokën se vepron për interesa personale:
“Kam disa ditë që duroj baltën për hir të demokratëve, me bindjen se duhet të heshtim për t’i qëndruar përballë qeverisë, por disa si ky paskan interesin e kolltukut jo të demokratëve”.
Salianji reagon edhe ndaj akuzave të ngritura ndaj tij, duke shkruar:
“Kur më akuzon për lidhje me krimin një njeri si Flamuri që nuk kalon dot as kufijtë, as det e as oqean për shkak të këtyre lidhjeve, për shkak të korrupsionit, grabitjes së pronave të të varfërve, apartamenteve të të pastrehëve dhe tregtisë së vendeve të punës, nuk është sulm por dëshmi që jam në rrugën e duhur”.
Në përfundim, ai i cilëson këto sulme si “një medalje nderi në luftën kundër krimit dhe karteleve kriminale e politike” dhe paralajmëron vijimin e denoncimeve:
“Pas çdo përmendjeje tjetër do të sjell dëshmi, fakte dhe do të demaskoj çdo pacipësi që thuhet”.
STATUSI I PLOTË
Flamur Noka është aksidenti më i madh politik në 35 vite PDSH dhe arsyeja ulëritëse se pse kjo parti ka nevojë urgjente për reformim!
Ai nuk është thjesht një gabim politik, as vetëm idiot apo i përdorur si gojëprishur për të zhvendosur vëmendjen! Ka njerëz që mbajnë flamurin për ideal. Ka edhe nga ata që e përdorin Flamurin pa ideal për të goditur kë t’u dalë përpara.
Ai është produkt i qëllimshëm i politikës së pistë: pazare, shërbime, nënshtrim dhe tregti interesi. Një figurë që ka shitur gjithçka që ka pasur mundësi: parime, njerëz, zona, zgjedhje, mjafton të ketë pak pushtet dhe përfitim personal.
Modeli i tij mban shumë qytetarë larg politikës dhe shumë profesionistë larg Partisë Demokratike. Por nuk do e lejoj.
Është akuzuar publikisht nga kolegë për lidhje me krimin e organizuar, përfshirë Suel Çelën. Sot, një gazetar opozitar dha dëshmi publike për takime të Mulit me Suel Çelën. Po e postoj videon
Si kjo ka dhe akuza të drejtpërdrejta për pazare me ministra, për shërbim ndaj oligarkëve dhe për rol aktiv në mbajtjen në këmbë të regjimit të Edi Ramës.
Në Kukës u denoncua nga kandidati ynë se shiti bashkinë për interesa të ulëta, duke hapur rrugë Safet Gjicit dhe rrethit kriminal që e shoqëronte. Për këtë arsye është non grata nga demokratët e Kukësit. Non grata politike mes atyre që i tradhtoi.
Një humbës serial, fytyra e dështimit në çdo palë zgjedhje që nga viti 2013, por gjithmonë fitues në pazare personale.
Kam disa ditë që duroj baltën për hir të demokratëve, me bindjen se duhet të heshtim për t’i qëndruar përballë qeverisë por disa si ky paskan interesin e kolltukut jo të demokratëve! Personalisht vetëm kam denoncuar bandat e kartelet nga jugu në veri e kur më akuzon për lidhje me krimin një njeri si Flamuri që nuk kalon dot as kufijtë, as det e as oqean për shkak të këtyre lidhjeve, për shkak të korrupsionit, grabitjes së pronave të të varfërve, apartamenteve të të pastrehëve dhe tregtisë së vendeve të punës, nuk është sulm por dëshmi që jam në rrugën e duhur! Një medalje nderi në luftën kundër krimit dhe karteleve kriminale e politike.
Për lidhjet me Ergys Agasin prisni dhe pak dhe do t’i shihni: bizneset, ortakëritë dhe bashkëpunimet. E vërteta ka këtë zakon: del gjithmonë dhe nuk pyet as për zhurmë, as për mbrojtje politike.
Sa më përket mua, zero lidhje me këtë kategori. Kaq për sot. Pas çdo përmendjeje tjetër do të sjell dëshmi, fakte dhe do të demaskoj çdo pacipësi që thuhet.