Kamioni humb kontrollin dhe përplaset me një makinë,2 v*ktima në Rumani (VIDEO)

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy personave ka ndodhur në Rumani, në rrugën midis Drăguşeni dhe Iaşi. Pamjet e publikuara nga mediat vendase tregojnë momentet dramatike kur një kamion del jashtë kontrollit dhe përplaset me një makinë që po vinte përballë.

Sipas raportimeve, kamioni po lëvizte në një rrugë të lagur nga shiu kur shoferi, 54 vjeç, humbi kontrollin e mjetit. Pjesa e pasme e kamionit filloi të rrëshqiste në korsinë e kundërt, duke e bërë të pamundur shmangien e përplasjes.

Në anën tjetër të rrugës po udhëtonte një makinë e zezë me dy persona në bord. Shoferi i saj, 42 vjeç, dhe pasagjeri 39 vjeç, nuk arritën t’i mbijetonin goditjes dhe u gjetën të vdekur nga ekipet e emergjencës që mbërritën në vendngjarje.

Ndërkohë, shoferi i kamionit shpëtoi pa lëndime të rënda. Sipas policisë rumune, ai rezultoi negativ në testin e alkoolit dhe refuzoi të dërgohej në spital, duke pretenduar se ndjehej mirë.

Autoritetet po hetojnë shkaqet e aksidentit dhe nuk përjashtohet mundësia e ngritjes së akuzës për vrasje nga pakujdesia ndaj shoferit të kamionit.

Rikthehet Stacioni i trenit në Tiranë, qeveria akordon 364 milionë lekë për projektin

Qeveria ka akorduar 364 milionë lekë nëpërmjet Aktit Normativ të buxhetit 2025 për ndërtimin e segmentit të ri hekurudhor, me një kosto totale që arrin 1.8 miliardë lekë.

Segmenti 4 km do të lidhë Kamzën me qendrën e Tiranës

Sipas dokumenteve shoqëruese, segmenti i ri hekurudhor do të ketë një gjatësi prej 4 kilometrash, duke nisur nga terminali i transportit publik pranë kthesës së Kamzës dhe duke përfunduar në vendndodhjen historike të stacionit të trenit në qendër të kryeqytetit. Projekti parashikon ndërtimin e një godine moderne për stacionin, që do të shërbejë si nyje lidhëse për transportin urban dhe hekurudhor.

Linja Tiranë–Durrës–Rinas drejt përfundimit

Punimet për linjën hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas janë drejt fazës përfundimtare. Sipas Hekurudhës Shqiptare, 90% e punimeve civile dhe të sinjalizimit janë përmbyllur, ndërsa mbeten për t’u finalizuar instalimet e brendshme të sistemit të telekomunikacionit. Punimet për stacionet janë realizuar rreth 25% dhe pritet të përfundojnë në maj të vitit 2026.

Ndërtimi i linjës hekurudhore pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, ndërsa elektrifikimi dhe mbërritja e trenave për fillimin e operimeve janë planifikuar për tremujorin e parë të vitit 2027. Tenderi për fazën e elektrifikimit po zhvillohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Tenderi për stacionin e ri nis së shpejti

Pas akordimit të fondeve shtesë në buxhet, pritet që Ministria e Infrastrukturës dhe Hekurudha Shqiptare të shpallin garën ndërkombëtare për ndërtimin e segmentit të fundit 4 kilometra dhe godinës së re të stacionit. Projekti konsiderohet një hap kyç për integrimin e transportit hekurudhor në zhvillimin urban të Tiranës.

Scan

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan ka regjistruar rritje të kuotës këtë mëngjes teksa është blerë sot në raport me javën që lamë pas me 82.7 lekë dhe është shitur me 83.6 lekë sipas kursit të këmbimit lokal.

Monedha europiane nuk ka pasur luhatje të ndjeshme të kuotës gjatë fundjavës pasi në raport me javën e shkuar është blerë këtë mëngjes me 96.3 lekë dhe është shitur me 97 lekë me një rënie të lehtë në shitje.

Franga zvicerane ndërkaq ka pësuar një zbritje të vlerë mëngjesin e sotëm pasi krahasuar me javën e kaluar është blerë me 103.6 lekë dhe është shitur me 104.7 lekë referuar tregut të brendshëm valutor.

Paundi britanik sakaq edhe pse me një rritje të lehtë nga java e shkuar nuk duket të ketë pësuar lëvizje të konsiderueshme të kuotës duke u blerë këtë të hënë me 110 lekë dhe duke u shitur me 111.1 lekë.           

Deputeti i PD-së, Bledion Nallbati shkon në SPAK

Demokrati Bledion Nallbati është paraqitur në orët e para të kësaj të hëne në Prokurorinë e Posaçme.

Ndërsa nuk është e qartë arsyeja e thirrjes së tij në SPAK, kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Nallbati bëhet subjekt i hetimeve në SPAK.

3 persona përfundojnë në spital ne Lushnje pas nje konflikti mes tyre

Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë orëve të natës në qytetin e Lushnjës, ku tre persona kanë mbetur të plagosur me thikë pas një sherri.Sipas burimeve nga policia, përplasja ka ndodhur ndërsa personat e përfshirë ndodheshin duke konsumuar pije alkoolike. Konflikti dyshohet se ka nisur pas një debati të çastit dhe më pas ka degjeneruar në dhunë fizike.

Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin e Lushnjës, ku po marrin ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Itali/ 19-vjeçari shqiptar gjendet i pajetë në banesen e tij nga familjaret

Një tragjedi e rëndë ka ndodhur të premten, më 24 tetor, në Masotti, Serravalle Pistoiese të Italisë ku një i ri shqiptar, Flavio Saraci, 19 vjeç, u gjet i pajetë në dhomën e tij nga vëllai më i vogël.

Sipas dëshmive, i riu, i cili ishte atletik dhe aktiv në sporte, nuk kishte probleme shëndetësore të njohura. Vdekja e tij papritur duket se ka ardhur si pasojë e një sëmundjeje fatale, e cila është ende e paqartë për mjekët.

Shërbimet e urgjencës mbërritën menjëherë dhe e transportuan Flavion në Spitalin San Jacopo, por pavarësisht përpjekjeve, mjekët konfirmuan vdekjen e tij. Familja, e shokuar dhe e dëshpëruar, u përball me humbjen e madhe të djalit të tyre.

Flavio Saraci ishte diplomuar vitin e kaluar në Institutin Filippo Pacini në Pistoia dhe njiheshin nga komuniteti si një i ri me personalitet të qetë dhe të rezervuar.

Autoritetet shëndetësore pritet të kryejnë autopsinë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes së Flavio Saracit, ndërkohë që komuniteti dhe familja po përballen me pikëllimin e papërshkrueshëm.

Rinasi, aeroporti i parë në Europë ku s’do ketë kontroll pasaporte!

Screenshot

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një tjetër hap në drejtim të dixhitalizimit të shërbimeve publike dhe modernizimit të infrastrukturës në vend. Në podcastin e tij “Flasim”, Rama njoftoi se nga janari 2026 do të hyjë në funksion porta dixhitale e hyrjes në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, një risi që e vendos Shqipërinë ndër të parat në Europë për përdorimin e teknologjisë biometrike në kontrollin kufitar.

🔹 

Porta dixhitale në Rinas

Sipas kryeministrit, pasagjerët që mbërrijnë në Shqipëri nuk do të ndalohen më për kontroll pasaporte, por do të kalojnë përmes një porte dixhitale që verifikon identitetin e tyre përmes pamjes (njohjes biometrike të fytyrës).

Sistemi do të lidhet automatikisht me biletën e udhëtimit dhe të dhënat personale, duke mundësuar një proces hyrjeje pa kontakt dhe pa vonesa.

“Një tjetër inovacion i bukur që po përgatisim është hyrja në Shqipëri nga aeroporti ‘Nënë Tereza’ pa asnjë ndalesë dhe pa kontroll pasaporte, por përmes një porte digjitale, të cilës i mjafton pamja jote për të verifikuar identitetin tënd”, tha Rama.

Ai shtoi se aeroporti i Tiranës, i njohur tashmë për përdorimin e portave elektronike të pasaportave, do të bëhet i pari aeroport në Europë me këtë nivel automatizimi të plotë të kontrollit kufitar.

Një v*ktimë dhe 8 të plagosu kete te diele nga aksidentet ne rruge

8 të lënduar dhe 1 viktimë. Është ky bilanci i deritanishëm si pasojë e aksidenteve rrugore të ndodhura në disa prej akseve të vendit këtë të diel. 5 qytetarë kanë mbetur të plagosur si pasojë e përplasjes së 2 automjeteve në rrugën e Arbërit, në aksin Bulqizë-Maqellarë.

Të lënduarit janë transportuar menjëherë në spitalin e Peshkopisë. Shpejtësia e lartë e automjeteve dhe lagështira në rrugë mendohet të kenë qenë edhe shkaqet e aksidentit.

Një viktimë është shënuar në Golem, teksa një 19-vjeçar ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit si pasojë e lagështirës në rrugë dhe ka aksidentuar një 56-vjeçare këmbësore, e cila më pas ka ndërruar jetë.

Ndërsa në Çërravë të Pogradecit, një çift të huajsh teksa udhëtonin me motor janë përplasur nga një automjet. Por fatmirësisht nuk kanë marrë dëmtime të rënda.

Edhe në qendër të Fierit, një automjet tip Mercedes ka përplasur një këmbësore në vijat e bardha, duke u bërë më pas shkak aksidenti edhe për një tjetër përplasje me një automjet pas tij.

Këmbësorja u transportua në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Policia po heton shkaqet e aksidenteve të ndodhura këtë të diel, ndërsa si dyshime paraprake mendohet të kenë qenë shpejtësia e automjeteve dhe lagështira në rrugë.