Rama reagon ashper ndaj Gjykatës Kushtetuese: Po zhvillohet një farsë për rritjen e pagave të gjyqtarëve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetin social X, lidhur me seancën e sotme në Gjykatën Kushtetuese, ku po shqyrtohet çështja e pagave të gjyqtarëve. Rama e cilësoi procesin si “farsën më të shëmtuar të imagjinueshme”, duke theksuar se sipas tij ajo është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh që synojnë rritjen e pagave përmes vendimeve gjyqësore.

Sipas kryeministrit, kjo nismë synon të thyejë piramidën shtetërore të pagave dhe të zhvendosë kompetencat kushtetuese të qeverisë dhe parlamentit për politikën e pagave. Rama u shpreh se kërkesa e shoqatave parashikon që gjyqtarët të kenë të drejtën ta rrisin vetë pagën sa herë që rriten pagat në sektorë të tjerë, duke e kthyer Shqipërinë, sipas tij, në një rast unik në botë.

Në reagimin e tij, Rama shprehu gjithashtu respekt për SPAK-un, duke vlerësuar faktin që nuk iu bashkua kësaj nisme, të cilën ai e cilësoi si një përpjekje të papranueshme për përfitime financiare përmes gjykatave

Rama i përgjigjet ftesës së Trump: Shqipëria drejt anëtarësimit në Bordin e Paqes

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se i ka përcjellë Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, përgjigjen zyrtare lidhur me ftesën për të marrë pjesë në Bordin e Paqes, një nismë ndërkombëtare e fokusuar në promovimin aktiv të paqes globale.

Në mesazhin e tij, Rama e cilëson këtë ftesë si një nder të veçantë për Shqipërinë, duke theksuar se vendi ynë është ftuar të jetë anëtar themelues i këtij bordi. Kryeministri bën me dije se angazhimi do t’i përcillet së shpejti edhe Kuvendit të Shqipërisë për miratim, sipas procedurave kushtetuese.

Në letrën drejtuar Presidentit Trump, Rama vlerëson rolin e Bordit të Paqes si një instrument konkret dhe jo thjesht deklarativ, i krijuar për të reaguar me shpejtësi ndaj konflikteve dhe për të adresuar shkaqet e thella të paqëndrueshmërisë globale. Ai thekson se paqja nuk duhet të mbetet objekt diskutimesh formale, por të shndërrohet në veprim të drejtpërdrejtë dhe të përgjegjshëm.

Kryeministri rithekson gjithashtu aleancën e fortë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke nënvizuar rolin historik dhe vendimtar të SHBA-së në garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Rama shpreh gatishmërinë e plotë të Shqipërisë për të kontribuar në këtë nismë globale, në frymën e partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Edi Rama

✍🏻 Sot i përcolla Presidentit Donald J. Trump përgjigjen e ftesës së tij për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. 

Së shpejti ky angazhim do t’i përcillet edhe Kuvendit të Shqipërisë për miratim. 

#KrenarpërShqipërinë🇦🇱🇺🇸🇪🇺

*** 

Bashkëlidhur përkthimi: 

Republika e Shqipërisë

Kryeministri

Tiranë, 19 janar 2026

Shkëlqesisë së Tij Z. Donald J. Trump

President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Washington, DC

I nderuar Zoti President,

Po ju shkruaj për të shprehur vlerësimin tim më të thellë për angazhimin tuaj të fortë dhe udhëheqjen vizionare në themelimin e Bordit të Paqes, si edhe për t’ju falënderuar sinqerisht për ftesën që më keni drejtuar personalisht për të qenë pjesë e tij, si edhe për ftesën drejtuar vendit tim, Republikës së Shqipërisë, për të shërbyer si anëtare themeluese.

Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente.

Duke trajtuar njëkohësisht pasojat e menjëhershme të konflikteve dhe shkaqet më të thella strukturore që e prodhojnë paqëndrueshmërinë, kjo nismë ka potencialin të shndërrohet në një model vërtetë transformues të ndërtimit të paqes në nivel global.

Duket qartë se për të qenë një organizatë e re ndërkombëtare, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum tjetër deklaratash, procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si një instrument i përqëndruar dhe qëllimplotë i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale.

Kur filtrohet pafundësisht përmes shtresave të procedurave, paqja shumë shpesh mbërrin tepër vonë; kjo nismë mishëron me plot të drejtë kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes.

Prandaj, është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim.

Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare.

Populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë dhe do ta çmojë vazhdimisht rolin parimor dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë në momente kritike të historisë sonë të përbashkët. Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.

Duke pritur me interes të kontribuoj në suksesin e misionit të Bordit të Paqes, ju lutem pranoni, Zoti President dhe Kryetar i Bordit, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Me respekt,

Edi Rama

Fluks fëmijësh në Pediatrinë e Fierit, 120 raste me gripin A në 24 orë

Një fluks i lartë fëmijësh është regjistruar në shërbimin e Pediatrisë në Fier gjatë 24 orëve të fundit. Burime nga spitali bëjnë me dije se 120 pacientë të vegjël janë paraqitur për vizita ambulatore, të prekur nga virusi gripal i tipit A.

Situata ka sjellë edhe rritje të shtrimeve në spital, ku 35 fëmijë kanë pasur nevojë për trajtim të specializuar për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Mjekët bëjnë me dije se simptomat e këtij virusi janë të ngjashme me gripin e zakonshëm, por në shumë raste shfaqen më të forta, me temperaturë shumë të lartë deri në 40 gradë, dhimbje koke, kollë dhe këputje trupore.

Mjekët u bëjnë apel prindërve të tregojnë kujdes të shtuar, pasi virusi ka një kohëzgjatje relativisht të gjatë dhe mund të sjellë komplikacione, veçanërisht tek fëmijët me imunitet të dobët. Këshillohet shmangia e ambienteve të mbipopulluara, ndjekja e higjienës personale dhe paraqitja e menjëhershme te mjeku në rast përkeqësimi të simptomave.

Fier: Arrestime për dr*gë dhe vjedhje, disa procedime penale për shkelje të ndryshme ligjore

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier arrestuan shtetasin A. Xh., 35 vjeç, banues në fshatin Zhavar, pasi gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit R. H., 30 vjeç, banues në Tiranë, dhe J. M., 30 vjeç, banues në Roskovec, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën secilit prej tyre, sasi të lëndës së dyshuar narkotike kanabis.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin G. L., 23 vjeç, banues në fshatin Buzmadh, pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke vjedhur kabllo elektrike në serat e një shtetasi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër arrestuan shtetasin G. M., 42 vjeç, banues në Ballsh, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, pasi ka dëmtuar 3 varre të familjarëve të tij.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit K. M., 69 vjeç, N. V., 54 vjeç, dhe S. Z., 65 vjeç, pasi drejtonin motomjetet, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., për veprën penale “Përndjekja”, pasi ka bërë kallëzim për të, shtetasja F. M.(L).

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. K., 60 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u konstatua duke kryer punime, pa leje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin P. L., pasi u konstatua duke vjedhur produkte ushqimore në një market.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Kur rrjetet sociale ushqejnë budallallëkun dhe varfëria kalon pa zë

Shqiptarët sot nuk vuajnë nga mungesa e informacionit, por nga shpërqendrimi i vëmendjes. Në një kohë kur pagat, pensionet dhe kushtet e punës përcaktojnë cilësinë e jetës, vëmendja kolektive shpesh rrëshqet drejt videove banale, ku ngjyra e flokëve dhe forma e thonjve marrin më shumë klikime sesa e ardhmja ekonomike e një familjeje.

Rrjetet sociale kanë kthyer të parëndësishmen në spektakël dhe të rëndësishmen në sfond. Ato ushqejnë një kulturë ku argëtimi i shpejtë mbizotëron mbi reflektimin, ku emocioni i çastit fiton ndaj faktit dhe analiza humbet përballë banalitetit. Kështu, ndërsa publiku argëtohet, vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt jetën e tij merren pa zhurmë dhe pa rezistencë.

Kjo nuk është thjesht çështje shijeje personale; është një krizë qytetare. Një shoqëri që nuk informohet për problemet reale e humb aftësinë për të reaguar, për të kërkuar drejtësi dhe për të mbrojtur interesat e veta. Heshtja përballë padrejtësive ekonomike dhe sociale nuk lind nga paqja, por nga lodhja dhe shpërqendrimi.

Ironia qëndron në faktin se kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë burime informacioni, por kurrë më parë nuk ka pasur kaq pak vullnet për t’i dëgjuar. Kur lajmi serioz shihet si “i mërzitshëm” dhe budallallëku si argëtim, shoqëria nis të humbasë busullën morale dhe intelektuale.

Në fund, çmimi i këtij shpërqendrimi nuk paguhet me klikime, por me paga të ulëta, pensione të pamjaftueshme dhe punonjës të pambrojtur. Dhe ndërsa sytë mbeten te ekrani për gjëra të kota, realiteti vazhdon të vendosë fatet e përditshme pa u pyetur askush

Zhurma e Gaz Bardhit ndaj Belinda Ballukut, simptomë e një opozite në krizë dhe humbesi politik

Nga Vladimir Muçaj

Nisja e sesionit të ri parlamentar të vitit 2026 u shënua, fatkeqësisht, jo nga ide të reja apo alternativa serioze politike, por nga rikthimi i një opozite të vjetër në mendësi, e zhurmshme në formë dhe e varfër në përmbajtje. Seanca e parë e Kuvendit u inaugurua me ulërima, kacafytje dhe kaos verbal, një skenar tashmë i konsumuar, që dëshmon se kur shterojnë idetë dhe bie pesha politike, zhurma shndërrohet në mjetin e vetëm të opozitarizmit.
Kjo sjellje nuk është as spontane dhe as e rastësishme. Ajo përfaqëson një model opozitar të trashëguar, të mbetur peng i protagonizmit personal dhe i një opozitarizmi të tipit Gaz Bardhi, ku përplasja zë vendin e debatit dhe retorika agresive zëvendëson argumentin. Në mungesë të një vizioni alternativ për vendin, opozita zgjedh të prodhojë tension artificial, duke e trajtuar Parlamentin më shumë si arenë për shfryrje politike sesa si institucion kushtetues të përfaqësimit.
Në këtë kontekst, zhurma e Gaz Bardhit ndaj pranisë dhe rolit të Belinda Ballukut në Kuvend është politikisht e pakuptimtë dhe taktikisht e gabuar. Një politikan që pretendon zgjuarsi dhe maturi duhet, së pari, të lexojë drejt raportet e forcës brenda kampit të tij dhe, së dyti, të presë zhvillimet politike dhe penale që rëndojnë mbi figurat kyçe të aleatëve të tij, përfshirë Sali Berishën, Fatmir Mediun e çështje të tjera të hapura që ende kërkojnë përgjigje para drejtësisë.
Së dyti, faktet elektorale janë kokëforta dhe nuk mbulohen me britma parlamentare. Në zgjedhjet e 11 majit, Gaz Bardhi, si drejtues politik i Partisë Demokratike në Qarkun Fier, përballë Belinda Ballukut si drejtuese politike e mazhorancës, pësoi një humbje të rëndë. Rezultati prej vetëm katër mandatesh për PD-në në atë qark përbën një nga humbjet më të thella të viteve të fundit dhe një përgjegjësi direkte politike për drejtimin dhe strategjinë e ndjekur.
Së treti, përpara se të artikulojë sulme personale në sallën e Kuvendit, Gaz Bardhi duhet të kujtojë qëndrimet e tij publike ndaj Sali Berishës në periudhën e konfliktit të brendshëm për vulën e Partisë Demokratike. Deklaratat e asaj kohe, të bëra “me hunj” politikë kundër lidershipit historik të PD-së, mbeten pjesë e arkivit politik dhe dëshmojnë një luhatshmëri që e dobëson moralin e sotëm opozitar.
Në përfundim, sesioni i ri parlamentar kërkon përgjegjësi institucionale, ide të reja dhe debat politik serioz. Opozita nuk mund të ndërtojë besueshmëri publike duke ricikluar zhurmën, konfliktin dhe figurat e konsumuara. Pa një reflektim të thellë mbi humbjet, gabimet dhe kontradiktat e brendshme, opozitarizmi mbetet thjesht një shfaqje kaotike, e paaftë për të ofruar alternativë qeverisëse dhe për të përmbushur rolin kushtetues që i takon.

Trump:Nëse nuk ka marrëveshje me Groenlandën, BE-ja mund të përballet me tarifa 100%

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se Evropa duhet të përqendrohet te lufta në Ukrainë, jo te Groenlanda dhe këmbënguli se do të ndjekë planin e tij tarifor.Në një intervistë të shkurtër telefonike me rrjetin partner amerikan NBC News, Trump tha se do t’i godasë “100%” vendet evropiane me tarifa nëse nuk mund të arrihet një marrëveshje për Groenlandën

“Evropa duhet të përqendrohet në luftën me Rusinë dhe Ukrainën, sepse sinqerisht, e shihni se çfarë u ka sjellë kjo atyre”, tha Trump.

“Kjo është ajo në të cilën duhet të përqendrohet Evropa – jo Groenlanda.”

I pyetur nëse do të përdorte forcën për të pushtuar Groenlandën, presidenti tha: “Pa koment”.

Berisha:Kjo javë do të jetë përcaktuese, protesta më fuqishme që ka njohur Tirana

Kryedemokrati Sali Berisha ka dalë në ‘foltoren’ e përjavshme para Kryeministrisë duke bërë thirrje për protestën e 24 Janarit. 
Ai paralajmëroi se kjo protestë do të jetë më e fuqishmja që ka njohur Tirana ndonjëherë, teksa ka vijuar të flas për tensionet opozitare brenda Kuvendit. 
Rikujtojmë që deputetët e PD-së dhe Sali Berisha kanë ‘zaptuar foltoren parlamentare gjatë seancës së parë plenare për 2026.

Kjo protestë e kësaj jave ka një rëndësi sepse kjo javë është përcaktuese për 24 Janarin.

Protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana ndonjëherë.

Zemërimin më të fuqishëm të shqiptarëve. Guximin e tyre më të madh.

Po vijmë nga parlamenti. Ishte provokimi më i ulët që ju bë shqiptarëve.

Karshi tyre qëndronte ‘Lubi’ Balluku. Hajdutja më e madhe kohërave që kanë pasur ndonjëherë në pushtet.

E dërguara aty kastile nga Edi Rama, për të provokuar shqiptarët.

Për të poshtëruar shqiptarët.

Për tu thënë atyre se ne ju kemi vjedhur dhe do ju vjedhim.

 Ja ku jemi. Rojet i dolën përpara.”– tha Berisha.