Trageti i linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë anulon mbërritjen në Port, ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit

Njoftimi: 
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike detare të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 24-26.01.2026 duke filluar nga ora 12:00 datë 24.01.2026 në drejtimin JUG-JUGLINDJE në forcën deri 7-8bft me shpejtësi ere deri në 25-45m/s dhe lartësi dallge nga 2.50 deri 4.00 metra, ju bëjmë me dije se :

1.Kapiteneria e Portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat duan të operojnë brenda gjirit të Vlorës dhe në det të hapur, duke filluar nga ora 12:00 datë 24.01.2026 deri në datë 26.01.2026 në orën 06:00.

2.Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmerisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.

3.Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalishtë sipas destinacioneve përkatëse.

4.Trageti i linjës Vlorës-Brindisi-Vlorë ka anulluar mbërritjen datën 25.01.2026

5.Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar të parashikuar për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit do të jetë mbas orës 06:00 të datës 26.01.2025.

Rrugët, vezhgim me kamera -Rregullat për sistemin e monitorimit të trafikut

Rrugët shqiptare nën vëzhgim inteligjent: dalin rregullat për menaxhimin modern të trafikut

Qeveria ka hedhur një tjetër hap drejt dixhitalizimit të rrugëve dhe rritjes së sigurisë në qarkullim. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar një udhëzim të ri që përcakton mënyrën e zbatimit të sistemeve inteligjente të transportit në të gjithë rrjetin rrugor të vendit.

Ky kuadër i ri synon të krijojë një rrjet shërbimesh që do t’u japë drejtuesve të mjeteve dhe operatorëve informacion në kohë reale për trafikun, kushtet e rrugës dhe incidentet. Sistemet do të mbulojnë edhe udhëtimet multimodale, paralajmërimet e hershme për rrezik, si dhe funksionin e eCall, që lejon automjetet të dërgojnë automatikisht thirrje emergjence në rast aksidenti. Po ashtu, parashikohet ngritja e shërbimeve për parkime të sigurta për automjetet e transportit tregtar.

Të dhënat e mbledhura nga kamerat, sensorët dhe sistemet e monitorimit do të publikohen dhe ndahen përmes një platforme të vetme kombëtare, të administruar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, duke u bërë të aksesueshme si për institucionet ashtu edhe për operatorët privatë.

Udhëzimi vendos detyrime të reja për administratën dhe kompanitë që operojnë në këtë fushë, të cilat do të duhet të përditësojnë dhe standardizojnë informacionin mbi rrugët, qarkullimin dhe ngjarjet në trafik. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe mbrojtjes së privatësisë, duke kërkuar që të dhënat personale të përpunohen vetëm në formë të anonimizuar ose të koduar, në përputhje me ligjin.

Miratimi i këtij kuadri vjen në një kohë kur Shqipëria po përpiqet të afrohet me praktikat e Bashkimit Europian për menaxhimin modern të trafikut dhe uljen e aksidenteve. Sipas raportit të fundit të Komunitetit të Transportit, vendi ka arritur rreth 44% të nivelit të zbatimit të sistemeve inteligjente. Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut tashmë është ngritur dhe pajisur, ndërsa po vijon instalimi i kamerave dhe teknologjive të reja përgjatë afro 200 kilometrave të akseve kryesore rrugore.

Shqipëria shet jashtë zarzavate, por blen fruta të shtrenjta nga importi

Shqipëria po shfaq një kontrast të fortë në tregtinë bujqësore: nga njëra anë po forcon pozitat si eksportuese e zarzavateve, ndërsa nga ana tjetër po thellon varësinë nga importi i frutave, që po bëhen gjithnjë e më të kushtueshme për konsumatorët.

Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se vendi importoi rreth 69 mijë ton zarzavate, me vlerë 4.35 miliardë lekë, për të mbuluar nevojat e tregut vendas në periudha kur prodhimi vendas nuk mjafton. Por në të njëjtën kohë, eksportet e zarzavateve ishin shumëfish më të larta, duke arritur në 175 mijë ton dhe një vlerë prej 14.1 miliardë lekësh. Kjo diferencë e madhe tregon se Shqipëria ka ndërtuar një sektor konkurrues, i cili jo vetëm plotëson tregun e brendshëm, por gjeneron edhe të ardhura të konsiderueshme nga jashtë.

Ndryshe paraqitet situata te frutat. Në vitin 2025, importet e frutave arritën në 8.32 miliardë lekë dhe afro 99 mijë ton, një nivel rekord që pasqyron rritjen e konsumit dhe kërkesën për produkte jashtë sezonit, si edhe për fruta tropikale. Eksportet, megjithëse janë rritur vitet e fundit, mbetën në 6.76 miliardë lekë dhe 139 mijë ton, çka do të thotë se Shqipëria nuk arrin të balancojë dot këtë kapitull të tregtisë.

Edhe pse eksportohen më shumë fruta në peshë, ato shiten me çmim më të ulët për kilogram, ndërsa frutat e importuara hyjnë në treg me çmime më të larta. Kjo bën që në terma financiarë bilanci të mbetet negativ dhe konsumatori shqiptar të paguajë më shumë për frutat që blen.

Në thelb, Shqipëria po përfiton nga eksporti i zarzavateve, por po humbet në tregtinë e frutave, një pabarazi që po ndikon si te fermerët vendas, ashtu edhe te çmimet në tregjet e vendit.

Djali i Sokol Olldashit kritikon Foltoret e PD: Njerëzit nuk duan të vijnë!

Gjatë Foltores së radhës të Partisë Demokratike, të mbajtur me të rinjtë e FRPD në prani të kryetarit Sali Berisha, një nga ndërhyrjet më të forta erdhi nga Glauk Olldashi, djali i të ndjerit Sokol Olldashi.

Olldashi ngriti shqetësime serioze për gjendjen aktuale të Partisë Demokratike dhe veçanërisht për mungesën e pjesëmarrjes së qytetarëve në Foltoret e së hënës, të cilat zhvillohen para Kryeministrisë. Ai tha se problemi nuk është te qytetarët, por te mënyra se si organizohen Foltoret dhe te cilësia e folësve.

“PD ka shumë probleme sot. Do të ishte mirë t’i diskutonim pa kamera dhe media, sepse problemet e shtëpisë fliten brenda saj. Por po ndalem te një problem shumë evident: pjesëmarrja e ulët në Foltore. Njerëzit nuk duan të vijnë të hënave sepse problemi qëndron te vetë Foltorja”, u shpreh Olldashi.

Ai kritikoi hapur disa nga folësit që dalin në këto tubime, duke thënë se ata nuk e përfaqësojnë denjësisht Partinë Demokratike dhe po i dëmtojnë rëndë imazhin, veçanërisht tek të rinjtë.

“Mendimi im është që shumë nga folësit nuk janë të denjë të na përfaqësojnë. Nuk e di kush i zgjedh, por ata që dalin aty po bëjnë faj ndaj nesh, flasin kuturu, disa edhe tapë. Kjo na dëmton të gjithëve, sidomos ne të rinjve. Dëmtimi i imazhit të PD na godet më shumë ne sesa ju, doktor”, deklaroi ai.

Si zgjidhje, Olldashi propozoi një riorganizim të plotë të Foltoreve, duke sugjeruar që çdo e hënë të ketë një temë të dedikuar dhe folës profesionistë e ekspertë të fushave përkatëse.

“Çdo të hënë të bëjmë një Foltore specifike: një për arsimin, një për mjekësinë, bujqësinë, naftëtarët. Problemet në Shqipëri janë pa fund. Na duhen ekspertë, që kur njerëzit të na ndjekin të hënën, të na dëgjojnë me vëmendje dhe jo të shohin fytyra që na bëjnë të qeshim”, tha Olldashi.

Deklaratat e tij u konsideruan si një nga kritikat më të drejtpërdrejta ndaj mënyrës se si po organizohen aktualisht Foltoret e Partisë Demokratike.

Ndryshimet në Kodin Penal: Parkimi në dy rreshta kthehet në vepër penale, parashikohet burg

Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme ka miratuar një ndryshim të rëndësishëm në Kodin Penal, duke ashpërsuar ndëshkimet për parkimin e automjeteve në dy rreshta. Mbledhja u zhvillua pa praninë e deputetëve të opozitës, të cilët ndodhen në terren për përgatitjet e protestës së paralajmëruar për të shtunën.

Sipas ndryshimit të miratuar, parkimi dysh, i cili deri më tani ndëshkohej me gjobë administrative, do të trajtohet si vepër penale dhe do të dënohet edhe me burg, në rastet kur pengon seriozisht qarkullimin dhe rrezikon sigurinë publike.

Relatori i ndryshimit, deputeti socialist Ervin Hoxha, argumentoi se ashpërsimi i masave ka si qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

“Ndëshkimi penal i parkimit në rresht të dytë synon të pengojë bllokimin e mjeteve emergjente, të parandalojë bllokimet totale të rrugëve dhe pengesat serioze për këmbësorët, si dhe të forcojë efektin parandalues të ligjit,” u shpreh Hoxha.

Ai theksoi se ndryshimet synojnë gjithashtu krijimin e një kuadri ligjor më të qartë për policinë dhe institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, duke mundësuar ndërhyrje më të shpejta dhe më efektive në situata emergjente.

Vendimi ka ngjallur reagime të forta, ndërsa pritet të diskutohet edhe në Kuvend në ditët në vijim.

Ndryshimet në Kodin Penal: Shpifja dekriminalizohet, rritet mbrojtja penale për gazetarët

Ndryshimet në kodin penal parashikojnë dekriminalizimi e shpifjes përfshi rritjen e mbrojtjes të sigurisë së gazetarëve gjatë punës së tyre.

Sulmi, kërcënimi apo intimidimi ndaj një gazetari do të trajtohet me të njëjtin seriozitet si ai ndaj një punonjësi shteti, duke rritur dukshëm mbrojtjen ligjore dhe sigurinë e tyre fizike.

Ervin Hoxha shtoi: “1 deri 5 vite burg kush godet gazetarët në detyrë”.

Në këtë komision u miratuan edhe disa ndryshime në ligjin për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit. Pirro Vengu ministër i mbrojtjes tha në komision se ndryshimet synojnë një sistem të ri elektronik kontrolli  dhe parandalimi e trafikut të jashtëligjshëm.

Ivanka Trump shpërndan tjetër foto nga Zvërneci: Albania is magical

Vajza e ish-presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump, ka shpërndarë këtë të premte një tjetër foto në rrjetet e saj sociale nga Zvërneci. Në foton e publikuar nga Ivanka Trump shkruhet “Albania is magical”, që në shqip do të thotë “Shqipëria është magjike”.

Kjo foto vjen pas një vizite tre-ditore të Ivanka Trump në Shqipëri, gjatë së cilës ajo ka zhvilluar edhe një takim me Kryeministrin Edi Rama.

SHBA tërhiqet zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë

SHBA-të janë tërhequr zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke e lënë agjencinë e OKB-së pa një nga donatorët e saj më të mëdhenj. 

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që sinjalizonte tërheqjen një vit më parë, pasi e kishte kritikuar organizatën se ishte shumë “e përqendruar te Kina” gjatë pandemisë Covid. 

Si pjesë e Kombeve të Bashkuara, OBSH synon të promovojë shëndetin, ta mbajë botën të sigurt dhe t’u shërbejë të prekshmëve. Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore i SHBA-së tha se mori vendimin për shkak të “keqtrajtimit” të supozuar të pandemisë nga OBSH-ja, pamundësisë për t’u reformuar dhe ndikimit politik nga shtetet anëtare. 

Këto pretendime janë hedhur poshtë nga OBSH-ja dhe drejtori i saj i përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se tërheqja ishte një humbje për SHBA-në dhe botën.
Organizata vuri në dukje përpjekjet e saj globale për të luftuar poliomelitin, HIV-in, vdekshmërinë amtare dhe traktatin e saj ndërkombëtar për kontrollin e duhanit.