Makina del nga rruga dhe futet brenda në lokal, 3 persona të plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë pasdite në segmentin rrugor Gostim–Mollas, në Cërrik, ku një automjet ka humbur kontrollin dhe është përplasur brenda ambienteve të një lokali. Si pasojë, tre persona kanë mbetur të plagosur, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit dhe dinamikën e tij.

Shkëputet masivi shkembor dhe bllokon rrugën ne Qukës- Qafë Plloçë

Aksi rrugor Qukës–Qafë Plloçë është bllokuar tërësisht pas një rrëshqitjeje të madhe dheu dhe shkëmbinjsh, vetëm dy muaj pasi u vu në përdorim. Ngjarja ka ndodhur në zonën pranë tuneleve, ku masive të mëdha janë shkëputur pas reshjeve të fundit, duke penguar çdo qarkullim.

Përballë emergjencës, kompania që ka në përgjegjësi mirëmbajtjen e rrugës ka ndërhyrë me hapjen e një bypass-i të përkohshëm, si e vetmja mënyrë për të lejuar lëvizjen e mjeteve.

Shembja konsiderohet problemi më i rëndë që ka shoqëruar këtë projekt, i cili edhe më herët është përballur me defekte të përsëritura.

Rruga, e realizuar me një investim që kap rreth 260 milionë euro dhe me një proces punimesh që u zvarrit për 14 vite, ka dalë jashtë funksionit brenda një kohe rekord. Rrëshqitjet e fundit nxjerrin në pah mungesën e qëndrueshmërisë në strukturë dhe ngrenë pikëpyetje serioze mbi cilësinë e punimeve si dhe mbi vlerësimet gjeologjike të kryera për këtë segment.

Aksident në autostradën Lushnjë–Rrogozhinë, merr flakë një automjet

Një aksident ka ndodhur pasditen e sotme në autostradën Lushnje–Rrogozhinë, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe një prej tyre ka marrë flakë menjëherë pas goditjes.

Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip Ford ka goditur fuqishëm nga pas një BMW X5. Nga forca e madhe e përplasjes, mjeti Ford ka pësuar dëmtime të rënda dhe ka marrë flakë pothuajse në çast. Zjarrfikësit e Lushnjës kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë arritur të shuajnë zjarrin brenda pak minutash

Fatmirësisht, nuk ka të lënduar nga asnjëri prej dy mjeteve. Shoferët dhe pasagjerët kanë dalë në kohë nga automjetet.

Makina përfundon në kanal,2 persona përfundojnë në spital

Aksident në aksin Kuç–Vlorë: Dy persona dërgohen me urgjencë në spital

Sot, më datë 22.11.2025, rreth orës 15:10, në aksin rrugor Kuç–Vlorë, pranë fshatit Gjorm, një automjet tip Volkswagen me targa AB 173 GF, me drejtues 50-vjeçarin Merko Tushi dhe pasagjer Dorjan Tushin, 33 vjeç, ka dalë nga rruga.

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se lagështira në asfalt ka bërë që drejtuesi të humbasë kontrollin e makinës, e cila ka përfunduar në kanalin kullues anës rrugës.

Të dy personat janë transportuar me urgjencë me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal Vlorë për të marrë ndihmën mjekësore.

Deputetja e PS në Patos, Antoneta Dhima, ndjek nga afër situatën e përmbytjeve në Belinë

Deputetja e Partisë Socialiste për zonën e Patosit, Antoneta Dhima, ka qenë sot në terren për të ndjekur nga afër situatën e krijuar në Belinë pas prurjeve të rritura të lumit Seman, që sollën përmbytjen e stacionit të pompave dhe rrezikimin e zonave bujqësore përreth.

Gjatë inspektimit, Dhima u informua nga ekipet e emergjencave civile dhe specialistët e ujësjellës-kullimit mbi masat e marra për forcimin e argjinaturës dhe stabilizimin e situatës. Deputetja vlerësoi punën e strukturave në terren, duke theksuar nevojën për ndërhyrje të shpejtë dhe bashkërendim institucional për të minimizuar dëmet tek komuniteti dhe infrastruktura.

Ajo u shpreh se monitorimi do të vijojë në mënyrë të pandërprerë, ndërsa autoritetet janë të angazhuara për të mbrojtur banorët dhe tokat bujqësore të zonës.

Policia jep detaje nga ngjarja ne FIER

Fier/Informacion paraprak

Rreth orës 21:30, në një lokal në lagjen “8 Shkurti”, dyshohet se pas një konflikti midis shtetasit R. Ç., 33 vjeç, dhe shtetasit M. S., shtetasi R. Ç. ka qëlluar me armë zjarri në dyshemenë e lokalit.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin në zonë për kapjen dhe shoqërimin e dy personave të përfshirë në konflikt.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Të shtëna me armë zjarri në Fier – Detajet e para

Sipas informacioneve paraprake, pranë qendrës tregtare në Fier janë raportuar të shtëna me armë zjarri mbrëmjen e sotme. Policia e Fierit ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe zona është rrethuar për hetime.Mësohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit që pas ka degraduar në të shtënat me armë

Deri në këto momente nuk raportohet për të lënduar, por burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se po verifikohen kamerat e sigurisë për identifikimin e autorëve.

Policia pritet të dalë me njoftim zyrtar

Reshjet intensive në vend – Evakuime në disa qarqe, situata mbetet në monitorim 24-orësh

Strukturat e emergjencave civile në të gjithë vendin po vijojnë monitorimin 24-orësh të situatës së krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit. Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në disa zona prurjet e lumenjve janë në rënie, ndërsa në qarqe si Vlora, Lezha dhe Fieri janë kryer evakuime familjesh për shkak të përmbytjeve.

Qarku Vlorë – Tërhiqen ujërat e Vjosës, 10 familje të evakuuara

Në zonën e Novoselës janë evakuuar 7 familje, ndërsa tre të tjera pranë urës së Mifolit, për shkak të prurjeve të larta të lumit Vjosa. Të gjithë banorët janë sistemuar te të afërmit.

Në Himarë është rikthyer qarkullimi në aksin Shën Vasil–Nivicë, ndërsa në Sarandë po vijon monitorimi i aksit Sarandë–Delvinë dhe puna për forcimin e argjinaturës së Bistricës. Ekipet kanë ndërhyrë edhe në Ksamil, Metoq e Vrion për largimin e ujërave.

Qarku Fier – Prurjet e Vjosës nën vëzhgim të rreptë

Në zonat Kashisht–Çervën–Ferras janë përmbytur 50–60 hektarë tokë bujqësore dhe është evakuuar një familje.

Rreth 30 oborre banesash kanë prezencë uji, ndërsa si masë paraprake është stakuar furnizimi me energji i pompave të ujësjellësit në Kafaraj.

Lumi Seman paraqet prurje të rritura, por aktualisht pa rrezik për banesat.

Qarku Korçë – Rritje e nivelit në Devoll e Dunavec

Në Dërsnik, Bulgarec dhe lagjen nr. 6 po kryhet devijimi i përkohshëm i ujërave, ndërsa në Sheqeras vijon ndërhyrja në terren. Kontraktorët po pastrojnë gurët e rënë në akset Qafë Plloçë–Qukës dhe Pogradec–Qafë Thanë.

Qarku Lezhë – Çarje e argjinaturës së Vainit, evakuime me varka

Në Shënkoll dhe Zejmen niveli i ujit vijon të rritet për shkak të çarjes së argjinaturës së lagunës së Vainit. Në disa raste është kryer evakuimi me varka.

Punimet për riparimin e argjinaturës vijojnë, ndërsa ndërhyrje po realizohen edhe në aksin Skuraj–Gallatë–Vinjollë. Në Mirditë situata është stabilizuar, dhe lumi Drin paraqet ulje niveli.

Qarku Durrës – Situata drejt normalizimit

Lumenjtë Erzen, Ishëm dhe Zezë nuk paraqesin rritje niveli. Po vijon pastrimi i kanaleve të Tonës dhe Tarinit, ndërsa Erzeni është tërhequr. Në Krujë ka përfunduar forcimi i argjinaturës së Drojes dhe janë tërhequr ujërat nga tokat bujqësore.

Qarku Dibër – Ndërhyrje në disa zona malore

Në Bulqizë situata paraqitet e stabilizuar. Ndërhyrje po kryhen në Luzni, Zall Dardhë dhe Muhur. Me ndihmën e Forcave të Armatosura, është normalizuar situata në Bruç. Në Klos po pastrohen rrëshqitjet e dherave.

Qarku Shkodër – Reshje intensive, punime në terren

Në Fushë-Arrëz po pastrohen rrugët nga materialet e sjella nga përroskat. Në Malësinë e Madhe është shënuar rritje e prurjeve në përroin e Thatë, por situata mbetet nën kontroll.

Qarku Berat – Rritje e nivelit të Osumit

Niveli i lumit Osum është rritur, duke krijuar rrezik në lagjen Goricë. Ndërhyrjet po kryhen nga UKT në lagjen “28 Nëntori”.

Në Poliçan ujërat janë tërhequr, ndërsa në Dimal ka ende zona bujqësore me prani uji.

Strukturat e emergjencave civile mbeten në gatishmëri, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet në zonat me rrezik.