Ndryshon skema e subvencioneve në bujqësi

Skema e mbështetjes në bujqësi për vitin 2026 pritet të pësojë ndryshime të rëndësishme, teksa fondi i parashikuar arrin në 5.2 miliardë lekë. Ky buxhet është ndjeshëm më i lartë krahasuar me fondet fillestare të vitit 2025 dhe tashmë ka nisur puna për hartimin e masave të reja, të cilat pritet të miratohen gjatë muajit të ardhshëm.

Në kuadër të këtij procesi, Ministria e Bujqësisë ka nisur konsultime në terren me fermerët në të gjithë vendin, me synimin që skema e re të reflektojë më mirë nevojat reale të sektorit dhe të rrisë efektivitetin e mbështetjes për prodhimin vendas.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, bëri të ditur se fondi prej 5.2 miliardë lekësh do të fokusohet kryesisht në mbështetjen e investimeve në bujqësi. Sipas tij, ministria ndodhet në një fazë të rëndësishme pune dhe do të vijojë takimet me fermerët në të gjitha qarqet për të adresuar kërkesat dhe problematikat e tyre.

Një nga çështjet që po diskutohet është edhe mundësia e mbështetjes për njësi prodhimi, një model i aplikuar në disa vende të rajonit dhe që prej kohësh është kërkuar nga shoqatat e fermerëve në Shqipëri. Autoritetet bëjnë me dije se vendimmarrja për këto elemente do të merret pasi të jenë dëgjuar të gjithë aktorët në terren dhe të jenë analizuar pritshmëritë e tyre.

Për kujtesë, fondi fillestar i Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2025 ishte 3.2 miliardë lekë, ku fermerët përfituan pagesa direkte për naftën si dhe mbështetje financiare për shtatë skema të tjera, sipas kritereve të përcaktuara.

SPAK–Balluku, Kuvendi pret vendimin e Kushtetueses dhe shtyn mbledhjen e Këshillit të Mandateve

Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar shtyrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për Belinda Ballukun.

Mbledhja ku pritej të shqyrtohej kërkesa e SPAK për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin ose heqjen e lirisë së zëvendëskryeministres ishte planifikuar të zhvillohej në orën 12:00.

Sipas njoftimit zyrtar, Kuvendi sqaron se vendimi për shtyrjen është marrë pasi në mbledhjen e mëparshme të Këshillit është kërkuar nga një grup deputetësh që shqyrtimi i kërkesës së SPAK për Ballukun të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

Duket se socialistët duan të presin vendimin e Kushtetueses për pezullimin nga detyra, për të vijuar më pas me kërkesën e SPAK në Këshillin e Mandateve.

“Një shqyrtim i tillë synon garantimin e një procesi vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese, me qëllim shmangien e cenimit të parimit të sigurisë juridike dhe garantimin e rregullsisë kushtetuese të veprimtarisë dhe vendimmarrjes së Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Një datë e re për zhvillimin e mbledhjes nuk është bërë ende e ditur.

Skema e kompensimit për fermerët: Si të përfitoni 10% rimbursim

Administrata Tatimore ka dhënë sqarime të reja mbi skemën e kompensimit që u ofrohet fermerëve, një mekanizëm i krijuar për të lehtësuar barrën financiare të prodhuesve bujqësorë dhe për të nxitur tregtimin e rregullt të produkteve në treg.

Sipas këtij mekanizmi, fermerët që nuk janë të regjistruar për TVSH mund të përfitojnë një kompensim financiar prej 10% për shitjet e dokumentuara të produkteve dhe shërbimeve bujqësore. Llogaritja bëhet mbi vlerën totale të furnizimeve të realizuara gjatë një periudhe gjashtëmujore.

Procesi i kompensimit realizohet përmes blerësve të regjistruar për TVSH, të cilët lëshojnë dokumentacionin tatimor përkatës në emër të fermerit. Këta blerës mund të jenë subjekte grumbulluese, përpunuese apo struktura të certifikuara të agroturizmit.

Për të qenë përfitues, fermerët duhet të jenë të pajisur me numër identifikimi tatimor dhe të tregtojnë produktet e tyre vetëm me subjekte të tatueshme. Kërkesa për kompensim paraqitet çdo gjashtë muaj, ndërsa pagesa kryhet brenda 30 ditëve nga miratimi i dokumentacionit.

Tatimet theksojnë se respektimi i rregullave të faturimit është kusht kyç për përfitimin nga skema, e cila shihet si një instrument për forcimin e sektorit bujqësor dhe rritjen e transparencës në treg.

BERZH: Shqipëria kryeson rajonin për emigrimin, shumë të kthyer planifikojnë largimin sërish

Emigrimi mbetet një fenomen i përhapur në Shqipëri, duke e renditur vendin në krye të rajonit për nga përvoja e jetesës jashtë vendit. Sipas Raportit të Tranzicionit të BERZH, rreth 30% e popullsisë shqiptare ka jetuar të paktën një herë jashtë vendit, një përqindje ndjeshëm më e lartë se mesatarja e vendeve fqinje.

Një studim i Bankës Kombëtare Austriake tregon se një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve të kthyer nuk e shohin rikthimin si përfundimtar, pasi shumë prej tyre planifikojnë të emigrojnë sërish. Po ashtu, emigrimi shpesh ka karakter afatshkurtër, ndërsa periudhat e gjata të qëndrimit jashtë janë më të zakonshme në disa vende të rajonit.

Raporti vë në dukje edhe vështirësitë e riintegrimit në tregun e punës, ku papunësia është më e lartë mes individëve me përvojë emigrimi. Sipas BERZH, nevojiten politika më të fokusuara për të shfrytëzuar aftësitë dhe përvojën e të kthyerve, duke e parë migrimin si një proces dinamik dhe jo një lëvizje me një drejtim të vetëm.

Elektrifikimi i hekurudhës Tiranë–Durrës përfshihet në paketën 171 mln euro të BE

Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të re financimi në vlerë 171 milionë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, me fokus në përmirësimin e infrastrukturës dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.

Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, fondet do të shpërndahen për Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, me synimin për të forcuar lidhjet rajonale dhe për të mbështetur procesin e afrimit me Bashkimin Evropian.

Një pjesë e rëndësishme e kësaj pakete do të përdoret për projekte infrastrukturore, ku për Shqipërinë parashikohet elektrifikimi i linjës hekurudhore Durrës–Tiranë, si edhe zhvillimi i internetit me shpejtësi të lartë. Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut do të financohet përmirësimi i rrjetit të transmetimit të energjisë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi do të mbështetet modernizimi energjetik i objekteve arsimore. Projekte për furnizimin me ujë do të zbatohen edhe në Bosnjë e Hercegovinë.

Përveç infrastrukturës, një pjesë e konsiderueshme e fondeve do të shkojë për mbështetjen e sektorit privat, kryesisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për nxitjen e bashkëpunimit mes sektorit publik dhe atij privat.

Gjithashtu, është parashikuar ndihmë teknike për Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, e cila do të synojë forcimin e investimeve në energji, ujë, inovacion dhe kërkim shkencor.

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se zbatimi i projekteve do të realizohet në bashkëpunim me institucionet vendore dhe partnerët financiarë ndërkombëtarë, ndërsa Kosova dhe Serbia nuk përfshihen në këtë paketë financiare.

Aks*dent i r*ndë në Rumani, humbin jetën 7 tifozë të PAOK

Një ngjarje e rëndë rrugore ka ndodhur sot në Rumani, ku një furgon me tifozë të ekipit grek PAOK të Selanikut është përfshirë në një aksident gjatë udhëtimit drejt Francës.

Sipas informacioneve zyrtare, si pasojë e përplasjes mes disa mjeteve, 7 persona humbën jetën, ndërsa 3 të tjerë u plagosën dhe po marrin trajtim mjekësor.

Udhëtarët ishin të gjithë me nënshtetësi greke, të moshës 25 deri në 30 vjeç. Ata po udhëtonin për të ndjekur ndeshjen e PAOK kundër Lyonit në kuadër të Ligës së Evropës.

Autoritetet rumune bëjnë me dije se në aksident janë përfshirë gjithsej katër mjete, pas një manovre parakalimi që çoi në përplasjen e automjeteve.

Mes personave që humbën jetën ndodhen edhe dy shtetas shqiptarë, Genci Sadiku dhe Vasil Palo.

Dy nga të plagosurit ndodhen në gjendje më të rënduar, ndërsa një i tretë ka dëmtime më të lehta dhe ishte ai që njoftoi autoritetet. Për shkak të kushteve atmosferike, ndërhyrja ajrore nuk ishte e mundur dhe të plagosurit u dërguan në spitalin e qytetit Lugoj.

Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe dhimbje të madhe mes familjarëve dhe komunitetit sportiv.

Buka shqiptare nën varësinë e Serbisë

Importet shqiptare të drithërave kanë pësuar ndryshime të thella gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, të ndikuara jo vetëm nga zhvillimet ekonomike, por edhe nga krizat gjeopolitike që kanë tronditur tregjet botërore të ushqimit. Edhe pse shumat e shpenzuara për blerjen e drithërave kanë mbetur të larta, hartëzimi i vendeve furnizuese ka ndryshuar ndjeshëm, veçanërisht pas vitit 2022.

Në vitin 2015, Shqipëria varej kryesisht nga Rusia për furnizimin me drithëra, e cila siguronte rreth 42% të importeve. Serbia ishte burimi i dytë më i madh me afërsisht 27%, ndërsa pjesa tjetër mbulohej nga vende si Italia, Spanja, Greqia dhe disa tregje më të vogla.

Kjo strukturë nisi të lëkundej pas vitit 2020, por goditja vendimtare erdhi me nisjen e luftës në Ukrainë. Në vitin 2022, edhe pse Rusia vazhdoi të ishte një nga furnizuesit kryesorë, pengesat tregtare, problemet e transportit dhe rritja e kostove bënë që ndikimi i saj të zbehej. Deri në vitin 2023, pesha e saj ra në rreth 22%, duke u lënë pas nga Serbia për herë të parë.

Në të njëjtën kohë, Serbia u shndërrua në partnerin kryesor të Shqipërisë për drithërat, duke arritur një pjesë prej 36.5% të importeve në vitin 2023.

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm ishte hyrja më e fortë e Ukrainës në tregun shqiptar. Nga një rol thuajse i papërfillshëm para vitit 2020, Ukraina arriti të mbulojë deri në 13.5% të importeve në vitin 2023, si rezultat i përpjekjeve për të mbajtur të hapura rrugët e eksportit të grurit gjatë konfliktit. Megjithatë, ky rol u dobësua sërish dhe në vitin 2025 pesha e saj ra ndjeshëm.

Krahas këtyre lëvizjeve, Shqipëria ka zgjeruar gradualisht gamën e furnizuesve. Italia, Greqia dhe Spanja kanë ruajtur një prani të qëndrueshme, ndërsa pas vitit 2022 janë shtuar ndjeshëm importet nga vende si Kanadaja, Kina dhe Maqedonia e Veriut.

Në vitin 2025, panorama e furnizimit është e qartë: Serbia kryeson me 36.5% të importeve totale të drithërave, duke u konfirmuar si burimi kryesor. Rusia vjen e dyta me 29.6%, duke mbetur një aktor i rëndësishëm, por larg dominimit që kishte përpara luftës në Ukrainë. Pjesa tjetër ndahet mes disa vendeve, ku Italia ka 5.2%, Maqedonia e Veriut 4.2%, Ukraina 2.7%, ndërsa Kroacia, Kina dhe Kanadaja kontribuojnë secila me rreth 2.4%.

Nga ana e bilancit tregtar, Shqipëria vazhdon të jetë një importues neto i drithërave. Eksportet janë shumë më të vogla se importet dhe shfaqin luhatje të mëdha nga viti në vit, me një rritje të pazakontë në vitin 2022, e cila u pasua nga një rënie në vitet në vijim. Kjo tregon se vendi mbetet i ndjeshëm ndaj goditjeve të tregjeve ndërkombëtare të ushqimit, veçanërisht për shkak të flukseve drejt Kosovës.

 Policia arreston 2 drejtues mjetesh në gjendje të dehur, procedime për ngacmim dhe fyerje online

Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka vijuar kontrollet dhe veprimet ligjore për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë dy shtetas:

  • F. A., 50 vjeç, banues në Kuçovë
  • A. C., 53 vjeç, banues në Greqi

të cilët u kapën duke drejtuar automjete në gjendje të dehur, duke rrezikuar sigurinë e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Ndërkohë, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për A. M., 26 vjeç, banues në Gramsh, i dyshuar se ka shqetësuar një shtetase 36-vjeçare përmes thirrjeve dhe mesazheve telefonike.

Po ashtu, një shtetase 53-vjeçare ka kallëzuar se në rrjete sociale janë publikuar fotografi të saj të shoqëruara me mbishkrime fyese. Policia ka nisur punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorit apo autorëve të kësaj ngjarjeje.

Të gjitha materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Beratit për veprime të mëtejshme ligjore.