KLP miraton kërkesën e kreut të SPAK për mbrojtje të shtuar ndaj Altin Dumanit dhe disa prokurorëve të tjerë.

Komisioni i mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka miratuar kërkesën e kreut të SPAK, Klodian Braho, për të shtuar mbrojtjen ndaj prokurorit Altin Dumani dhe disa prokurorëve të posaçëm, mes të cilëve dhe Dritan Prençi, prokurori i cili po heton zv kryeministren Belinda Balluku.

Kërkesa vjen pas presionit në rritje ndaj Dumanit lidhur me hetime të shumta që mbajnë firmën e tij si ish krye prokuror i SPAK.

Përveç Dumanit, është miratuar nga i njëjti komision edhe mbrojtje për disa prokurorë të tjerë te strukturës së posaçme, mes të cilëve edhe për Dritan Prençin, i cili po heton zv kryeministren Belinda Balluku

Kamioni përplaset me shtyllën dhe përmbyset, 3 të pl*gosur

Një aksident me pasojë plagosjen e 3 persona ka ndodhur mesditën e së shtunë në Palasë. Një automjet i tonazhit të rëndë është përmbysur në rrugë. 

Në momentin e aksidentit në brendësi të automjetit kanë qenë tre persona.

Nga informacionet e para mësohet se një prej personave është dërguar me urgjencë drejt spitalit rajonal të Vlorës ndërsa dy të tjerët kanë pësuar dëmtime më të lehta.

Policia Fier: Procedime për dh*në, kan*sje dhe a*më pa leje. Denoncim për person të zhd*kur

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. D., 49 vjeç, banues në fshatin Kallm i Madh, Fier, pasi për motive të dobëta ka goditur me grushte një shtetas 50-vjeçar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin V. K., 35 vjeç, banues në Peqin, pasi ka kanosur një shtetas 38-vjeçar, si dhe nga kontrolli i automjetit iu gjet dhe sekuestrua një armë gjahu pa leje.

Në Komisariatin e Policisë Lushnjë është paraqitur shtetasi M. C., 25 vjeç, i cili kallëzon se ka humbur kontaktet me babain e tij, shtetasin M. C., 68 vjeç. Po punohet për gjetjen e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Policia Berat: Arrestim për drejtim mjeti në gjendje të dehur, procedime për dr*gë dhe dh*në në familje

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Specialistët e Sektorit për Qarkullimin Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. T., 44 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin I. Ç., 30 vjeç, banues në fshatin Vodicë, Poliçan, pasi gjatë kontrollit fizik dhe në banesë iu gjet një sasi e dyshuar lënde narkotike cannabis sativa.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kuçovë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. R., 33 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se ka kryer veprime që cenojnë jetën private të bashkëshortes së tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Berat, për veprime të mëtejshme.

Berisha: Protesta e 10 shkurtit mund të shndërrohet në qëndrim pa afat para Kryeministrisë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zbuluar detaje nga organizimi i protestës së paralajmëruar për datën 10 shkurt para Kryeministrisë.

Gjatë një deklarate publike, Berisha u shpreh se një nga opsionet që po shqyrtohet është edhe qëndrimi i protestuesve në shesh pa afat, deri në largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.

Sipas tij, gjithçka varet nga përfshirja e qytetarëve dhe nga ajo që ai e cilësoi si “kryengritje paqësore”.

“Gjithçka varet nga kryengritja jonë paqësore që s’duhet të ndalet kurrë deri në rrëzimin e Edi Ramës. Protesta e 10 shkurtit është paralajmërimi më serioz për largimin e tyre nga pushteti”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se shumë qytetarë kanë kërkuar që protesta të mos mbyllet pa u arritur qëllimi politik.

“Ka me qindra qytetarë që kërkojnë me të drejtë që të mos largohemi nga sheshi pa realizimin e qëllimit tonë. Kjo është rruga e vetme për të larguar këtë regjim,” u shpreh kreu i PD.

Berisha theksoi se realizimi i këtij skenari kërkon angazhim të vazhdueshëm për të bindur qytetarët që të qëndrojnë në shesh deri në ndryshimin e pushtetit.

“Secili nga ne duhet të bindë gjithnjë e më shumë qytetarë se qëndrimi në shesh është rruga më e sigurt e fitores,” tha ai.

Në përfundim, Berisha u shpreh se sipas tij, largimi i Edi Ramës është i pashmangshëm.

Importet e duhanit, në kulmin historik 

Sipas INSTAT, në vitin 2024, importet e duhanit arritën në rreth 11.8 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2025 kjo vlerë u rrit në mbi 13 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2005, kur importet ishin vetëm 4.8 miliardë lekë, vlera e importeve është pothuajse trefishuar brenda dy dekadash. Rritja është bërë veçanërisht e fortë pas vitit 2020, duke treguar një përshpejtim të qartë të kostos së produkteve të importuara të duhanit.

Ndryshe nga vlera, importet e shprehura në peshë nuk tregojnë një rritje të jashtëzakonshme. Në vitin 2024 u importuan rreth 3,470 tonë duhan, ndërsa në vitin 2025 pesha neto arriti në 3,740 tonë. Këto nivele janë të krahasueshme me vitet e mëparshme dhe nuk përbëjnë rekord historik. Në disa vite më herët, si 2008 apo 2010, importet në kilogramë kanë qenë madje më të larta. Kjo tregon qartë se rritja e importeve në vlerë nuk vjen nga shtimi i sasisë.

Treguesi që shpjegon këtë diferencë është çmimi mesatar për kilogram. Në vitin 2024, çmimi i importit arriti në rreth 3,404 lekë për kilogram, ndërsa në vitin 2025 u rrit më tej në afro 3,497 lekë për kilogram, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Për krahasim, në vitin 2005 çmimi ishte vetëm rreth 1,200 lekë për kilogram, ndërsa në vitin 2015 rreth 2,356 lekë. Brenda 20 vitesh, çmimi mesatar i importit për kilogram është pothuajse trefishuar.

Nga këndvështrimi ekonomik, kjo rritje shpjegohet nga disa faktorë të kombinuar. Së pari, rritja graduale e akcizës dhe e barrës fiskale mbi produktet e duhanit ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të importit. Së dyti, struktura e importeve është zhvendosur drejt produkteve me vlerë më të lartë, përfshirë marka premium dhe zëvendësues të përpunuar të duhanit, të cilët kanë kosto më të lartë prodhimi dhe tregtimi. Së treti, inflacioni i importuar dhe rritja e kostove ndërkombëtare të transportit pas vitit 2020 kanë ushtruar presion shtesë mbi çmimet.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është elasticiteti i ulët i kërkesës për duhanin. Edhe pse konsumatorët mund të reduktojnë sasinë e konsumuar, ata priren të pranojnë çmime më të larta, çka e mban vlerën totale të tregut në rritje. Kjo shpjegon pse importet në kilogramë mbeten relativisht të qëndrueshme, ndërsa vlera e tyre rritet ndjeshëm.

Zhvendosja e Tregut Industrial në Vlorë, tregtarët sërish në protestë

Tregtarët e Tregut Industrial janë mbledhur sërish këtë të shtunë përpara Teatrit “Petro Marko” në Vlorë, për të protestuar kundër vendimit të Bashkisë për zhvendosjen e tregut.

Këtë të shtunë, ata kanë zgjedhur të protestojnë përballë teatrit, ku pritet të zhvillohet aktiviteti “Edhe disa hapa drejt BE”, si një formë për të bërë më të dukshme shqetësimet e tyre.

Tregtarët shprehen se vendimi për zhvendosje rrezikon aktivitetin e tyre dhe kërkojnë nga Bashkia rishikimin e këtij vendimi, si dhe gjetjen e një zgjidhjeje që të mos dëmtojë bizneset e vogla.

Tregtarët shprehen se nuk kanë qenë të njoftuar për marrjen e vendimit nga Këshilli Bashkiak dhe se janë prerë në besë nga kryetarja e Bashkisë, të cilët kërkojnë që t’u jepet zgjidhje për vendosjen e mallit të tyre.

“Ne nuk e dimë që është marrë një vendim nga bashkia, dimë që është bërë një takim me kryetarët. Para tre ditëve na kanë mbledhur në orën 7 të darkës. Janë dëshmitar 400 veta. Na kanë lajmëruar me telefon në orën gjashtë të darkës dhe na kanë thënë që do t’ju çojmë tek stacioni i trenit dhe tek hipoteka.

Ne ju kemi kërkuar një gjë, na çoni ku të doni, zhvilloni çfarë të doni, por të paktën të na bëjnë një vend ku të lëmë mallin, e paguajmë ne të gjitha dhe jo Bashkia, se janë fukarenj, janë hallexhinj, nuk kanë mundësi të paguajnë.

Dije, na kanë prerë në besë. Këshilli Bashkiak ka marrë vendim, ndryshe na tha kryetarja një ditë më parë:”vazhdoni punën, nuk u heq njeri. Ai që na ka lajmëruar se do t’ju heqë për tre ditë ka bërë gabim”.

Ne nuk kërkojmë asgjë, vetëm bukën e fëmijëve. Na thanë tek stacioni i trenit të na bëjnë një vend për të lënë mallin, të na japin zgjidhje, por nuk na çuan askund,” u shpreh një tregtar.

Ndërkohë, një tregtar tjetër ka theksuar se Këshilli Bashkiak ka refuzuar t’u marrë mendimin e tyre:

“Dije, ishim tek dyert e Këshillit Bashkiak, refuzuan të na fusnin brenda, refuzuan të na merrnin mendimin. Nga ky vendim që u informuam, është verbal dhe bie në kundërshtim me interesat tona, me tregtarët. Çuditem se si nuk u këshilluan më një tregtar të paktën. Ne jemi tregtarë pakice, nuk jemi tregtarë shumivë për të shkuar atje. Është një vendim verbal i Këshillit Bashkiak të Vlorës,” u shpreh tregtari.

Tregtarët e Vlorës takojnë ministren Spiropali, i kërkojnë zgjidhje për tregun

Tregtarët e Tregut Industrial kanë zhvilluar një takim të shkurtër me ministren Elisa Spiropali, pak para hyrjes së saj në aktivitetin që po zhvillohet në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë.

Gjatë takimit, tregtarët i kanë paraqitur ministres shqetësimin e tyre lidhur me vendimin e Bashkisë për zhvendosjen e tregut. Ata kanë kërkuar që t’u gjendet një vend i përshtatshëm brenda qytetit për të vijuar aktivitetin e tyre tregtar.

Ministrja Spiropali u ka premtuar tregtarëve se do të komunikojë me përfaqësuesit e Bashkisë për këtë shqetësim dhe se do të kërkojë gjetjen e një zgjidhjeje për situatën.

Tregtarët janë shprehur se presin që ky premtim të shoqërohet me veprime konkrete, ndërsa theksojnë se zhvendosja pa një alternativë të qartë do të dëmtojë seriozisht bizneset e tyre.