Rama-Pezullimi i Ballukut, absurditet i rrezikshëm, rast “i pashkelur” kudo në botë

Kryeministri Edi Rama në podcastin “FLASIM” ka folur lidhur me pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Ai e ka përshkruar këtë pezullim si absurditet, i paprecedentë kudo në botë.

“Një debat i hatashëm ka mbushur boshllëkun e klubeve mediatike të pasqyrave sociale të javës.

Pasi një prokuror i gjykatës, u bënë bashkë kokë më kokë dhe pezulluan një anëtare të kabinetit qeveritar.

Unë nuk dua të hyjë në asnjë debat, për një absurditet kaq të rrezikshëm sa ky. Pres me durim që Gjykata Kushtetuese, të jap drejtim çështjes së kësaj rruge të pashkelur askund në Europë.

Po mesa jemi informuar deri tani, askund edhe në botë.”- tha kryeministri.



Rama në Bruksel: Procesi i zgjerimit të BE-së është një ribashkim për të ardhmen

Ndërkaq, Rama bazuar në atë që thuhet në Komisionin e Venecias dhe Gjykatës së Strasburgut, shprehet se kemi të bëjmë me një shkelje serioze të pushteteve.

“Por tani ndaj me ju sot se çfarë thonë Komisioni i Venecias dhe Gjykata Europiane e Strasburgut për këtë çështje.

Qendrimi i Venecias është shumë i prerë. Gjykatat nuk duhet të pezullojnë anëtarët e qeverisë, sepse duke bërë këtë, së pari cënojnë balancën e pushteteve. Për sa kohë një ministër, është figurë politike, pjesë e ekzekutivit, përgjegjës para Parlamentit dhe kryeministrit. Nëse gjykata e pezullon, ajo praktikisht ndërhynë në punën e qeverisë. Ndërron përbërjen e ekzekutivit. Merr kompetenca që i takojnë kryeministrit dhe presidentit.

Kjo konsiderohet nga Venecia, shkelje e palejueshme e kufirit ndarës mes pushteteve.”- ka thënë ai.

Shp*rthim ekspl*zivi në Vlorë, objektivi porta e banesës së një 63-vjeçareje

Një shpërthim eksplozivi ka tronditur mbrëmjen e së premtes qytetin e Vlorës. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:38, në rrugën “Ali Demi”, ku lënda plasëse ishte vendosur në portën e jashtme të banesës së shtetases B. Z., 63 vjeçe.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale dhe asnjë person nuk është lënduar. Forcat blu kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si edhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Euro në rënie të qëndrueshme, leku forcohet ndjeshëm përballë valutave të huaja

Kursi i këmbimit vijon të qëndrojë në nivele të ulëta, ndërsa euro këmbehet sot me 96.70 lekë, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë. Pas muajve të parë të vitit 2025, kur monedha evropiane luhatej në intervalin 98–99 lekë, rënia e saj nisi ndjeshëm në maj dhe u thellua gjatë sezonit veror.

Rënia më e madhe në 21 tetor

Në korrik dhe gusht, euro u stabilizua pranë nivelit 97 lekëve, ndërsa nga shtatori e deri më tani ka qëndruar rreth 96 lekëve. Më 21 tetor u shënua edhe piketa më e ulët e vitit, me kursin që zbriti në 96.60 lekë.

Pse po forcohet leku?

Specialistët shpjegojnë se monedha vendase po forcohet për shkak të sasisë së lartë të euros në qarkullim, e cila vjen nga:

  • Prurjet e emigrantëve, që kapën 531 milionë euro;
  • Të ardhurat nga turizmi, që arritën në 1.9 miliardë euro vetëm në gjysmën e parë të vitit;
  • Investimet e huaja direkte;
  • Paraja informale.

Efektet në ekonomi

Forcimi i lekut ka bërë që mallrat dhe shërbimet e importuara të jenë më të lira, por ka goditur sektorët eksportues. Sipas INSTAT, në dhjetëmujorin e parë:

  • Eksportet ranë me 7%, duke arritur në 291 miliardë lekë;
  • Importet gjithashtu shënuan rënie;
  • Deficiti tregtar u zgjerua me 3.8%, duke mbërritur në 445 miliardë lekë.

Qëndrimi i Bankës së Shqipërisë

Shqipëria operon me kurs të lirë këmbimi, që do të thotë se Banka Qendrore ndërhyn vetëm në raste të jashtëzakonshme. Edhe pse euro ka rënë ndjeshëm, ndërhyrjet e Bankës kanë qenë të kufizuara dhe të kujdesshme, kryesisht për të balancuar flukset valutore.

21 vjeçari gjendet i pajetë në banesë,dyshohet se eshte vetev**ur

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e djeshme qytetin e Gjirokastrës. Një 21-vjeçar me inicialet E. M. është gjetur i pajetë në banesën e tij, në lagjen “Granicë”, rreth orës 23:30.

Sipas të dhënave paraprake të Policisë, dyshohet se i riu i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të sqaruar plotësisht shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.

Autoritetet njoftojnë se hetimet vijojnë.

Berisha: “Foltorja” del jashtë Tiranës, nis turi i takimeve në gjithë vendin

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha po zhvillon një bashkëbisedim online me qytetarët 

Ai ka zbuluar se protesta e mbajtur në formën e një foltoreje përpara Kryeministrisë, tashmë do të dalë edhe jashtë Tiranës.
Ai u shpreh se “Foltorja’ do të përhapet dhe do të mbahet në të gjithë Shqipërinë. 

“Këtë javë nisim foltoret jashtë Tirane, do të vijojnë në të gjithë vendin”, tha ai.

Shqipëria po motorizohet me ritme të shpejta: mbi 1 milion mjete në qarkullim, rritje 9.2% brenda vitit

Numri i mjeteve rrugore në vend vazhdon të rritet me ritme të shpejta, duke reflektuar një motorizim në zgjerim në mbarë territorin. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT) për tremujorin e tretë të vitit, në Shqipëri qarkullojnë rreth 1 milion e 25 mijë mjete, shifër që përfaqëson një rritje prej 9.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Rritja është reflektuar edhe te regjistrimet e reja, që ndonëse më të moderuara, shënojnë një zgjerim prej 1.6%. Vetëm gjatë këtij tremujori janë regjistruar për herë të parë rreth 26 mijë mjete, nga të cilat 82.3% janë autovetura.

434 mjete për 1000 banorë

Shqipëria ka sot një raport prej 434 mjete për 1000 banorë, një tregues ndjeshëm më i lartë se vitet e mëparshme. Autoveturat vazhdojnë të dominojnë flotën kombëtare me 80.8% të mjeteve gjithsej, ndërsa motorët përbëjnë 6% dhe automjetet për transport të përzier 5.9%.

Tirana kryeson me gati 35% të mjeteve në vend

Edhe këtë vit, qarku i Tiranës mban peshën kryesore të mjeteve në qarkullim me 34.7%, i ndjekur nga Durrësi me 13.6%. Në krahun tjetër, Gjirokastra (2.2%) dhe Kukësi (2.4%) janë qarqet me numrin më të ulët të mjeteve.

Për regjistrimet e reja, Tirana mban sërish vendin e parë me 39.5%, duke dëshmuar koncentrimin më të lartë të mjeteve dhe zhvillimin më të shpejtë urban.

Volkswagen dhe Mercedes-Benz, markat më të preferuara

Sa i përket mjeteve të regjistruara rishtazi, Volkswagen ruan pozicionin e parë me 19.8%, i ndjekur nga Mercedes-Benz me 17%. Preferencat e konsumatorëve shqiptarë për këto marka lidhen me çmimet konkurruese të modeleve të përdorura, aksesin e gjerë në pjesë këmbimi dhe traditën e konsoliduar të tregut vendas.

Shqiptarët harxhuan 620 mijë ton karburant në 10 muaj 

Karburanti është ndër produktet e akcizës i cili po njeh konsum të lartë dhe si rrjedhojë import në rritje të vazhdueshme. Nga ana tjetër,  kafeja dhe duhani janë “të pandashëm” nga përditshmëria e shqiptarëve, pasi lokalet prej vitesh janë kthyer jo vetëm në vende bisedash, por edhe në një “institucion” për takime pune.  Kjo ka bërë që edhe trendi i konsumit të këtyre dy produkteve të akcizës të rezultojë në rritje përgjatë këtij vitit.

Shifrat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se deri në Tetor 2025  janë zhdoganuar 620 mijë ton karburant, me një rritje të konsiderueshme në raport me Tetor 2024, ku importet regjistroheshin në afro 548 mijë ton, duke u rritur kështu me 72.1 mijë ton.  Ky konsum është ndikuar nga fluksi i turizmit në vend, çka sjellë qarkullim më të lartë me automjete, por edhe lëvizjet që bëjnë vetë qytetarët shqiptarë duke u përpjekur të shfrytëzojnë fundjavat apo pushimet.

Nga ana tjetër, deri në Tetor janë importuar dhe kanë shkuar për konsum 8,293 ton kafe,  sasia më e lartë e konsumuar të paktën në 5 vitet e fundit për të njëjtën periudhë.  Ndërsa vetëm në shtator janë 1266 ton të hedhura për konsum, shifra më e lartë e të gjithë vitit.

E njëjta tendencë ka qenë edhe me cigaren.  Në  10 mujor janë importuar 2,865 ton cigare, duke regjistruar sasinë më të lartë që nga viti 2020. Dhe duket se qytetarët shqiptarë nuk po heqin dorë nga duhani pavarësisht se çdo vit çmimet e paketave po rriten në mënyrë të ndjeshme dhe zë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve direkte vjetore për një individ duhanpirës dhe nga ana tjetër, cigarja konsumohet vetëm në ambiente të hapura.

Sa i takon birrës, është i vetmi produkt ndër mallrat e akcizës që ka pësuar rënie të importit, ku në 10 muaj kanë shkuar për konsum 48.5 mijë tonë nga 51 mijë ton të importuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë. 

Të ardhurat totale nga akcizat në 10 mujor arritën në 58.2 miliardë lekë apo afro 600 milionë euro, me një rritje të konsiderueshme nga vitit në vit dhe afro dyfishim në raport me vitin 2015.

Këto tregues pasqyrojnë aktivitet më të lartë ekonomik dhe konsum më të gjerë në treg.

Rama për ‘Die Presse’: Do bëjmë gjithçka për të mos prekur pavarësinë e SPAK

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për podcastin “East Side Stories” të medias austriake Die Presse, ku ka komentuar mbi një sërë temash, përfshirë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, luftën kundër korrupsionit, përplasjet politike në SHBA midis Trump dhe Soros, si dhe investimet e mundshme në ishullin e Sazanit nga Jared Kushner.

Duke folur për punën e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) dhe gabimet që mund të ndodhin gjatë hetimeve, Rama thekson se pavarësia e saj nuk duhet të komprometohet.

“Kam thënë se duhet të ndërtojmë mekanizma të drejtësisë që mund të provojnë pavarësinë e tyre, duke hetuar, duke investiguar dhe duke dënuar, pa marrë parasysh nga cila anë vjen çështja. Nuk është aq këndshme sa të shkosh në operë. Është e dhimbshme. Është e hidhur. Por është mënyra e vetme. A është perfekte? Jo. A bëjnë gabime? Sigurisht. Por në fund të ditës, duhet të bëjmë gjithçka që të mos prekim pavarësinë që u kemi dhënë atyre,” tha Rama.

Kryeministri u shpreh gjithashtu për angazhimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, duke theksuar mbështetjen e madhe të Komisionit Europian:

“A do të jemi si Austria brenda dy vitesh? Jo, aspak. Anëtarësimi lidhet me parime dhe kritere shumë të qarta që duhet përmbushur në tërësi. Por në këtë fazë nuk shoh asnjë rrezik për probleme serioze. Nuk e bëjmë këtë ‘detyrë shtëpie’ për t’i kënaqur ata. E bëjmë për të ndryshuar Shqipërinë dhe për ta bërë më evropiane, më demokratike,” tha Rama.

Intervista pasqyron përpjekjet e qeverisë për të konsoliduar drejtësinë dhe për të avancuar reformat e BE-së si pjesë e strategjisë për anëtarësim brenda vitit 2030.