Punimet e ujësjellësit lënë pa drita Lungomaren në Vlorë, rreth 300 abonentë pa energji

Mbrëmjen e së martës, zona e Lungomares në Vlorë është përballur sërish me ndërprerje të energjisë elektrike, si pasojë e dëmtimit të linjave të korrentit gjatë punimeve për shtrimin e rrjetit të ujësjellësit.

Sipas informacioneve, gjatë gërmimeve janë prekur kabllot elektrike, duke lënë pa energji rreth 300 abonentë në këtë zonë. Menjëherë pas konstatimit të defektit, në terren kanë mbërritur grupet e OSSHE, të cilat kanë nisur punën për rikthimin e furnizimit me energji.

Ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër, ku firma që po kryen punimet për rrjetin e ujësjellësit shkakton dëmtime në infrastrukturën elektrike, duke krijuar shqetësim te banorët dhe bizneset e zonës.

Banorët kërkojnë më shumë kujdes dhe koordinim mes institucioneve, për të shmangur përsëritjen e këtyre situatave.

Vr*tet djali i Muamar Gaddafit

Saif al-Islam Gaddafi, djali më i njohur i ish-udhëheqësit libian Muammar al-Gaddafi, është vrarë, bëjnë të ditur burime pranë familjes së tij, sipas raportimit të agjencisë Reuters.

Mediat libiane shkruajnë se lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar edhe nga avokati Khaled al-Zaidi. Ndërkohë, televizioni “Al Jazeera” raporton se vdekja ka ndodhur “nën rrethana misterioze”, pa dhënë detaje zyrtare mbi autorët apo motivet.

Saif al-Islam ishte një nga figurat më të njohura politike në Libi para vitit 2011, ku luajti rol të rëndësishëm në politikën e regjimit të të atit. Pas rrëzimit të Gaddafit, ai u tërhoq nga jeta publike dhe u shfaq shumë rrallë në skenën politike.

Në vitin 2015, një gjykatë libiane e dënoi atë me vdekje në mungesë për shtypjen e protestave paqësore gjatë revolucionit të vitit 2011. Ai ishte gjithashtu nën hetim nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime të dyshuara kundër njerëzimit.

Në vitin 2021, Saif al-Islam u regjistrua si kandidat në zgjedhjet presidenciale, të cilat më pas u anuluan për shkak të krizës politike dhe mungesës së konsensusit në vend.

Autoritetet ende nuk kanë dhënë një reagim zyrtar për ngjarjen, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të vrasjes janë në vijim.

Cili qark ka më shumë autoktonë?

Shqipëria mes dy realiteteve demografike

Çfarë tregojnë të dhënat e INSTAT për migrimin e brendshëm

Të dhënat e fundit nga INSTAT mbi vendlindjen dhe vendbanimin aktual të qytetarëve zbulojnë një realitet domethënës për lëvizjen e brendshme të popullsisë në Shqipëri. Krahasimi mes qarkut ku qytetarët kanë lindur dhe atij ku jetojnë sot nxjerr në pah një ndarje të qartë: disa qarqe mbeten thellësisht autoktone, ndërsa të tjerat janë shndërruar në magnetë të fortë të migrimit të brendshëm.

Qarqet më autoktone

Në krye të renditjes qëndron Kukësi, ku 93.3% e banorëve kanë lindur në të njëjtin qark. Kjo shifër e bën Kukësin zonën me lëvizshmërinë më të ulët të brendshme në vend, duke ruajtur një strukturë demografike të qëndrueshme, pavarësisht emigrimit jashtë vendit.

Pas tij renditen:

  • Shkodra – 90.6%
  • Korça – 86.3%
  • Elbasani – 84.8%
  • Gjirokastra – 83.9%
  • Fieri dhe Dibra – mbi 80%

Këto qarqe, kryesisht jashtë boshtit Tiranë–Durrës, vazhdojnë të ruajnë popullsinë vendase, me lëvizje të kufizuar të brendshme.

Zona në tranzicion

Në një nivel të ndërmjetëm pozicionohen:

  • Berati – 76.3%
  • Vlora – 76.3%
  • Lezha – 75.1%

Këto shifra tregojnë një ekuilibër mes qëndrueshmërisë dhe zhvendosjes, ku një pjesë e popullsisë mbetet, ndërsa një tjetër migron drejt qendrave më të mëdha urbane.

Qarqet magnet

Në fund të renditjes qëndrojnë dy qarqe që përfaqësojnë realitetin e kundërt:

  • Durrësi – 56.1%
  • Tirana – 51.8%

Kjo do të thotë se pothuajse gjysma e popullsisë së kryeqytetit ka lindur në qarqe të tjera. Tirana mbetet destinacioni kryesor i migrimit të brendshëm, ndërsa Durrësi shërben si alternativa e dytë më e madhe.

Dy Shqipëri demografike

Të dhënat e censit tregojnë se vendi po ndahet në dy realitete demografike:

  • qarqe që ruajnë strukturën tradicionale,
  • dhe qarqe që përballen me presionin e rritjes nga migrimi i brendshëm.

Sfida nuk është më vetëm se cili qark ka më shumë autoktonë, por si do të ndikojë kjo ndarje në zhvillimin ekonomik, infrastrukturor dhe social të vendit në vitet që vijnë.

Izraelitët ndërtojnë qendrën e parë të të dhënave në Shqipëri

Investim rreth 100 milionë euro pranë Tiranës

Shqipëria do të ketë për herë të parë një qendër të madhe të të dhënave (data center), falë një investimi prej rreth 100 milionë eurosh nga kompania izraelite ADC, raporton media izraelite Globes.

Projekti do të ndërtohet në zonën e lirë ekonomike TEDA, pranë Tiranës, dhe do të ketë një kapacitet fillestar prej 32 megavatësh, me mundësi zgjerimi deri në 100 megavatë. Qendra do të bazohet në teknologjinë e avancuar të Nvidia, duke shërbyer për përpunim të të dhënave dhe aplikime të inteligjencës artificiale.

Leje e përshpejtuar dhe mbështetje energjetike

Falë statusit të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Europian, projekti ka përfituar procedura të përshpejtuara. Leja e ndërtimit është miratuar brenda 60 ditësh, ndërsa objekti po ndërtohet në tokë shtetërore, me infrastrukturë të gatshme energjetike dhe dixhitale.

Qendra do të furnizohet me energji të gjelbër nga burime hidroelektrike, ndërsa një nënstacion elektrik i dedikuar po ndërtohet posaçërisht për këtë projekt.

Financim dhe klientë

Rreth 75% e kostos së investimit mbulohet nga një linjë kredie e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Edhe pse ende në ndërtim, qendra ka siguruar tashmë tre klientë:

  • një kompani shqiptare teknologjie,
  • një kompani gjermane,
  • dhe një institucion qeveritar shqiptar (konfidencial).

Synimi: tregu europian dhe amerikan

Sipërmarrësit synojnë të tërheqin klientë nga Europa dhe SHBA, të interesuar për qendra të inteligjencës artificiale të bazuara

Forbes: Bregdeti verior i Shqipërisë, destinacioni i ri super-prime i pasurive të paluajtshme në Adriatik

Bregdeti verior i Shqipërisë po shndërrohet në një nga zonat me potencialin më të lartë për pasuritë e paluajtshme luksoze në Adriatik, shkruan Forbes. Me arkitekturë bashkëkohore, mikpritje të nivelit botëror dhe infrastrukturë të re, kjo zonë e panjohur deri pak vite më parë, po hyn në hartën e investimeve elitare.

Në pikën më të ngushtë të Ngushticës së Korfuzit, Shqipëria ndodhet vetëm pak më shumë se një milje larg ishullit grek, por për dekada me radhë ka mbetur një mister për botën. Pas izolimit të gjatë komunist, vendi po afirmohet si një alternativë e re mesdhetare, me vijë bregdetare rreth 300 milje.

Ndërsa jugu (Sarandë, Ksamil, Dhërmi) është tashmë i njohur, veriu mbetet ende i pazbuluar për shumicën. Qyteti i Shëngjinit, i famshëm për perëndimet e diellit, është sot një destinacion i preferuar për pushuesit nga Tirana dhe Kosova. Por pak më në veri, drejt Ranës së Hedhun – një dunë gjigante rëre që ngrihet mes pyjeve me pisha – po merr formë projekti i parë luksoz i zonës.

Dukagjini Resort – projekti që ndryshon hartën

Në një sipërfaqe prej 27 hektarësh, mes kodrave shkëmbore dhe një plazhi me rërë të artë, po ndërtohet Dukagjini Resort, zhvillimi i parë super-luksoz në veri të Shqipërisë. Projekti i përket Dukagjini Group dhe është dizajnuar nga arkitekti austriak Chris Precht, i njohur për arkitekturë ekologjike dhe forma eksperimentale.

Kompleksi përfshin:

  • 189 rezidenca në 11 ndërtesa,
  • 187 njësi të tjera në Veranda Village,
  • një hotel 5 yje Swissôtel mbi rërë,
  • kazino, spa, marina të vogël,
  • restorante, dyqane, concierge dhe parking nëntokësor.

Arkitektura ndjek terrenin natyror, pa e imponuar veten mbi të. “Kjo është më shumë se një zhvillim – është një pikë referimi dizajni që do të ripërcaktojë këtë segment të bregdetit shqiptar,” thotë Brandan Mativi, themelues i Capital Point | Forbes Global Properties.

Çmime dhe interes ndërkombëtar

Sipas Mativit, brenda 8 muajve nga nisja e ndërtimit është shitur 60% e projektit, edhe pse përfundimi pritet në vitin 2028.

Penthouse-t më luksoze aktualisht shiten rreth 1.6 milionë euro, por pritet që çmimet të dyfishohen deri në përfundim.

Tregu i nivelit të mesëm po tërheq blerës nga Europa Lindore (Poloni, Çeki), ndërsa segmenti mbi 1 milion euro është më tërheqës për investitorë nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA.

Infrastrukturë e re, akses më i shpejtë

Brenda dy viteve të ardhshme, një bypass i ri do ta lidhë Shëngjinin me Tiranën për 45 minuta, ndërsa një zgjerim autostrade do të krijojë akses të shpejtë me Malin e Zi – një tjetër treg në rritje për pasuritë luksoze.

Forbes e përmbyll duke theksuar se arkitektura moderne që po del nga kodrat me pisha dhe shkëmbinj në një zonë të ndaluar deri 35 vite më parë, po krijon një destinacion të ri luksi në Mesdhe.

“Kjo është reflektim i drejtimit ku po shkon Shqipëria. Në kohë të pasigurta, izolimi i dizajnuar dhe potenciali real i investimit janë pikërisht ajo që kërkojnë të pasurit e botës.” – Brandan Mativi, Forbes Global Properties/Forbes

https://www.forbes.com/sites/forbes-global-properties/2026/02/03/in-albania-serious-property-potential-emerges-on-its-quieter-northern-coast/

102 kontejnerë me mbetje të rrezikshme nga Kurum, lëshohen 33 arreste për zyrtarë dhe biznesmenë


Prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet për çështjen e mbetjeve të rrezikshme të lidhura me kompaninë “Kurum” dhe ka lëshuar 33 masa sigurie. Sipas burimeve zyrtare, 26 persona janë arrestuar me burg, ndërsa 7 të tjerë janë lënë në arrest shtëpie.

Hetimi ka në fokus 102 kontejnerë me mbetje të rrezikshme, të dyshuara se janë menaxhuar dhe trajtuar në kundërshtim me ligjin. Mes personave ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ka zyrtarë të doganave, zyrtarë të mjedisit, si edhe biznesmenë.Hetimi ka në fokus 102 kontejnerë me mbetje të rrezikshme, të dyshuara se janë menaxhuar dhe trajtuar në kundërshtim me ligjin. Mes personave ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ka zyrtarë të doganave, zyrtarë të mjedisit, si edhe biznesmenë.

Reuters: Greqia do ndalojë rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Greqia është “shumë afër” njoftimit të ndalimit të mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç, tha një burim i lartë qeveritar për Reuters të martën.

Ky veprim vjen ndërsa vendet evropiane po shqyrtojnë masa më të ashpra për të kufizuar aksesin në platformat dixhitale nga të miturit.

Po atë ditë, Spanja njoftoi planet për të ndaluar përdorimin e mediave sociale nga personat nën 16 vjeç, ndërsa gjithashtu shtyu për legjislacion që do t’i bënte drejtuesit e mediave sociale personalisht përgjegjës për gjuhën e urrejtjes në platformat e tyre.

Në vitin 2025, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis kishte deklaruar se ndalimi i mediave sociale për të miturit nën 16 vjeç ishte vënë në tryezën e opsioneve të qeverisë.

Konkretisht, në një aktivitet të titulluar “Mbrojtja e Fëmijëve në Epokën Dixhitale”, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të OKB-së, Mitsotakis kishte theksuar se Greqia është e gatshme të shqyrtojë edhe “ndalimin e përdorimit të mediave sociale duke vendosur një prag të moshës madhore dixhitale”, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. “Ne nuk mund t’i përdorim vështirësitë në zbatimin e këtyre politikave si justifikim për të mos bërë asgjë për problemin”, kishte vënë në dukje ai. 

Mitsotakis theksoi gjithashtu se sfida nuk kufizohet vetëm në mediat sociale, por shtrihet edhe në marrëdhënien e fëmijëve me mjetet e inteligjencës artificiale .

Tentoi të fuste dr*gë në burgun e Fierit, ndiqet penalisht një shtetas

Një sasi e dyshuar lënde narkotike është konstatuar gjatë një kontrolli në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit trupor në ambientet e dhomës së kontrollit, shtetasit Sajmir Përpalaj iu gjet një sasi e dyshuar si lëndë narkotike, e fshehur poshtë pjesëve intime.

Nga verifikimet rezultoi se Përpalaj ishte paraqitur në institucion për të zhvilluar një takim me të dënuarin Aleksandër Mehmetaj, i cili ndodhet në regjimin e sigurisë së zakonshme dhe është i akomoduar në dhomën nr. 10, sektori 5, godina C.

Në vijim të veprimeve procedurale, është hartuar dokumentacioni përkatës dhe është njoftuar Prokuroria, si dhe Specialisti i SHKBB-së, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.

Ndërkohë, në dhomën ku qëndron i dënuari po zhvillohet një kontroll i plotë për sende të ndaluara, në kuadër të masave të sigurisë dhe verifikimeve procedurale.