Fletë votimi të falsifikuara dhe listë me emra zgjedhësish, vihet nën hetim pronari i lokalit

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin, pas njoftimit të marrë më datë 22.05.2025, se në një lokal në fshatin Pekisht, ishin gjetur disa materiale të dyshuara zgjedhore, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, me qëllim verifikimin e rastit.

Gjatë veprimeve të kryera në vendngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, në lokalin e shtetasit D. B., janë gjetur dhe sekuestruar 10 fletë të ngjashme me fletët e votimit, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve. Gjithashtu, është sekuestruar portofoli i shtetasit D. B., me 280 000 lekë.

Më tej, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. B., janë gjetur një pushkë e vjetër trofe dhe një pistoletë zhurmuese (sportive).

Në vijim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. B., për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

“‘Truri’ i krimit në Shqipëri është Fieri”, Karamuço: Shqiptarët ndonjëherë i ngrenë kurth vetes, ja kur nis rreziku

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, i ftuar në emisionin “Real Story”theksoi se raportet e huaja e nxjerrin krimin me origjinë nga Shqipëria si nënkontratkor dhe jo si “koka” e grupeve, siç pretendohet rëndom nga publiku.

Sipas tij, frazat kur thuhet që shqiptarët kanë pushtuar sheshet e Romës për trafikun e drogës janë totalisht të gabuar, sepse në thelb asgjë nuk është e vërtetë.

Ai theksoi se tregun e trafikut të drogës e kontrollojnë grupet italiane si Camorra apo Ndragheta.

“Historia e kriminalitetit italian e fut Shqipërinë si prestanome dhe si nënkontraktor. Kam vënë re shumë raporte këto vite, që prokurorët e antimafias qeshin, kur i janë thënë raportet tona, se ne i bëjmë vetë nganjëherë kurth vetes kur themi se “shqiptarët kanë pushtuar sheshet e Romës për drogë”. Kush të lë në Romë në ty?  Kush të lë Camorra apo Ndragheta? “, tha ai.

Ai shtoi se sa i përket vendit tonë, truri i krimit të organizuar është qytetit i Fierit.

Sipas Karamuços, grupet kriminale shqiptare bien në kurth në momentin kur ato ekspozohen apo dhe kur krijojnë lidhje me eksponentë të politikës si në nivel lokal ashtu dhe atë qendror.

“Truri tradicional i krimit të organizuar në Shqipëri është  Fieri. Problemi është që këto janë celula, që hidhen  në punë kur gjejnë marrëveshje, negociata me grupe e mëdha. Në momentin kur ti ekspozohesh dhe gabimi që ti bën që atashohesh në biznes dhe kërkon nxitjen dhe mbështetjen e eksponentëve të caktuar politikë lokalë dhe qendrorë, aty pastaj është një kurth i madh”, shtoi ai./abcnews

Fevziu bën deklaratën e fortë: Artan Lame nuk ka vdekur, është në koma cerebrale

Gazetari Blendi Fevziu në nisje të emisionit të sotëm “Opinion”, u shpreh se do të bënte një anonçim, të cilin e quajti më të vështirin në jetën e tij.

Ndryshe nga sa ka qarkulluar lajmi ditën e sotme për ndarjen nga jeta të ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame, Fevziu sqaron se ky i fundit është ende në jetë dhe ndodhet në koma cerebrale.

Fevziu shprehet se ky lajm është një kërkesë e familjes së tij, që një gjë që nuk ka ndodhur të mos bëhet fakt i kryer. Ndërkohë Lame ndodhet në gjendje të vështirë shëndetësore.

Kam një anonçim të shkurtër, që është padyshim një nga anonçimet më të vështirë që do të bëj ndoshta edhe në të gjithë jetën time. Një nga miqtë e mi personal, një nga njerëzit jam i bindur e ka dashur Shqipërinë dhe historinë e saj më shumë se shumë të tjerë. Artan Lame ndodhet në momente shumë të rënda të jetës së tij. Sot paradite ka dalë lajmi që ai iku nga kjo jetë, në fakt ai ndodhet në koma cerebrale. Ka hyrë në një operacion të rëndë në zemër, pas një problem disajavorë. Operacioni nuk ka arritur ta zgjojë më, pra ai është në koma cerebrale, por është ende në jetë. Mjekët thonë që mundësia që ai të jetojë është thuajse…, pra është e vështirë. Por gjithsesi ai është ende në jetë dhe unë kam një porosi nga familja e tij që ta bëjë këtë anonçim për të thënë që të mos bëhet fakt i kryer diçka që nuk ka ndodhur ende”, u shpreh Blendi Fevziu.

Marta Kos: Urime Shqipërisë per hapjen e grup-kapitullit të 3-të të negociatave me BE

Marta Kos, komisionerja evropiane për Zgjerim në BE, ka uruar vendin tonë për hapjen e grupkapitullin e tretë të negociatave me Bashkimin Evropian.Përmes një postimi në platformën X, ajo shprehet se ‘kjo do të thotë një ekonomi më e fortë shqiptare në dobi të qytetarëve tuaj dhe një hap tjetër më afër BE-së’.

“Urime Shqipërisë për hapjen e Grupit 3 mbi konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse sot! do të thotë një ekonomi më e fortë shqiptare në dobi të qytetarëve tuaj dhe një hap tjetër më afër BE-së.

Zgjerimi i Europës ka të bëjë me përparimin ditë pas dite.”, shkruan Kos.

Çelen negociatat për 8 kapituj, Rama:Përparim i Shqipërisë dhe mbështetje e BE-së

Këshilli i BE ka miratuar çeljen e negociatave për 8 kapituj të rinj nga Grupi 3. Në një mesazh në facebook, Rama shkruan se  “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, që përfshin arsimin, digjitalizimin, punësimin, politikën ekonomike, tatimet dhe inovacionin.

Deri tani janë hapur negociatat për 24 kapituj në vetëm 8 muaj dhe mbeten vetëm 11 të tjerë për t’u hapur – një ritëm tejet i lartë që tregon përparimin e Shqipërisë dhe mbështetjen e BE-së për të arritur objektivin e përbashkët të mbylljes së negociatave më 2027”, shkruan Rama në facebook.

Lufta kundër dr*gës dhe pastrimit të parave, SHBA: DEA aktive dhe në Shqipëri

Ambasada e SHBA në Tiranë njofton se linja e sinjalizimit të Agjencisë së SHBA kundër narkotikëve, DEA, është aktive edhe në Shqipëri.

Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale, ambasada fton qytetarët që të ndajnë me zyrën e DEA informacionet nëse janë në dijeni të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave që vijnë nga kjo veprimtari e paligjshme.

Ambasada amerikane thekson gjithashtu se DEA ka vënë në dispozicion kontaktet në aplikacionin WhatsApp dhe email, ku qytetarët mund të përcjellin të dhënat që disponojnë.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me të, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve të të dy vendeve tona dhe parandalimin e hyrjes së drogave të paligjshme në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në postimin e ambasadës së SHBA.

Njoftimi i ambasadës së SHBA

Linja e sinjalizimit të Agjencisë së ShBA Kundër Narkotikëve është aktive. DEA nxit këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e të ardhurave nga droga ta ndajë informacionin me personelin e DEA-s në WhatsApp në: +1 571 502-7846 ose me email në: albania_DEA_tipline@state.gov.

Të gjitha të dhënat do të mbahen të fshehta. Falënderimet tona për të gjithë ata individë që kanë dorëzuar të dhëna të besueshme që kanë mbështetur operacionet e DEA-s. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me të, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve të të dy vendeve tona dhe parandalimin e hyrjes së drogave të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Portalet ‘pre’ e dezinformimit:Kryetarja e AMA: Bota virtuale sfiduese, kërkohet përgjegjshmëri

Një hulumtim i realizuar nga qendra “Faktoje” pas një trajnimi të 60 gazetarëve ka nxjerrë në pah se Mediat Online dhe platformat sociale janë burimi kryesor i dezinformimit. Të dhënat u bënë publike në një aktivitet të realizuar në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive e ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Parlamenti, institucionet rregullatore, shoqatat civile dhe organizatat mediatike.

Mbahet Konferenca e 5-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Pasditen e sotme u zhvillua në Bruksel, Konferenca e 5-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, e cila miratoi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë mbi 8 kapituj të përfshirë në Grupimin e 3-të: “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm historik përpara në negociatat e vendit tonë për anëtarësim në BE.I pranishëm në këtë Konferencë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani ka reaguar në lidhje me këtë zhvillim të rëndësishëm.

“Një gurthemel i ri i hedhur me hapjen zyrtare të Grup-Kapitullit 3 – Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse – gjatë Konferencës së 5-të Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel. Hapja e 8 kapitujve të rinj sot reflekton progresin e bazuar në meritë të Shqipërisë dhe është një tregues i qartë se sa shumë kemi arritur brenda një kohe shumë të shkurtër.”, shprehet z. Hasani.

Ai nënvizon gjithashtu se rrugëtimi ynë drejt BE-së nuk ka qenë ndonjëherë kaq i qartë apo më i vendosur.

Në grupimin 3 përfshihen tetë fusha ose kapituj: Kapitulli 10 (Transformimi Digjital dhe Media), Kapitulli 16 (Tatimet), Kapitulli 17 (Politika Ekonomike dhe Monetare), Kapitulli 19 (Politika Sociale dhe Punësimi), Kapitulli 20 (Ndërmarrjet dhe Politika Industriale), Kapitulli 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura), Kapitulli 29 (Bashkimi Doganor). Përparimi në këto fusha është thelbësor për të garantuar stabilitetin fiskal të Shqipërisë, modernizimin industrial, rritjen e inovacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe pjesëmarrjen në iniciativat evropiane të kërkimit shkencor, arsimit dhe digjitalizimit.

Me hapjen e këtij grup-kapitulli, Shqipëria është më pranë realizimit të vizionit të Shqipërisë 2030, ku përfitimet dhe rezultatet e integrimit në BE mund të aplikohen direkt në jetën e përditshme, me shërbime më të mira, më shumë mirëqënie dhe zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët shqiptarë.