Polici i “Shqiponjave” dërgohet në gjyq në Fier, akuzohet se përdori të mitur për shitje droge

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin B.D., punonjës i policisë në Njësinë e Posaçme “Shqiponja”, i akuzuar për disa vepra penale të rënda.

Sipas organit të akuzës, ndaj tij rëndojnë akuzat për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shtytja e të miturit në krim”, të parashikuara nga nenet 283/1, 248 dhe 129 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 380 të vitit 2024, rezulton se punonjësi i policisë ka rekrutuar një të mitur, nxënësin me iniciale E.H., i cili ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe në kushte të vështira familjare e ekonomike. Fillimisht, sipas Prokurorisë, i mituri është përdorur për sigurimin e informacioneve policore, por më pas është shfrytëzuar për shitjen e lëndëve narkotike.

Prokuroria thekson se i pandehuri ka vepruar me dashje, duke shpërdoruar detyrën dhe duke cënuar interesat e shtetit, rendin publik si dhe duke dëmtuar të miturin e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Në përfundim, organi i akuzës shpreh angazhimin për të vënë para përgjegjësisë ligjore çdo punonjës të shërbimit publik që përfshihet në veprimtari të paligjshme, veçanërisht kur preken siguria publike dhe të drejtat e fëmijëve.

Gjykata liron të ndaluarit për pallatin e djegur në Tiranë, caktohet masa “detyrim paraqitje”!

Gjykata e Tiranës ka vendosur të lirojë nga masa e arrestit personat e ndaluar lidhur me zjarrin e rënë në një kompleks pallatesh pranë QSUT, duke caktuar për ta masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Seanca për caktimin e masave të sigurisë u zhvillua paraditen e kësaj të premteje, ku para gjykatës u paraqitën disa persona të lidhur me ndërtimin dhe administrimin e godinës së përfshirë nga flakët.

Mes të proceduarve janë inxhinieri Enver Ademi, kontraktori i fasadës Altin Furtuna, administratori i objektit Agron Cara, si dhe menaxherja e një biznesi që operonte brenda pallatit, Razie Sula.

Avokatët e të dyshuarve kanë pretenduar gjatë seancës se zjarri mund të jetë shkaktuar nga fëmijë, një version që mbetet ende në kuadër të pretendimeve dhe nuk është konfirmuar nga hetimet.

Ngjarja e rëndë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa ka ngritur pikëpyetje mbi standardet e sigurisë dhe cilësinë e ndërtimit të objektit.

Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe përgjegjësitë konkrete të secilit prej të përfshirëve, ndërsa pritet që procesi të hedhë më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes.

7.9 mlrd € për rruget dhe hekurudhat,qeveria nxjerr strategjinë 2030 per integrimin ne rrjetin europian

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik Strategjinë Sektoriale të Transportit dhe Planin e Veprimit 2030, dokument që përcakton drejtimin e zhvillimit të sektorit për periudhën 2026–2030.

Strategjia synon modernizimin e sistemit të transportit dhe integrimin e tij në rrjetin evropian TEN-T, me fokus në krijimin e një sistemi më të qëndrueshëm, inteligjent dhe të sigurt. Për realizimin e këtij vizioni parashikohet një paketë investimesh prej rreth 7.9 miliardë euro.

Sipas dokumentit, fondet do të përqendrohen kryesisht në zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, si dhe në projektet që përmirësojnë lidhjet me korridoret kryesore rajonale dhe evropiane. Financimi pritet të vijë nga buxheti i shtetit, fondet e brendshme dhe mbështetja e donatorëve ndërkombëtarë.

Strategjia vendos si objektiva kryesore përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian deri në vitin 2030, zhvillimin e rrjeteve prioritare dhe rritjen e lidhshmërisë ndërkufitare. Një tjetër fokus është promovimi i transportit të qëndrueshëm, përmes uljes së emetimeve dhe përdorimit të energjive alternative.

Po ashtu, dokumenti synon rritjen e sigurisë në transport, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe forcimin e kapaciteteve institucionale. Në të përfshihet edhe digjitalizimi i sektorit përmes sistemeve inteligjente të transportit dhe rritja e rezistencës së infrastrukturës ndaj ndryshimeve klimatike.

Zv/Kryeministrja Kociu me banoret e pallatit qe u dogj nga flaket

Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka zhvilluar një takim këtë të premte me banorët e pallatit 12-katësh që u përfshi nga flakët pak ditë më parë, ku apartamentet e tyre u shkatërruan nga zjarri masiv.

Gjatë takimit, Koçiu ka deklaruar se aktualisht nuk mund të jepen afate për përfundimin e punimeve, pasi hetimet për ngjarjen ende nuk janë mbyllur. Ajo theksoi se institucionet po punojnë për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës dhe se nuk ka pasur neglizhencë nga ana e tyre.

“Nuk jap dot afate për mbylljen e punimeve, pasi ende nuk është mbyllur hetimi. Askush nuk po neglizhon, po përpiqemi që gjëja të zgjidhet sa më shpejt. Duhet të kuptojmë shkakun nga se ka ardhur zjarri, se mund të ketë edhe përgjegjës”, është shprehur Koçiu.

Ndërkohë, drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka, ka bërë me dije se po punohet që brenda një muaji të sigurohet leja për nisjen e punimeve, ndërsa fillimisht duhet të përmbyllet inventarizimi i dëmeve.

“Do të vijë një grup arkitektësh, por më parë duhet të mbyllet inventari”, tha ajo.

Roka shtoi gjithashtu se pas një jave pritet të përcaktohen më qartë afatet për përfundimin e rindërtimit, pas vlerësimit në terren të situatës.

Ndërkohë, administratorja e kompleksit është shprehur se kompania është e gatshme të mbulojë dëmet dhe të marrë përgjegjësitë ligjore për rindërtimin.

“Ne jemi të gatshëm për të mbuluar dëmet, dhe për të rindërtuar”, tha ajo, duke shtuar se janë të gatshëm të formalizojnë marrëveshjet ligjore përmes noterit.

Për ngjarjen janë arrestuar katër persona, ndërsa pronari i kompanisë “Arlis”, Armand Lilo, është shpallur në kërkim. Gjithashtu, nën hetim ndodhen edhe dy punonjëse të marketit.

23 mijë lekë kg i kumbullave, Autoriteti i Konkurrencës të zbresë në treg

Rritja e çmimeve në tregun shqiptar vijon të krijojë shqetësim te konsumatorët, ndërsa disa produkte po kthehen në simbol të debatit publik për koston e jetesës.

Një prej tyre janë kumbullat jeshile, çmimi i të cilave këtë sezon ka arritur deri në 22–23 mijë lekë të vjetra për kilogram, një nivel që po konsiderohet i lartë dhe i vështirë për t’u përballuar nga qytetarët.

Në këtë situatë, pritet që konsumatorët të reagojnë duke kufizuar blerjet, sidomos për produkte që nuk konsiderohen thelbësore. Kjo, sipas ekspertëve, mund të ndikojë drejtpërdrejt në kërkesën në treg dhe në stabilizimin e çmimeve në vijim.

SPAK jep pretencën për ish-drejtorët e ARRSH, Evis Berberi dhe Gentian Gjyli


Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë pretencën lidhur me një nga dosjet që ka të bëjë me shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike, të kryera në bashkëpunim në disa procedura prokurimi.

Çështja po gjykohet me procedurë të shkurtuar.

SPAK kërkon dënimin me 10 vite burg për ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera në 5 episode, korrupsion pasiv në 6 episode dhe pastrim parash në 1 episod. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi ulet me 1/3, duke zbritur në 6.8 vite burg.

Për ish-drejtorin tjetër të ARRSH-së, Gentian Gjyli, SPAK kërkon 1.6 vite burg për shkelje të barazisë në tendera në 2 episode, si dhe ndalim për ushtrimin e funksioneve publike për 5 vite.

Po ashtu, për ish-drejtorin e KESH-it, Erald Elezi, prokuroria kërkon 1.6 vite burg, për shkelje të barazisë në tendera, që gjithashtu ulet me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, si dhe ndalim 5-vjeçar nga funksionet publike.

Prokurori i SPAK, Dritan Prençi, lexoi gjithashtu konkluzionet përfundimtare edhe për 20 të pandehur të tjerë në këtë dosje.

SPAK ka kërkuar gjithashtu konfiskimin e parave të sekuestruara në banesën e Evis Berberit.

SPAK jep pretencën për ish-drejtorët e ARRSH, Evis Berberi dhe Gentian Gjyli

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë pretencën lidhur me një nga dosjet që ka të bëjë me shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike, të kryera në bashkëpunim në disa procedura prokurimi.

Çështja po gjykohet me procedurë të shkurtuar.

SPAK kërkon dënimin me 10 vite burg për ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera në 5 episode, korrupsion pasiv në 6 episode dhe pastrim parash në 1 episod. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi ulet me 1/3, duke zbritur në 6.8 vite burg.

Për ish-drejtorin tjetër të ARRSH-së, Gentian Gjyli, SPAK kërkon 1.6 vite burg për shkelje të barazisë në tendera në 2 episode, si dhe ndalim për ushtrimin e funksioneve publike për 5 vite.

Po ashtu, për ish-drejtorin e KESH-it, Erald Elezi, prokuroria kërkon 1.6 vite burg, për shkelje të barazisë në tendera, që gjithashtu ulet me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, si dhe ndalim 5-vjeçar nga funksionet publike.

Prokurori i SPAK, Dritan Prençi, lexoi gjithashtu konkluzionet përfundimtare edhe për 20 të pandehur të tjerë në këtë dosje.

SPAK ka kërkuar gjithashtu konfiskimin e parave të sekuestruara në banesën e Evis Berberit.

Spiropali: Ky nuk është modeli i Partisë Socialiste, po më thonë të hesht

Statusi i Elisa Spiropalit:

Po më këshillojnë të hesht. Me të njëjtën mënyrë që përdoret në këto raste: rri rehat, mos bëj zë, do të të vërsulen, nuk ia del dot.

E kuptoj këtë “këshillë”. Është praktike. Madje edhe e mençur në një kuptim të ngushtë, mediokër, meskin. Por është pikërisht kjo lloj “mençurie” që ka ndërtuar klimën ku ndodhemi sot.

Problemi nuk është një individ, një konflikt, një mosvotim në Kuvend, apo një keqkuptim brenda pushtetit.

Problemi është një model që është instaluar gradualisht dhe që sot funksionon pothuajse pa pengesa. Një model ku institucionet nuk janë më hapësira vendimmarrjeje, por instrumente presioni. Ku vendimet nuk merren bashkarisht, por veç. Ku ligji interpretohet sipas nevojës së momentit, dhe jo sipas parimit vizionar.

E kam parë nga afër këtë transformim. Nuk është diçka që ndodh me një vendim të vetëm. Ndodh me tolerime të vogla, me heshtje të arsyetuara, me ndërhyrje që fillimisht duken të padëmshme dhe më pas kthehen në të rëndësishme, deri vendimtare.

Vjen koha kur në një moment, institucionet fillojnë të funksionojnë si zgjatime të vullnetit të pak njerëzve. Disa ministri dhe agjensi shtetërore nuk reagojnë më ndaj ligjit dhe detyrës, por ndaj urdhrit. Nuk i përgjigjen procedurës, por klanit. Dhe në këtë pikë, çdo biznes, çdo media, çdo individ e kupton se nuk është më përballë një shteti, por përballë një makinerie të pashpirt që mund të përdoret kundër tij.

Nëse këto mekanizma përdoren edhe ndaj atyre që kanë mbrojtje publike, me detyra të larta shtetërore, çfarë ndodh me ata që nuk kanë asnjë zë?

Kur struktura shtetërore të emëruara, të promovuara dhe të kontrolluara nga e njëjta dorë, tashmë jo formale, të paraprira nga portale të paguara me para të errëta, fillojnë të sulmojnë në mënyrë brutale deri edhe familjarë, në punë të tyre, atëherë kuptohet qartë se kufijtë janë tejkaluar, dhe se nuk bëhet më fjalë për politikë.

Nuk kam asgjë për të fshehur. Pikërisht për këtë arsye, këto sulme nuk më trembin. Përkundrazi, më bëjnë edhe më të qartë për atë që duhet thënë e duhet bërë.

Këtë model kam refuzuar dhe refuzoj. Ky është modeli që nuk duhet të jetë pjesë e Partisë Socialiste: Refuzimi i realitetit ku institucione publike me fytyrë personale përdoren si hanxharë për të frikësuar, dhe ku mbajtja e ndikimit nuk kërkon performancë, por kontroll. Ku pjesa e ndershme e administratës detyrohet të zbatojë deri urdhëra të paligjshëm për interesa dhe presione eprorësh të dhunshëm dhe fuqiplotë.

Dhe paralelisht me këtë, është ndërtuar një tjetër deformim i brendshëm. Një parti e gjallë, po zëvendësohet nga një strukturë fosile ku gjithçka filtrohet përmes emërimeve okulte. “Drejtorokracia” është kthyer në mënyrë funksionimi. Ka zëvendësuar politikën me administrim besnikërie.

Kjo nuk është ajo për të cilën është ndërtuar Partia Socialiste. Nuk është as modeli që i ka dhënë legjitimitet pushtetit të saj ndër vite.

Për këtë arsye, kjo nuk mund të trajtohet si një çështje personale. Nuk është një përplasje me dikë. Është një mospajtim me një mënyrë funksionimi që po bëhet normë.

Nuk kam frikë nga sulmet. Kam jetuar e jetoj ndër rreshtat e pavdekshëm lasgushianë;

“Shpirtkatran që më qërtojnë, janë qën’ që s’më kafshojnë.”

Jo se jam e paprekshme, por sepse nëse do të kisha frikë, do ta kisha zgjedhur heshtjen shumë më herët. Heshtja është gjithmonë opsioni më i lehtë në këto situata.

Halli është se ky model nuk prodhon vetëm padrejtësi. Ai prodhon largim. Largon njerëzit nga politika, nga besimi, nga vetja, nga vendi. E bën jetën të vështirë, jo për shkak të mungesës së mundësive, por për shkak të kontrollit mbi to.

Dhe nëse kjo vazhdon, nuk do të kemi më një debat politik për mënyrën si qeveriset vendi, por një mungesë të vrazhdë, të shëmtuar dhe deformuese të llogaridhënies institucionale.

Për mua kjo nuk është një çështje thjesht personale. Është një detyrim për të thënë se shumçka duhet ta bëjmë më mirë. Jo unë, por Koha e kërkon.

Ndarja e rëndësishme që duhet bërë qartë nuk është mes njerëzve. Është mes sektorëve funksionues shtetërorë, dhe strukturave abuzive personale.

Partia Socialiste e ka pasur dhe e ka energjinë e nevojshme për përmirësime dhe transformim në dobi të Shqipërisë dhe të shqiptarëve