Gjykata Supreme merr vendimin, TikTok mbyllet në SHBA të dielën

SHBA

Gjykata Supreme në SHBA i ka dhënë dritën jeshile një ligji që ndalon TikTok në SHBA, nëse kompania amë me bazë në Kinë, ByteDance, nuk e shet platformën deri të dielën, më 19 janar.

ByteDance e ka sfiduar ligjin dhe ka argumentuar se ai shkel mbrojtjen e lirisë së fjalës për më shumë se 170 milionë përdoruesit e aplikacionit në SHBA. Por, ky argument u refuzua nga gjykata më e lartë e vendit dhe do të thotë se TikTok tani duhet të gjejë një blerës të miratuar për versionin amerikan të aplikacionit ose do të përballet me një ndalim total nga dita e diel.

Zyrtarët dhe ligjvënësit amerikanë kanë akuzuar ByteDance për lidhje me qeverinë kineze dhe kanë ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare lidhur me TikTok.

“Nuk ka dyshim se, për më shumë se 170 milionë amerikanë, TikTok ofron një mundësi të veçantë dhe të gjerë për shprehje, mënyra angazhimi dhe burim të komunitetit.

Por Kongresi ka përcaktuar se është e nevojshme një shitje për të adresuar shqetësimet e tij të mbështetura mirë për sigurinë kombëtare lidhur me praktikat e grumbullimit të të dhënave nga TikTok dhe marrëdhënien e tij me një kundërshtar të huaj.

Për arsyet e mësipërme, ne arrijmë në përfundimin se dispozitat e kundërshtuara nuk shkelin të drejtat e kërkuesve sipas Amendamentit të Parë”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Plas goma e trajlerit ne Fier,demtohet punonjesi dhe dergohet ne spital

Fier Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur pak minuta më parë në aksin Fier- Patos, pranë Drejtorisë së Policisë. Drejtuesi i një traileri , té ndërmarrjes sé Ujitjes dhe Kullimit Fier ka mbetur i dëmtuar rëndë teksa ka qënë duke ndërruar gomën.
Nga presioni , goma kka plasur si bombë duke dëmtuar drejtuesin Ismail Cjapi, i cili është transportuar me urgjencë drejt Spitalit nga kalimtarë të rastit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Sipas informacioneve paraprake , i dëmtuari aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por gjëndja e tij po monitorohet me kujdes.

Shfrytëzonte një 36-vjeçare për prostitucion në Berat dhe në Lushnjë, arrestohet i riu

Një 32 vjeçar është vënë në pranga për shfrytëzim prostitucioni ndaj një gruaje.Policia e Beratit bën me dije se në kuadër të operacionit “Precedenti”, si dhe në zbatim të masës së sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Beratit, përkatësisht për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit “ dhe “Prostitucioni”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. K., 32 vjeç, banues në Berat, gjithashtu në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Memaliaj u kap dhe ndalua shtetasja A. H., 36-vjeçe, banuese në Memaliaj, Tepelenë, për veprën penale “Prostitucioni”.

32-vjeçari akuzohet se ka shfrytëzuar për prostitucion në Berat dhe në Lushnjë, shtetasen A. H.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

Mallakaster-Grabitën dhe dhunuan për vdekje të moshuarin, Prokuroria dërgon për gjykim tre të akuzuarit

Autorët e grabitjes dhe vrasjes së 89-vjeçarit Çaush Shehaj në fshatin Klos të Mallakastrës, janë dërguar për gjykim nga Prokuroria e Fierit, që mbylli hetimet për ta.

Ervis Halimi, Musa Gudo dhe shtetasi me iniciale F.Ç. akuzohen për veprat penale vjedhja me pasojë vdekjen, e kryer në bashkëpunim dhe mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit.

Nga hetimet e Prokurorisë, provohet se në  19 nëntor 2022, rreth orës 02:00, këta shtetas kanë vjedhur me armë banesën e 89-vjeçarit Çaush Shehaj, të cilin edhe e kanë dhunuar fizikisht. Si pasojë e plagëve të marra në pjesën e fytyrës dhe të trupit, i moshuari ndërroi jetë.

Autorët i shkaktuan plagë të rënda në trup edhe bashkëshortes së 89-vjeçarit. Shenjat e gjakut që u gjetën në banesë po thyerja e dyerve dhe mobiljeve, ishin prova të forcës që autorët përdorën.

Ngjarja e rëndë e dy viteve më parë, tronditi banorët e fshatit Klos në Mallakastër.

Ilir Meta i kërkon Gjykatës së Lartë lirimin nga burgu

Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, i kërkon Gjykatës së Lartë ta lirojë nga qelia.

Përmes avokatit Genci Gjokutaj, Meta ka depozitur një rekurs kundër vendimit të 19 nentorit 2024, që konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij.Meta qëndron në paraburgim teksa po hetohet nga SPAK për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.

Turqia: Greqia po armatoset për të na bërë presion

Mediat turke kanë ngritur alarmin se Greqia po armatoset për ti bërë presion Turqisë, pasi ka blerë avionëve luftarakë Rafale dhe F-35, si dhe armë të reja.

Sipas raportimeve të mediave të huaja, Greqia ka 24 avionë luftarakë Rafale nga Franca, dhe kaa shprehur interesim për të blerë të paktën 20 avionë luftarakë F-35 nga SHBA, si dhe po vazhdon me përmirësimin e F-16-ve. Në të njëjtën kohë, marrja e fregatave të reja tashmë ka filluar .

Në të njëjtën kohë, Turqia po avancon forcat e saj ajrore, me plane për të blerë 40 F-16 Blok 70 të reja nga SHBA dhe për të përmirësuar flotën ekzistuese F-16. Gjithashtu, po mendohet edhe furnizimi me 40 avionë luftarakë Eurofighter Typhoon nga vendet evropiane, me qëllim forcimin e fuqisë ajrore të Turqisë.

Sipas mediave turke, ekziston një mendim se pajisjet ushtarake të Greqisë nuk janë vetëm të karakterit mbrojtës . Ata argumentojnë se këto lëvizje synojnë të krijojnë “presion” ndaj Turqisë, veçanërisht në Egje dhe Mesdheun Lindor.

Këto analiza theksojnë se Greqia kërkon të forcojë praninë e saj ushtarake për të rritur fuqinë e saj negociuese për çështje gjeopolitike , si përcaktimi i zonave detare dhe shfrytëzimi i burimeve energjetike. Madje, disa analistë pohojnë se kjo strategji i shërben edhe marrëdhënieve të saj aleancë me vende si Franca dhe Shtetet e Bashkuara, duke forcuar rolin e saj si një partner i qëndrueshëm në rajon.

Në të njëjtën kohë, nuk mungojnë zërat që argumentojnë se Greqia përmes këtyre armatimeve kërkon të mbajë Turqinë në një gjendje gatishmërie të vazhdueshme , gjë që ndikon në vendimet strategjike turke. Kjo, sipas mediave turke, është një mënyrë indirekte presioni që synon kufizimin e lëvizjeve të Turqisë në rajon.

Eurostat: Rriten perseri aplikimet për azil

Pas disa muajsh ngadalësimi, aplikimet e shtetasve shqiptarë për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian kanë rifilluar sërish rritjen në muajin tetor.

Të dhënat e Eurostat, të përpunuara nga Monitor, bënë të ditur se në tetor 2024 u shënuan gjithsej 685 kërkesa për azil, që është numri më i lartë që nga shkurti i këtij viti, kur shifra ishte 750.

Gjithsesi, në raport me 2023, ikjet përmes kërkesave për mbrojtje të përkohshme kanë shënuar rënie, Gjithsej për periudhën janar tetor 2024, kishte 6170 kërkesa për azil, me rënie prej 19.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri më i lartë i aplikimeve në 5 vitet e fundit u regjistrua në 2022-24, kur një valë e re emigracioni përfshiu vendin. Në janar tetor 2022 kishte gjithsej rreth 11 mijë kërkesa për azil.

Franca vijon të jetë shteti kryesor ku shkojnë pjesa më e madhe e atyre që aplikojnë për mbrojtje të përkohshme. Në janar-tetor të 2024, në këtë shtet, që njihet për politikat e tij sociale, u regjistruan gati 2 mijë kërkesa. Më pas vijon të renditet Italia (1550), Gjermania (1250), Greqia (850).

Europa

Në tetor 2024, 86 945 shtetas jo të BE-së aplikuan për herë të parë për azil në vendet e Bashkimit Europian, një rënie prej 24% krahasuar me tetorin e vitit 2023.

Kishte gjithashtu 7 475 aplikantë të mëpasshëm, që përfaqëson një rritje prej 11% krahasuar me tetorin 2023 (6 725).

Sirianët mbeten grupi më i madh i azilkërkuesve

Sirianët mbeten grupi më i madh i njerëzve që kërkonin azil (15 815 aplikantë për herë të parë), të ndjekur nga venezuelianët (7 305), afganët (5 870) dhe turqit (4 640).

Gjermania (20 565), Spanja (15 780), Italia (13 715) dhe Franca (13 135) vazhduan të marrin numrin më të madh të aplikantëve për herë të parë për azil, duke përbërë 73% të të gjithë aplikantëve për herë të parë në BE.

Norma totale e BE-së e aplikantëve për azil për herë të parë në tetor 2024 ishte 19.4 për njëqind mijë njerëz. Krahasuar me popullsinë e çdo vendi të BE-së (më 1 janar 2024), normat më të larta të aplikimeve për herë të parë u regjistruan në Greqi (79.4), përpara Qipros (51.3).

Gjithsej 3 295 të mitur të pashoqëruar aplikuan për azil për herë të parë në BE, ku shumica e tyre vinin nga Siria (1 095) dhe Afganistani (450).

Vendi i BE-së që mori numrin më të madh të kërkesave për azil nga të miturit e pashoqëruar ishte Gjermania (1 010), e ndjekur nga Greqia (445), Spanja (340), Holanda (325) dhe Belgjika (295). /Monitor 

“Kujdes nga faqet e rreme që kërkojnë të dhëna bankare!”

“Kujdes nga faqet e rreme që kërkojnë të dhëna

Janë identifikuar raste të vjedhjes së llogarive bankare të qytetarëve nga faqe të rreme në internet. Deri më tani, personat që fshihen pas këtye mashtrimeve janë shtetas të huaj të cilët bëjnë oferta joshëse në faqet e bizneseve shqiptare për të vjedhur të dhënat personale dhe bankare të qytetarëve shqiptarë.

Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Spiro Brumbulli, u shpreh se këto përpjekje mashtruese kanë kohë që qarkullojnë.

Këto mashtrime vijnë me mesazh në telefon dhe mund të ndodhë edhe me email në adresën personale. Edhe ato që shfaqen në rrjetet sociale, pasi i klikon të kërkojnë njësoj të dhëna bankare dhe personale. Nëse ndjek linqet e sugjeruara, ato të kërkojnë të dhëna personale dhe të dhëna sigurie, si kode, PIN etj., si në një rast të vërtetë, por që paratë shkojnë në llogaritë e tyre, sepse lidhja është në një faqe të rremë”.

Shoqata Shqiptare e Bankave bën thirrje që qytetarët të mos tregojnë kuriozitet ndaj ofertave joshëse të këtyre tregtarëve të rremë që shpeshherë përdorin emra, apo marka të mirënjohura biznesesh.

“Fshini çdo mesazh, apo email të ardhur nga një burim i panjohur që ju kërkon të kryeni veprime në linqe të cituara, apo të kryeni telefonatë në numrin e treguar në tekst. Kryeni pagesa online vetëm në dyqanet dhe tregtarët e besueshëm, pasi të keni verifikuar faqen e tyre zyrtare në internet ose në qoftë se keni kryer më përpara një blerje të suksesshme. Kontrolloni në mënyrë periodike veprimtarinë e llogarisë tuaj nëpërmjet shërbimit online banking dhe aktivizoni shërbimet e njoftimeve. Njoftoni menjëherë bankën tuaj për të gjurmuar burimin e mesazhit dhe marrë masa për të bllokuar dërguesin”.

Bankat porosisin klientët që të tregojnë kujdes kur ndajnë të dhënat bankare me të tjerë.